Xhamia Ajasofja në Amsterdam të Holandës u vandalizua të dielën në mbrëmje, sipas Federatës së Vizionit Kombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dritaret e xhamisë, e cila është e lidhur me federatën, u thyen me një shishe birre, thuhet në deklaratën e federatës.
Duke theksuar incidentet në rritje të gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve raciste në vend, federata tha se xhamia u sulmua për herë të dytë që nga fundi i vitit të kaluar.
Në dhjetor 2020, një sulmues i maskuar hodhi gurë në dritaret e xhamisë pak pas namazit të akshamit dhe u arratis në errësirën e natës.
Deklarata u bëri thirrje forcave të sigurisë dhe administratës së vendit të kundërshtojnë sulmet e tilla raciste pa diskriminim dhe të marrin masat e nevojshme paraprake.
“Presim që forcat e sigurisë dhe politikanët të marrin masa parandaluese kundër sulmeve të tilla”, tha për AA Gazi Cirik, kryetari i bordit të Fondacionit të Xhamisë Ajasofja.
Duke vënë në dukje se ata ndanë pamjet e sulmit të fundit me policinë, Cirik tha se do të ndihen të sigurt si një komunitet sapo sulmuesi të kapet.
/aa/