Ministria e Shëndetësisë e Kosovës i ka reaguar infektologut Ilir Tolaj i cili tha se në Kosovë nuk lejohet që të mirren dy vaksina të ndryshme në dozën e parë dhe të dytë.
MSH në një komunikatë për media ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin se cilën vaksinë do të marrin prej dy llojeve që përdoren në vend, shkruan lajmi.net.
“Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech”, ka thënë MSH.
Tutje, MSH thotë se qytetarët kanë të drejtë edhe të marrin dy doza të ndryshme të vaksinës.
“Gjithashtu, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas”, thotë ministria.
“Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta”, thuhet në reagimin e MSH-së.