1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kurti takon kryeministrin grek, i kërkon njohjen e Kosovës

Më të lexuarat

“Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngritë raportet me Greqinë, si element i rëndësishëm për stabilitetit afatgjatë rajonal.” Kështu është shprehur  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.

“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti, sipas njoftimit të lëshuar nga qeveria.

Po ashtu, Kurti falenderoi homologun e tij për “mbështetjen dhe për qëndrimin konstruktiv ndaj vendit, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në këta muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.”

Në takim,  thuhet se kreu i qeverisë kërkoi që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën. Gjithashtu ai e informoi homologun e tij grek mbi arritjet e qeverisjes së re në Kosovë në këto 100 ditë të para, përfshirë këtu menaxhimin e mirë të pandemisë.

Në këtë takim, kryeministri Mitsotakis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Dy liderët biseduan edhe për shtimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike Kosovë-Greqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte po merr pjesë në Tryezën e Rrumbullakët  me Qeverinë e Greqisë në Athinë.

Në këtë tryezë, të 25-tën me radhë, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” po marrin pjesë kryeministra e ministra të vendeve të ndryshme, zyrtarë qeveritarë, vendimmarrës, drejtues të korporatave dhe akademikë. /abcnews.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit