Është inauguruar xhamia “Mehmet Akif Ersoy” në Shushicë të Istogut, e cila ishte ndërtuar më 1861, ndërsa ishte djegur më 4 prill 1999 dhe tash është restauruar nga ana Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Pjesë e inaugurimit ishte edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan nëpërmjet video lidhjes, duke e përuruar kështu restaurimin e xhamisë Mehmet Akif Ersoy.
Në ceremoninë e inaugurimit përveç autoriteteve komunale të Istogut kanë marrë pjesë edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, kryetari i kontingjentit të trupave turke në Kosovë si dhe ministra nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari i Istogut, Haki Rugova falënderoi qeverinë turke për bashkëpunimin e deritanishëm që kanë pasur, për ndërtimin e shkollës në fshatin Shushicë si dhe restaurimin e xhamisë “Mehmet Akif Ersoy”, si dhe ofroi bashkëpunim edhe në të ardhmen.
“Ne ju jemi shumë mirënjohës, për investimet të bëra nga ana juaj në komunën tonë, përkatësisht në fshatin Shushicë, e cila është edhe vendlindja e veprimtarit të shquar shqiptar Mehmet Akif Ersoy”, tha ndër të tjera kryetari Rugova.
Ndërsa nga ana tjetër ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan ka falënderuar kryetarin Rugova për mbështetjen e vazhdueshme që ju është ofruar nga ana e tij.
“Falënderojmë kryetarin e komunës së Istogut Haki Rugova për mbështetjen e vazhdueshme që na është dhënë neve si ambasadë dhe si shtet turk, si dhe për gatishmërinë e tij të bashkëpunojë më ne”, është shprehur ambasadorja Ozan.
Mehmet Akif Ersoy ishte veprimtar i shquar shqiptar në Turqi, si dhe tekst-shkruesi i himnit kombëtar turk, i cili vinte nga fshati Shushicë i komunës së Istogut.