3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Gjykata arsyeton hudhjen e aktakuzës për korrupsion, sqaron se Liburn Aliu dhe të tjerët vepruan sipas ligjit

Më të lexuarat

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se hudhja e aktakuzës ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve është e bazuar, pasi Prokuroria nuk ka ofruar fakte se të pandehurit kanë kryer veprat penale të korrupsionit.

Madje, kjo gjykatë ka vlerësuar se Aliu dhe të tjerët vepruan sipas ligjin dhe kompetencave të tyre kur refuzuan disa kërkesa për lejimin e kushteve ndërtimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata më 23 gusht, për të dytën herë, e ka hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Ky vendim është marrë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor, me ç’rast ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se nga dëshmitë dhe provat që prokuroria i ka bashkangjitur shkresave të lëndës, nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e lartcekur kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

“Të akuzuarit kanë vendosur në kuadër të autorizimeve të tyre, autorizime këto të përcaktuara me ligj dhe që lidhen dhe burojnë nga pozitat zyrtare që kanë ushtruar, e që në këtë kuadër përfshihen edhe vendosja lidhur me kërkesat e paraqitura për dhënien e kushteve të ndërtimit personave/palëve që kërkojnë të pajisen me të njëjtat, siç ka ndodhur edhe në rastin konkret kur tani të dëmtuarit kanë kërkuar të pajisen me kushtet ndërtimore për ndërtim individual”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas vendimit të siguruar, të akuzuarit duke vlerësuar se kërkesa e paraqitur nga të dëmtuarit ishte në kundërshtim me Planin Rregullues Urban, e kishin refuzuar të njëjtën duke i dhënë mundësinë të dëmtuarve që vendimin ta atakojnë në procedurën administrative, e drejtë kjo e cila edhe ishte shfrytëzuar nga palët e pakënaqura.

E këto veprime të akuzuarve, sipas gjykatës së shkallës së parë, e përjashtojnë natyrën arbitrare dhe çfarëdo lidhje me ekzistencën e çfarëdo qëllimit të tyre që tu shkaktohet dëm të dëmtuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është e gabuar që mos miratimi i kërkesave të palëve, të lexohen dhe interpretohen si qëllime që këtyre palëve të ju shkaktohen dëm nga personat zyrtar të cilët nxjerrin këto vendime në bazë të autorizimeve përkatëse të cilat i janë besuar me ligj, përderisa nuk ofrohen prova konkrete nga të cilat rezulton se të akuzuarit kanë vepruar me këtë qëllim, meqenëse për secilin vendim që pala është e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë duke argumentuar gabimet e organit të shkallës së parë”, thuhet në vendim.

Lidhur me pretendimin e organit të akuzës se të akuzuarit do të duhej të zbatonin Planin Zhvillimor Urban, si plan i nivelit më të lartë, gjykata ka theksuar se nuk i takon organit të akuzës të bëjë këtë përcaktim dhe se sipas gjykatës, është e paqartë në çka është bazuar Prokurori i Shtetit kur ka bërë një përcaktim të tillë.

Sa i përket veprës penale të “mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore” për të cilën akuzohen Olluri, Uka dhe Berisha-Prestreshi, në arsyetimin e gjykatës thuhet se në rastin konkret, nga provat e propozuara nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë refuzuar të zbatojnë apo nuk e kanë zbatuar brenda afatit ndonjë vendim të plotfuqishëm të ndonjë Gjykate në Republikën e Kosovës.

“Nëse i referohemi vendimit të 6 shtatorit 2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), atëherë i njëjti është vendim i një organi administrativ dhe jo një organi gjyqësor, prandaj nuk mbulohet nga kjo dispozitë ligjore dhe moszbatimi i tij nuk tërheq përgjegjësi penale”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se edhe nëse organi i akuzës i referohet vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 8 nëntor 2017 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të datës 30 nëntor 2017, atëherë Komuna e Prishtinës, përkatësisht të akuzuarit e lartcekur kanë vepruar sipas këtyre vendimeve, duke qenë se përsëri kanë vendosur lidhur me kërkesën për lëshimin e kushteve ndërtimore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit