Nevoja për xhami në bulevardin e ri
Në këto tre dekada të lirisë së ushtrimit të fesë numri i besimtarëve që falin namazin është shtuar, sidomos në kryeqytet, i cili edhe për shkak të lëvizjes urbane është gati trefishuar për nga popullsia që kishte në fillim të viteve 90’. Xhamitë ekzistuese brenda qytetit të Tiranës janë të pakta dhe të vogla, ato nuk përballojnë fluksin e besimtarëve që falen në to ditën e xhuma, aq sa njerëzit janë të detyruar shpesh të falen jashtë në rrugë. Ndërtimi i xhamive të reja brenda qytetit është gati i pamundur, për shkak të vështirësisë për të gjetur tokë dhe çmimit tepër të shtrenjtë me të cilin ato shiten.
Tirana ndërkohë po zgjeron qendrën e saj përmes vazhdimit të bulevardit “Zogu i Parë”, duke nisur që nga ish stacioni i trenit e duke vazhduar deri tek bregu i lumit. Pikërisht në këtë zonë KMSH ka në pronësi të saj, me certifikatë, dy prona me nga 1000 m2, të cilat gjenden në një pozicion shumë të përshtatshëm për ndërtimin e një xhamie, e cila jo vetëm do të mbulojë një pjesë të nevojave të asaj zone dhe të kryeqytetit për xhami, por do të jetë njëkohësisht edhe një vazhdimësi simbolike identitare e kryeqytetit, i cili në gjenezën e tij nisi me një xhami e cila sot nuk ekziston më, por në ish territorin e dikurshëm të saj qëndron tashmë një kullë e stërmadhe.
Duket se historia e trishtuar dhe e turpshme e shitjes së këtij vakëfi, tek sheshi i Sulejman Pashës, po përsëritet në një farë mënyre edhe në bulevardin e ri. Kërkesës për të ndërtuar një xhami në këtë tokë, zyrtarët e KMSH i përgjigjen me faktin se tashmë ai truall i është dhënë me përqindje një firme për ndërtimin e një godine, ku KMSH do të përfitojë një pjesë të ndërtimit, sipas modelit që ndiqet zakonisht sot nga pronarët e tokës. Të etur për para, nisur edhe nga nevojat e ngutshme që ka KMSH në këtë drejtim, drejtuesit aktual të KMSH duket se nuk e kanë parësore xhaminë dhe harrojnë se prona vakëf nuk trajtohet si çdo pronë tjetër. Madje ata as nuk luftojnë për të marrë maksimumin e mundshëm të përfitimit nga vakëfi, siç parashikon legjislacioni islam në këtë drejtim, duke ruajtur tërësinë pronësore të tokës së vakëfit dhe jo duke e tjetërsuar pjesën më të madhe të tij dhe lejuar të kalojë në pronësi të të tjerëve. Madje mësohet se një pjesë e këtij trualli ka vite që i është shitur një ish punonjësi të KMSH, por që si gjithmonë drejtuesit aktual e justifikojnë me faktin se e kanë bërë ata që ishin më parë! Edhe pse ata që janë sot kanë qenë edhe më parë, kur kanë ndodhur të tilla shitje dhe abuzime, që nga koha e atij që këta të sotmit e kanë shpallur kryetar nderi dhe doktor “Honoris Causa”, duke qenë kështu bashkëfajtor me të, për të gjitha ato të këqija që ai dhe të tjerët bashkë me të i kanë bërë KMSH.
Gjithsesi, kemi të bëjmë me dy probleme kryesore: KMSH nuk përpiqet të plotësojë nevojën akute për xhami në kryeqytet edhe aty ku e ka këtë mundësi, dhe e dyta, kjo pronë vakëf jepet me përqindje për ndërtim duke tjetërsuar kështu pronësinë e pjesës më të madhe të tokës, dhe duke mos ndjekur rregullat islame në këtë drejtim, madje as shkollën hanefite, të cilën ata pretendojnë se ndjekin, si medhheb zyrtar të KMSH.
Përgjigja e vetme justifikuese dhe më absurde që dëgjon është se kryesia e KMSH e ka marrë vendimin tashmë dhe kontrata është firmosur! Të pyesësh se a ka pasur ndonjë shqyrtim për nevojën për xhami që ka kryeqyteti, duket se nuk është fare përparësi për ta, përpara mundësisë për të fituar para. Ndërsa nëse pyet për aspektin juridik fetar, që sigurisht është pyetja më normale dhe e drejtë që duhet bërë, por më absurdja dhe më e papërshtatshmja në rastin konkret, sepse kryesia e KMSH që merr edhe vendime fetare, shumica e saj nuk përbëhet nga hoxhallarë, ndërsa edhe ata hoxhallarë që janë aty janë të paaftë dhe duken të painteresuar të diskutojnë tema të tilla, deri diku jo të thjeshta të fikhut islam. Ndërkohë sikur të mos mjaftonte kjo, Këshilli i Teologëve, që duhet të ishte referenca kryesore dhe një nga organet më të rëndësishëm të KMSH, është një organ fantazmë që figuron vetëm në faqen zyrtare të KMSH online, por që ka vite që nuk funksionon. Por gjithsesi kjo është temë më vete, që tregon se KMSH aktuale nuk përmbush as misionin më minimal të saj, për të qenë referencë juridike islame.
Por çfarë mund të bëhet me vakëfin në fjalë te bulevardi i ri?
Së pari duhet thënë se vakëfi konsiderohet si pronë e Allahut dhe ai nuk shitet, nuk dhurohet, nuk tjetërsohet, nuk trashëgohet dhe as nuk lejohet që në një mënyrë apo në një tjetër të humbasë rolin e tij si vakëf. (1) Dijetarët hanefi dhe të tjerë, mbajnë qëndrimin se nëse vakëfi shitet kjo shitje është e pavlefshme (batil). (2) Ndërkohë dhënia me përqindje e tokës për të përfituar një pjesë të godinës (diku tek 40%) dhe duke humbur përgjithmonë pronësinë e plotë mbi tokën është në fakt shitje apo tjetërsim dhe humbje e përfitimit maksimal që mund të nxirret nga vakëfi. Kështu që duke iu referuar dijetarëve muslimanë, mund të themi se nuk është bërë aspak më e mira e mundshme, ndërkohë që dijetarët kanë dhënë opsione të ndryshme kontratash përfitimi dhe investimi në tokën vakëf, por duke mos tjetërsuar asnjëherë pronësinë e plotë vakëf mbi tokën edhe kur mbi të investohet nga dikush tjetër me të cilin ndahet fitimi.
KMSH e ka mundësinë që në bulevardin e ri të Tiranës të ndërtojë një xhami dhe kompleks vakëfi njëkohësisht, që në njërën anë do të përmbushë nevojën e madhe dhe kërkesën e besimtarëve për një vend dinjitoz faljeje dhe gjithashtu do të gjenerojë edhe të ardhura vakëf, për institucionin.
__________________
(1) Shih Muhtesar el-kudurij, fq. 287, El-hidajetu sherh el-bidaje 3/13, Fikhu Es-suneh 4/335.
(2) Shih Hashijetu Ibn Abidin 5/57.
Justinian Topulli