“Janë disa personazhe të cilëve nuk ka vlerë as t’u përmendet emri…” Indrit Vokshi i përgjigjet Mustafa Nanos
“Janë disa personazhe të cilëve nuk ka vlerë as t’u përmendet emri…” Indrit Vokshi i përgjigjet Mustafa Nanos
Janë disa personazhe të cilëve nuk ka vlerë as tu përmendet emri të cilët përdorin median për të propaganduar kundër fesë. Ata deklarojnë se duhet ndaluar thirrja e Ezanit të fesë muslimane sepse shkakton ndotje akustike dhe i shqetëson ata. Dëshirat e tyre, dëshirat e kësaj pakice të pacipë, u dashkan të kthehen në ligje.
Së pari duhet sqaruar se feja nuk korrektohet. Feja është ashtu siç është dhe ushtrohet ashtu siç ushtrohet. Nuk mundet ta korrektojë as ta transformojë as shteti e as individët e këtillë, madje as vetë hoxhallarët e dijetarët. Feja vetëm mund të njihet prej shtetit, si realitet i patjetërsueshëm dhe i paprekshëm. Feja në Shqipëri ekziston para shtetit. E kësisoji shteti shqiptar, përmes kushtetutës, deklaron se e njeh fenë, njeh dhe respekton paprekshmërinë e saj dhe, mbron ushtrimin e riteve të saj. Thirrja e Ezanit, përveçse mbrohet nga Zoti, mbrohet edhe nga kushtetuta si rit fetar pa të cilin feja ska kuptim dhe me kufizimin e të cilit, quhet se mohohet dhe cënohet e drejta e fesë.
Këta të cilët kërkojnë ndalimin e Ezanit sepse gjoja i shqetëson, këta janë terroristë dhe ekstremistë të ultraliberalizmit dhe komunizmit. Këta mirë se nuk respektojnë Zotin, mirë se “besim” të tyre kanë gjoja liritë njerëzore por, këta nuk respektojnë as liritë njerëzore. Këta, publikisht, godasin dhe nuk respektojnë një të drejtë kushtetuese të shqiptarëve: të drejtën për të ushtruar lirisht ritet fetare. Ky quhet terrorizëm dhe kërcënim i drejtpërdrejtë i lirive.
Këta duan të restaurojnë epokën e komunizmit ku feja u ndalua sepse komunistët i shqetësonte Ezani. Zë i vetëm në komunizëm duhet të ishte zëri i diktatorit.
Edhe ultraliberalët si këta, komunistë koperativistë të llojit të ri e me ngjyra lara-lara, mendojnë se dëshira e tyre duhet të jetë ligj për të gjithë shoqërinë. Mendojnë se zë i vetëm në shoqëri duhet të jetë zëri i idhujve të tyre ultraliberalë, i organizatave të cilat i paguajnë apo rrethit të cilit i mban në gji dhe iu kultivon helmin.
Po nuk u pëlqyen këtyre boritë e makinave, duhen ndaluar makinat. Po nuk u pëlqeu këtyre një lloj muzike, duhet ndaluar ajo muzikë. Po nuk iu pëlqeu këtyre martesa 20 vjeç, duhet dekurajuar. Po nuk u pëlqeu këtyre familja me shumë fëmijë, duhet sharë. Këta janë teknikë zbatues të një axhende e cila synon t’i imponohet shoqërisë.
Këta janë njerëz të paformuar intelektualisht dhe të ngushtë shpirtërisht, saqë nuk janë të aftë të bashkëjetojnë në një shoqëri. Nuk janë të aftë bashkëjetojnë me të ndryshmen e me të kundërtën. Kështu i ka edukuar e i ka mbruajtur axhenda e tyre, axhendë e cila kërkon konflikt me popujt e në mesin popujve, me qëllim që prej konfliktit të përfitojë pjesën e vet të ndikimit.
Nga Indrit Vokshi