2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Evakuohen nga Afganistani pjesa më e madhe e shtetasve maqedonas

Më të lexuarat

Shumica e 75 shtetasve të Maqedonisë së Veriut tashmë janë evakuuar me sukses nga Afganistani, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

“Sipas informacioneve të fundit, nuk ka shtetas të Maqedonisë së Veriut të presin në Aeroportin e Kabulit për evakuim, me çka realizuam evakuimin e të gjithë atyre që dje ishin në aeroportin e Kabulit. Mirëpo në bazën e NATO-s në Kabul, e cila është afër aeroportit të Kabulit, janë edhe 14 qytetarë tanë. Njëmbëdhjetë prej tyre së shpejti do të transformohen nga aeroporti dhe të nisen për në Doha, kurse tre prej tyre do të evakuohen të fundit së bashku me ushtrinë”, tha ministri Osmani.

“Në të gjitha këto vende ku janë drejtuar qytetarët tanë, rrethi diplomatik është aktivizuar në mënyrë që të ndihmojnë në çfarëdo sfide që mund të paraqitet në rrugën e tyre drejt shtëpisë”, shtoi kryediplomati maqedonas.

NDI kërkon që Maqedonia e Veriut të strehojë edhe 200 afganë

Gjatë një konference për media të martën, Osmani bëri të ditur se Instituti Kombëtar për Demokraci (NDI), ka kërkuar që Maqedonia e Veriut të strehojë 200 persona të tjerë nga Afganistani, kundrejt 186 personave, për strehimin e të cilëve paraprakisht kishte njoftuar Qeveria maqedonase.

Sipas Osmanit, kryesisht bëhet fjalë për gra dhe fëmijë dhe theksoi Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Jashtme, në koordinim me faktorin ndërkombëtar po punojnë në me listat e refugjatëve që do të strehohen në Maqedoninë e Veriut.

“Duke pasur parasysh që numri i fluturimeve nga Kabuli është dukshëm i kufizuar, nuk mund të themi saktësisht se kur këta civilë do të arrijnë në vend, por pasi ata të arrijnë këtu, ata do të trajtohen sipas rregullave të brendshme dhe do të akomodohen në objektet që do të sigurohen”, tha Osmani.

VMRO-DPMNE kundër strehimit të afganëve

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka kundërshtuar ashpër vendimin e qeverisë për pranimin e afganëve, jeta e të cilëve është e rrezikuar nga talibanët, pasi kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Antoni Milloshovski, që drejton Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet që të pranojë refugjatë nga Afganistani.

Ai thotë se Shkupi zyrtar nuk ka ambasadë në Kabul, gjë që, sipas tij, e bën të vështirë që të sigurojë të dhëna për personat që do të strehojë.

“Nëse Maqedonia do të kishte ambasadë në Kabul edhe mund të kishte një përparësi të vogël si rrjedhojë e bashkëpunimit me autoritetet e atjeshme dhe sigurimit të të dhënave nga vetë ambasada, që të japë një vlerësim për personat e caktuar që do të hynin në shtetin tonë. Këtu po flas për aspektin e sigurisë. Por, nuk kemi ambasadë të Afganistanit në Shkup, ashtu siç ka në Sofje, të cilët kanë bashkëpunim biletaral”, thotë Milloshovski, që vjen nga radhët e VMRO-së.

“Unë dua të flas edhe për rrezikun e vetë personave që do të vinin këtu nga Afganistani, pasi vlerësoj se paaftësia e shtetit në shumë segmente, mund të reflektohet edhe në mungesën e kapaciteteve për pranimin e refugjatëve. Kështu që mendoj se ky veprim i qeverisë siç duket populist, nuk ka bazë, pasi shteti ka prioritete të tjera. Njëherësh ka shumë shtete më të zhvilluara të cilat kanë përvojë me pranimin e refugjatëve, përkatësisht kanë qendra adekuate dhe kuadër të aftësuar për këtë çështje dhe prandaj mendoj se solidariteti duhet treguar para së gjithash nga ata vende dhe pastaj nga ana e shtetit tonë”, shton ai.

Mungesa e informimit rrit frikën në opinion rreth strehimit të afganëve

Nga ana tjetër, duke komentuar reagimin e ashpër të një pjese të opinionit lidhur me pranimin e afganëve, sociologët thonë se kjo ka të bëjë me mungesën e informimit të duhur të një pjese të popullsisë.

Talibanët kanë marrë kontrollin e pothuajse mbarë Afganistanit për pak më shumë se një javë. Kryengritësit nuk kanë hasur në rezistencë teksa kanë hyrë në Kabul. Ata kanë thënë se synojnë të formojnë një qeveri të re. (Përgatiti: Trim Haliti)

Gjorgji Tonovski, profesor i sociologjisë në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahas mungesës së informimit të duhur, që ka nxitur frikë te një pjesë e popullatës, reaksioni negativ ndaj pranimit të shtetasve afganë ka të bëjë me atë se kjo pjesë e shoqërisë është e prirë të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit.

“Gjithashtu ekziston dhe frika se ardhja e tyre në këto hapësira do të mund sillte shtrirjen e frymës islamike fundamentaliste. Prej këtu buron reaksioni negativ për sa i përket civilëve afganë”, thotë Tonovski.

Ndryshe, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s sa i përket kornizës financiare rreth strehimit të civilëve nga Afganistani në afat të caktuar kohor gjersa ata të transferohen në vende të treta.

Talibanët kanë thënë se e kanë nën kontroll Afganistanin, teksa më 15 gusht presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga vendi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit