Kjo botë në të cilën jemi rritur dhe në të cilën jetojmë e ka shpjerë njerëzimin në një periodë hutuese në zhvillimin e saj shoqëror. Bota sot jeton një periudhë të zhvillimit të shpejtuar dhe të revolucionit intelektual. Njeriu është tejet i arsimuar dhe në kufijtë e aftësive të veta mendore hulumton mënyrat e kënaqjes së nevojave të tij jetësore. Si pasojë e progresit industrial dhe shkencor shtohet mjaft paaftësia dhe pafuqia e njeriut para problemeve me të cilët ndeshet. Një pjesë të madhe të obligimeve të tij i tejkalon te makinat dhe aparatet industriale, ashtu që sot jeta e tij është shumë më e lehtë. Mjetet dhe metodat shkencore i mundësojnë hulumtimin e fshehtësive të botës dhe shtojnë mundësitë dhe aktivitetet e tij. Është fare normale që aktiviteti i përhershëm jetësor të rrjedhë me shpejtësi të hatashme, si rezultat i konditave të reja për veprim. Dikur koha llogaritej me ditë dhe natë, ndërsa sot llogaritet me minuta dhe sekonda. Në intervale fare të vogla kohore lindin vepra të mëdha shkencore. Para zbulimit të avullit dhe energjisë elektrike, anijet lundronin me anë të erës, ndërsa sot me anë të instrumenteve dhe makinave të përsosura elektrike dhe me avull, kalohen distanca të mëdha për një kohë relativisht të shkurtër.
Për transportin e mallit njeriu përdor automobilin dhe aeroplanin në vend të shtazëve. Shikimi i njeriut tanimë nuk është orientuar vetëm në Tokë, por i hulumton edhe planetet tjera me qëllim të pushtimit të tyre; ngritët në lartësitë qiellore dhe zhytet në thellësitë detare. Dikur njeriu nuk ka pasur asnjë njohuri lidhur me këtë botë, ndërsa sot ka zbuluar të vërtetat mahnitëse për të. Përmes shkencës dhe hulumtimeve laboratorike ka mënjanuar perden nga fenomenet e jashtëzakonshme dhe qenieve të padukshme në botë. Laboratorët janë pajisur me mjete, instrumente dhe mikroskopi elektronikë më të përsosura, përmes cilëve qeniet e padukshme rriten për mija herë. Shkurt, nuk mund të mbyllen sytë para arritjeve, të cilat bota e sotme perëndimore ia ofron popujve tjerë. Askush nuk mund të mohojë të gjitha mjetet e prodhimit dhe shtimit të burimeve të pasurisë, si dhe të gjitha lehtësimet që janë evidente në shoqërinë moderne perëndimore. Duhet theksuar posaçërisht përparimin në shëndetësi dhe mjekësi. Kjo shkencë i ka hedhur në harresë dobësitë tjera të njerëzimit, kohën kur njeriu nuk ka njohur ilaçe për shumë sëmundje, kur fëmijët i nënshtroheshin sëmundjeve të ndryshme vdekjeprurëse, duke vdekur madje edhe para se të arrinin në këtë botë, kurse të tjerët përjetonin pasoja të rënda. Ne sot nuk mund të harrojmë pasojat e dhembshme nga kaluara. Ndonëse jeta e njeriut në këtë planetë ka ndryshuar, e ne këto ndryshime nuk mund t’i vendosim në një kohë të caktuar, ngase shpejtësia e zbulimeve dhe arritjeve të shkencës dhe arritjeve shkencore. Këtu duhet theksuar faktin që edhe përkundër progresit të madh, zhvillimit mahnitës shkencor dhe mundit të madh të studiueseve të shkencave natyrore, janë lexuar vetem shkronjat e para nga bota e fshehtësive.
Me keqardhje duhet të pranojmë se të gjitha të meta dhe shumë dobësi të shoqërisë bashkëkohore perëndimore, sipas madhësisë dhe rëndësisë, nuk mbesin aspak prapa anëve pozitive të saj. Siç do të duhej të vlerësojme arritjet në shkencë dhe kulturë, të cilat shoqërisë i kanë mundësuar jetë më të lehtë dhe kanë hapur para tyre nje erë të re, gjithashtu, nuk do të duhej mbyllur sytë para mungesës së mirësisë me cilën është e lidhur lumturia e njeriut, as me stagnimin që i ka goditur shoqërinë bashkëkohore si produkt i po kësaj.
Industria dhe teknologjia perëndimore vërtet e kanë arritur kulminacionin, ndërkaq që vlerat morale dhe shpirtërore kanë rënë në nivelin më të ulët, ndërkohë janë zgjeruar dallimet dhe konfliktet. Perëndimi ka braktisur vlerat shpirtërore dhe e ka pranuar robërimin ndaj makinës, ndërsa robi i makinës, pa dyshim, nuk mund të arrijë lumturi të vërtetë dhe rahati. Dituria teknologjike e organizon jetën: ky organizim nënkupton komoditet, por nuk sjell lumturi. Lumturia nuk është prodhim i shkencës, por diç krejt tjetër. Dituria teknologjike nuk njeh të dobishmen dhe të dëmshmen, të mirën dhe të keqen. Ajo mundet vetëm të përcaktojë ç’është e saktë dhe ç’nuk është e saktë. Sikur mënyra e jetës njerëzore do të ishte bazuar në shkencë, jeta do të ishte e padureshme. Madje edhe B. Russel ka thënë: ‘Duhet t’i kundërvihemi kësaj mënyre të jetës.” Progresi teknologjik njerëzimit i ka sjellur shumë dobi, mirëpo ka ngërthyer në vete edhe destrukcione e dhunë, ndërsa zjarri i pasioneve të papërmbajtura ka sulmuar ashpër shpirtin. Me këtë njeriu është privuar nga qetësia shpirtërore dhe siguria. Dituria teknologjike jo vetëm që nuk e ndriçon rrugën e njeriut, por e shtyn atë në errësirë më të thellë.
Arritjet shkencore dhe fitoret, siç janë ato në luftë, lënë pas vete shkatërrime dhe rrënoja, pikëllim të pashuar dhe vuajtje. Pranë çdo lule të çelur në kopshtin e shoqërisë së civilizuar rritet edhe një therë që e lëndon shpirtin e tij. Shoqëria bashkëkohore karakterizohet me të mirat siç janë; automobilat, aeroplani, fabrikat, kirurgjia dhe begatia, ndërsa njëkohësisht, krahas të gjitha krimeve dhe kundërvajtjeve morale, ka prodhuar edhe bombat shkatërruese, gazrat helmuesë dhe vdekjeprurës, aeroplanët luftarakë, raketat shkatërruese dhe rrezatimin vdekjeprurës.
Në botën moderne mendja është në shërbim të interesit, andaj nuk njeh asgjë tjetër pos materialitetit. Prandaj virtyti e ka humbur vendin e vet, ndërsa njerëzit kanë harrur shumë parime morale. Kjo plagë morale e njerëzimit nuk po shërohet. Mjedisi ynë islam, ndonëse nuk është në qendër të luhatjeve shkencore dhe të industrializimit, nuk ka mundur të shpëtojë nga ndikimet perëndimore, në veçanti në fushën e kulturës ku këto ndikime shprehen fuqishëm dhe shpejt. Kufijtë ndërkombëtarë janë krejtësisht të hapur para depërtimit të moralit të huaj dhe ideve të huaja, qofshin ato të mira apo të këqija. Zakonet dhe tradita kalojnë prej një vendi në tjetrin. E keqja dhe prishja përhapen më shpejt dhe depërtojne thellë ngase i përgjigjen synimeve negative të vetë njerëzve. Ndonëse shoqëria jonë nuk mund të matet me arritjet teknologjike dhe shkencore të shoqërisë perëndimore, megjithatë e ka pranuar tërësisht atë mënyrë të destruktivitetit perëndimor dhe devalvimit të vlerave themelore. Dështimi më i madh për një shoqëri është humbja e aftësis për të dalluar të mirën dhe të keqen, të bukurës dhe të shëmtuarën. Një shoqëri e tillë kurrë nuk mund të arrijë lumturi dhe mirëqenie.
Mjerisht, disa janë të kënaqur me pamjen e jashtme të civilizimit perëndimor, duke mos ia vënë veshin rënies morale të tij. Bota bashkëkohore perëndimore demonstron manifestime të jashtme të civilizimit të vet, ashtu që shumëkush është impresionuar me to, kur hasen në një mjedis të tillë, humbin aftësinë e dallimit në mes problemit dhe rrethit të vet. Të gjitha anët negative të asaj shoqërie, ata apriori i arsyetojnë, duke u hutuar nga pamja e jashtme joshëse e perëndimit, ndërsa dallimin që e vërejnë në mes traditës dhe etikës perëndimore dhe ahlakut e traditave të tyre, prodhon tek ata ndjenjën e inferioritetit. Në vend se të gjejnë shkaqet e progresit perëndimor, ata i kthehen mjedisit të tyre me të gjitha veset dhe poshtërsitë perëndimore. Ky vetëmashtrim, është turp i madh, dhe argument më i mirë i humbjes së personalitetit dhe mendimit të pavarur dhe është pasojë e domosdoshme e mosnjohjes së kulturës vetanake, fesë dhe vlerave të tyre, ndërsa krejt kjo lë ndikim negative në vetë besimin e njeriut. Meqë nuk janë në gjendje të analizojnë në mënyrë detaje dhe thelbësore problemet, të dallojnë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, ata që në start mohojnë shumë të vërteta.
Sejjid Muxhteba Musavillari
“Islami dhe civilizimi perëndimor”