1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Zgjedhjet lokale shtyjnë edhe këtë vit regjistrimin e popullsisë në Kosovë

Më të lexuarat

Regjistrimi i popullsisë është shtyrë vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

Ndërsa, këtë vit do të rishtyhet për vitin e ardhshëm, për shkak të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë, ka bërë të ditur, zëvendësi i kryeshefit ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha.

Berisha ka thënë po ashtu se nga katër fazat e përgatitjes së regjistrimit të popullsisë, tashmë janë përfunduar dy prej tyre, dhe risia e kësaj radhe e regjistrimit do të jetë se ai do të bëhet në formë elektronike e jo në letër.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës është duke realizuar të gjitha aktivitetet e planifikuara sipas planit dhe dinamikës së paraparë për vitin 2021. ASK-ja gjatë këtij viti ka prioritet projektin e regjistrimit të popullsisë, të ekonomive shtëpiake dhe të banesave. Aktivitetet përgatitore për projektin e regjistrimit të popullsisë që është planifikuar të mbahet në terren në vitin 2021, kanë filluar që nga viti 2018. Të gjitha janë kryer sipas planit të përgatitur nga ASK-ja. Plani ka katër faza. Faza e parë ka të bëjë me krijimin dhe ngritjen e grupeve dhe hartës rrugore. Faza e dytë me ligjin, metodologjitë, buxhetin, komunikimin, krijimin e hartave dhe pilotimin. Faza e tretë që ka të bëjë me operimin në terren dhe faza përfundimtare që ka të bëjë me publikimin e rezultateve të regjistrimit të popullsisë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, aktualisht dy fazat e para janë kryer, përveç ndonjë nën aktiviteti të fazës së dytë dhe nën aktiviteti të fazës së tretë, që janë në proces të kryerjes.

Tutje, Berisha ka treguar për EO se tashmë janë siguruar ekipet që do të kryejnë regjistrimin e popullsisë, është bërë blerja e pajisjeve dhe është kryer një testim në terren.

“Gjithashtu gjatë kësaj periudhe përgatitore ASK-ja ka kryer aktivitete tjera ku është bërë azhurnimi i qarqeve regjistruese, realizimi i pilot regjistrimit që është bërë në shtator tetor të vitit 2020, raporti final i regjistrimit, krijimi i grupit punues për draftimin e projektligjit për regjistrimin e popullsisë, furnizimi me pajise për pilot regjistrimin, rekrutimi i një pjese të ekipit për mbështetje të regjistrimit, furnizimi me pajisje për stafin e angazhuar për regjistrimin e popullsisë me kontratë dy vjeçare, vizualizimi dhe digjitalizim i hartave në pajisje të tabletave që është bërë në fillim të këtij viti, është bërë testi i parë në terren”, ka shtuar ai.

Sipas Berishës sfidë deri në këtë fazë përgatitore mbetet pandemia e cila ka ndikuar drejtpërdrejtë në shtyrjen e datës së regjistrimit, ndërsa këtë vit pengesë për kryerjen e këtij procesi sipas tij është bërë edhe organizimi i zgjedhjeve lokale.

“Vështirësitë dhe sfidat janë të shumta, por ajo që është e një rëndësie të veçantë e cila ka ndikuar drejtpërdrejtë në shtyrjen e datës së regjistrimit janë dy çështje: Pandemia Covid-19 dhe në të gjitha vendet ku ishte planifikuar që të bëhej regjistrimi sipas rregullave brenda 10 vjetëve në muajin e njëjtë me regjistrimin paraprak nuk e lejoi kushtet pandemia ndërsa në vitin 2020 për shkak të masave të ruajtjes së shëndetit ishin anuluar të gjitha aktivitetet dhe nuk u arrit të mbahet pilot regjistrimi në prill 2020 i cili në mënyrë metodologjike parashihet që të jetë së paku 1 vit para regjistrimit të popullsisë dhe ne të njëjtin pilot e mbajtëm në shtator-tetor me plan që në vitin 2021 shtator-tetor të kemi regjistrimin në terren të popullsisë. Zgjedhjet në tetor të këtij viti kanë ndikuar që ne mos ta realizojmë brenda këtij viti por ta shtyjmë për vitin tjetër duke u pritur të krijohen institucionet komunale të cilat pastaj parashihet të krijohen komisione komunale që do të kenë një rol kyç në një regjistrim të suksesshëm të popullsisë”, ka përfunduar Berisha. /ekonomiaonline

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit