-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Si i vodhi 1 milion euro drejtori i bankës nga llogaritë e klientëve

Më të lexuarat

Pas ankesës së një qytetari, banka denoncoi drejtorin Ervin Çokani, i cili në një deklaratë me shkrim pranon se ka vjedhur llogaritë e 15 klientëve, duke përfituar nga detyra që kryente. I dyshuari, sipas prokurorisë ka mbyllur para kohe depozitat me afat të klientëve, ka disbursuar kredi fiktive, si dhe ka debituar llogaritë rrjedhëse dhe depozitat e klientëve
 
 
 
Një ditë pas arrestimit të ish-drejtorit të një banke të nivelit të dytë në Bilisht, zbardhet skema që përdorte drejtuesi i kësaj banke për të vjedhur 1 milion euro nga llogaritë e qytetarëve dhe bizneseve të zonës. Ishte denoncimi i një qytetari, klient i bankës, ai që vuri në lëvizje hetimin e brendshëm, i cili më pas denoncoi në prokurori veprimet abuzive të drejtorit Ervin Çokani.
 
I pyetur nga autoritetet e bankës, drejtori ka pranuar vjedhjen e të paktën 15 klientëve, nga të cilat dyshohet se ka përvetësuar shumën e 945 mijë eurove. Hetimet për këtë çështje nisën në shkurt të këtij viti, kur Prokuroria e Korçës regjistroi procedimin penal për akuzat e “vjedhjes së bankës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” ndaj 39-vjeçarit Ervin Çekani.
 
I dyshuari ka mbajtur detyrën e drejtorit për një periudhë 10-vjeçare në filialin e një banke të nivelit të dytë në qytetin e Bilishtit. Fillimisht ishte klienti i kësaj banke, shtetasi S.D, i cili më datë 2 shkurt 2015 u paraqit pranë filialit të bankës për të kërkuar ekzistencën e depozitave bankare, të cilat ishin çelur prej tij. Nga personeli i bankës është konstatuar fakti se librezat e kursimit të paraqitura nga ky klient përmbanin shuma parash, depozita me afat, të cilat nuk rezultonin në sistemin kompjuterik të bankës.
 
Pretendimi i klientit është dokumentuar edhe në deklaratën e plotësuar prej tij në datë 02.02.2015, ku ka pasqyruar numrin e depozitave dhe shumat e pretenduara prej tij pranë bankës. “Nga ana e punonjësve të bankës është marrë kontakt me të dyshuarin Ervin Çokani, i cili para autoriteteve të bankës ka pranuar përvetësimin e shumës së depozituar nga S.D, si dhe shuma të tjera të konsiderueshme nga klientë të tjerë.
 
Në lidhje me këto fakte, shtetasi Ervin Çokani ka përpiluar deklaratën e datës 04.02.2015, në të cilën ka deklaruar se përveç shumave të depozituara nga shtetasi S.D, ka përvetësuar edhe nga 9 klientë të tjerë shumat e depozituara në bankë”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas hetimit rezulton se i dyshuari Ervin Çokani, gjatë punës së tij si drejtor i degës së një banke të nivelit të dytë në Bilisht i ka shkaktuar bankës një dëm që paraprakisht llogaritet në vlerën e 774 325 eurove nëpërmjet përvetësimit të mjeteve monetare të klientëve.
 
“Ky përvetësim shumash është kryer nëpërmjet veprimeve të paautorizuara të mbylljes së parakohshme të depozitave me afat të klientëve, disbursimit të kredive fiktive të pengëzuara me depozita me afat, disbursimit të të paktën një kredie konsumatore fiktive, si dhe nëpërmjet debitimit të llogarive rrjedhëse dhe depozitave elastike të klientëve. Shuma totale e veprimeve të paautorizuara debitore e përfshirë në këtë skemë mashtrimi është 945 583 euro, nga të cilat 160 mijë e 196 euro janë ricikluar brenda skemës nga i dyshuari Ervin Çokani për të mbuluar gjurmët”, thotë prokuroria.
 
Ky aktivitet i jashtëligjshëm, sipas hetimit ka nisur më 16 janar të vitit 2008 dhe ka vazhduar deri më 29 dhjetor 2014. Gjatë kësaj kohe Ervin Çokani ka ngritur dhe ushtruar një skemë mbivendosjeje borxhi, e cila përfshin: mbyllje para afatit të depozitave me afat, disbursim të kredive fiktive me peng mbi depozitë me afat, disbursimin e të paktën një kredie konsumatore fiktive, si dhe prekje të vazhdueshme të llogarive të klientëve.
 
I dyshuari ka mbyllur para afatit 24 depozita, të cilat u përkasin 15 klientëve, me vlerë totale prej 596 mijë e 384 eurosh. 12 veprime me vlerë gjithsej 323 mijë e 839 euro janë kryer nga Ervin Çokani personalisht gjatë periudhës janar 2008 – janar 2010 dhe 12 veprime me vlerë gjithsej 272 mijë e 545 euro, janë kryer nga specialistët e tjerë të degës.
 
“Balancat e krijuara në llogaritë e klientëve nëpërmjet derdhjeve ‘cash’ apo transfertave në mbërritje nga jashtë nuk janë investuar në depozita me afat, siç klientët besonin. Nga kjo skemë janë prekur 6 klientë, në vlerë gjithsej 174 mijë e 832 euro. Në 3 raste të tjera fondet nuk janë depozituar në arkë, por i janë dorëzuar Ervin Çokanit në një vlerë 38 mijë e 209 euro”, thotë prokuroria.
 
Pas llogarive të kryera duke zbardhur skemën e mashtrimit dhe përvetësimit të parave të klientëve dhe disa kompanive private, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Korçës arrestimin e të dyshuarit për dy akuza. Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 39-vjeçarit, i cili ka pranuar vjedhjen e llogarive të klientëve në bankën ku punoi si drejtor për të paktën 10 vite.
Leonard Bakillari/Mapo
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit