Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadoren e re të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic, të cilës i uroi mirëseardhje dhe e siguroi për bashkëpunim të plotë nga pozitat respektive.
Përmes një njoftimi për media, thuhet se ministri Mehaj i shprehi mirënjohjen ambasadores Benedejcic për kontributin e Sllovenisë, si vend anëtar i NATO-s me trupat ushtarake në kuadër të KFOR-it, si dhe për angazhimin e oficerëve sllovenë në kuadër të NALT-it.
“Gjithashtu, ai e njoftoi edhe me të arriturat e përgjithshme dhe zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe qëllimet strategjike për të ardhmen.
Nga ana e saj, ambasadorja Benedejcic shprehu gatishmërinë e saj për mbështetje në procesin e anëtarësimit në iniciativat dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë dhe ofrimin e përvojës së tyre për proceset integruese në NATO dhe BE”, thuhet në njoftim.
Në fund, të dy u pajtuan që bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve, për veç fushave tjera, të thellohet edhe më tej në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë./Telegrafi/