2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Uber ndryshon politikë, arrin marrëveshje me një sindikatë

Më të lexuarat

Për herë të parë, kompania e transportimit, Uber, ka njohur një sindikatë çka mund të rrisë përpjekjet e punonjësve për të fituar të drejta më të mira punësimi. Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se një nga sindikatat më të mëdha të Britanisë së Madhe e quajtur GMB tanimë do të mundet të përfaqësojë deri në 70 mijë shoferë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar çka përbën edhe tregun më të rëndësishëm të Uber-it.

“Kjo marrëveshje novatore midis GMB-së dhe Uber-it mund të jetë hapi i parë për një jetë më të drejtë pune për miliona njerëz”, është shprehur zyrtari kombëtar i GMB-së, Mick Rix, në një dalje të përbashkët me Uber-in.

Sipas GMB-së, meqë Uber-i është i vetmi operator i madh privat i taksive që ofron këto mbrojtje, mund t’i japë asaj një avantazh ndaj shërbimeve të tjera të bazuara në aplikacione duke e kthyer në një punëdhënës më tërheqës.

“Përderisa Uber-i dhe GMB-ja mund të mos duken si aleatë të qartë, ne gjithmonë kemi rënë dakord që shoferët duhet të vijnë së pari dhe sot, ne kemi arritur këtë marrëveshje të rëndësishme për të përmirësuar mbrojtjen e punonjësve”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm rajonal i Uber-it për Evropën Veriore dhe Lindore, Jamie Heywood.

Megjithatë, lëvizja e Uber-it vjen pasi në muajin mars, kompania riklasifikoi punonjësit e saj si “punëtorë” sipas ligjit të punësimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo u dha punonjësve mbrojtje më të gjerë dhe gjithashtu të drejtën e marrjes së pagës minimale, kohën e pushimit të paguar dhe pensionin. Riklasifikimi pasoi një vendim të Gjykatës Supreme në Mbretërinë e Bashkuar që drejtuesit e Uber-it duhet të klasifikohen si “punëtorë” dhe jo si kontraktorë të pavarur.

CNN

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit