3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

A lejohet agjërimi i Shevalit pa i plotësuar ditët e Ramazanit?

Më të lexuarat

Selam Alejkum, të nderuar! Kisha një pyetje lidhje me agjërimin e muajit Sheval. A lejohet t’i agjërosh 6 ditët e muajit Sheval në qoftë se akoma ke borxh për te agjëruar nga Ramazani?

***

PËRGJIGJJA:

Esselamu alejkum.
Së pari, më duhet të theksoj se përparësi duhet t’i jepet agjërimit të ditëve të mbetura nga Ramazani, ngase këto ditë janë farz, dhe e ke obligim t’i plotësosh. Për atë, nëse të kanë ngelur pak ditë, ashtu që muaji Sheval nuk kalon para se t’i plotësosh ditët e ngelura të Ramazanit, dhe këto gjashtë ditë, duhet të fillosh me agjërimin e ditëve të ngelura, e pastaj vazhdon me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval.

Por, nëse ditët e ngelura e përfshijnë pjesën më të madhe të muajit, ashtu që nëse i agjëron ditët e ngelura të Ramazanit, nuk mund t’i plotësosh këto gjashtë ditë të Shevalit, atëherë lejohet që t’i agjërosh gjashtë ditët e muajit Sheval, para se t’i agjërosh ditët e ngelura nga Ramazani. Ky është qëndrimi i pjesës dërmuese të dijetarëve të medhhebit Hanefi, Shafi dhe Malikij. Sipas shkollës juridike shafi’ite dhe malikite, kjo lejohet me kerahet, ndërkaq sipas Hanefitëve, nuk ka kerahet, por lejohet pa kerahet.

Këta dijetarë, këtë konstatim e kanë bazuar në atë se kompenzimi i ditëve të ngelura, është obligim, por jo menjëherë, gjegjësisht, mund të plotësohet edhe pas një kohe.

Mirëpo, ka edhe një qëndrim tjetër të disa dijetarëve, në mesin e të cilëve edhe të medhhebit Hanbeli dhe disa dijetarëve të kohës sonë, si: Ibn Baz, pastaj Ibn Uthejmin, Allahu i mëshiroftë, e disa tjerë, sipas tyre nuk lejohet të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit para se të plotësohen ditët e ngelura të Ramazanit. Kjo, ngase në hadith qëndron: ”Kush e agjëron Ramazanin, pastaj e pason me gjashtë ditë të Shevalit, konsiderohet sikur e ka agjëruar gjithë vitin”. Hadithin e ka shënuar Muslimi.

Ata e interpretojnë hadithin me atë se ai që ka për të agjëruar ditë të ngelura nga Ramazani, nuk e ka agjëruar Ramazanin e plotë, por ka agjëruar disa ditë nga Ramazani, e hadithi ka për qëllim agjërimin e Ramazanit të plotë, gjegjësisht në hadith thuhet: ”men same remadane” (Kush e agjëron Ramazanin), ndërkaq personi në fjalë nuk e ka agjëruar ende, ngase i kanë ngelur ditë të caktuara pa agjëruar nga Ramazani, për atë edhe nuk mund t’i agjërojë këto gjashtë ditë, para se ta agjërojë Ramazanin, sepse vlerën nuk e arrin, konform të kuptuarit të tyre të këtij hadithi.

Normalisht, pala e parë ka sqarim tjetër për hadithin dhe dallon nga ky interpretim.

Për atë, në fund, themi se nëse ke pak ditë të ngelura nga Ramazani, fillon me ato, e pastaj me gjashtë ditët. Por, nëse ditët e ngelura janë shumë, sa që nuk ke mundësi t’i agjërosh gjashtë ditët e Shevalit në këtë muaj, atëherë unë të përgjigjem me qëndrimin e pjesës dërmuese të dijetarëve që i përmendëm edhe më lartë se lejohet të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit para agjërimit të ditëve të ngelura nga Ramazani, ngase agjërimi i ditëve të ngelura e ka kohën më fleksibël, ndërkaq këto ditët janë të lidhura për muajin Sheval.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit