Kosova vazhdon t’i kërkojë ende të zhdukurit e luftës tash e 16 vjet.Në kujtim të atyre që më nuk jetojnë, ka nisur sot `Java për personat e pagjetur`.
Ajo nisi sot nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ky i fundit tha se Serbia po mundohet t’i fshehë krimet.
Protagonistët qe merren me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, thonë se Serbia po vendosë pengesa në procesin e identifikimit te të zhdukurve. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se shteti i Kosovës është në dijeni që fshehtësia e krimeve masive nga ana e serbëve ka qenë një operacion i organizuar me struktura shtetërore. Andaj, siç tha ai, është e qartë se këto struktura kanë informacione të sakta se çfarë ka ndodhë me viktimat.
“Qeveri të ndryshme të Serbisë kanë vendosur pengesa në procesin e gjetjes dhe identifikimit te të zhdukurve. Mungesa e vullnetit të duhur për të ndihmuar këtë proces, flet që këto qeveri vazhdojnë të mos distancohen nga qëllimi i fshehjes së krimit për të cilin u zhdukën edhe mijëra qytetarë të Kosovës. Me zvarritjet e qëllimshme në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, qeveria serbe siç duket synon të arrijë efektin e zbehjes së krimit të dyfishtë që u bë mbi njerëzit tanë. Por, kjo nuk mund të ndodhë kurrë sepse drejtësia një ditë do të jep verdiktin e saj….. Qeveria e Serbisë duhet ta ketë të qartë që aspiratat për të qenë pjesë e vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe mbajtja e fshehur e viktimave të krimit kundër njerëzimit nuk shkojnë bashkë”, tha ai.
Përfaqësuesi i familjareve të të pagjeturve, Bajram Qerkini tha se faktori ndërkombëtar duhet të bëj trysni mbi Serbinë, pasi që ajo e din qind për qind se ku janë të zhdukurit.
“E dimë çfarë problemeve shtetërore, kufitare e s’di çka, me u nda me një vëlla të keq është vështirë e lerë më me një komshi të keq siç e kemi na. Por, kuptona edhe ju neve, sa as nuk kemi motra, as nuk kemi vëlla, as nuk kemi babë, as nuk kemi nënë, as nuk kemi Shëngjergj, as nuk kemi Bajram, nuk kemi festë e që nuk na derdhën lotët. Dhe, për hatër të atyre lotëve, për hatër të asaj dhimbje, për hatër të atyre nënave, për hatër të kësaj toke, për hatër ta karriqave që ju sot i gëzoni, ju kisha lutë të mblidhni forcë dhe të thoni në atë vendin ku duhet, nivelet më të lartë për ta pagjeturit”, tha ai.
Për të hapur “Javën për personat e pagjetur”, e pranishme ishte edhe ambasadorja zvicerane në Kosovë, Kristina Marty Lang. Ajo tha se dhënia dhe shkëmbimi i informatave është hap i domosdoshëm në identifikimin e numrit të mbetur të personave të zhdukur. Nga sot e deri më datë 27 të këtij muaji, do të zgjasë “Java për personat e pagjetur”. E më 27 pritet të mbahet një seancë parlamentare kushtuar të pagjeturve, ku edhe do të shënohet “Dita e të Pagjeturve të Kosovës”./rtk