Senatori Bernie Sanders ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara duhet të flasin hapur kundër dhunës së ekstremistëve izraelitë të lidhur me qeverinë në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.
Përmes një postimi në Facebook, ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë të qartë se dëbimi i familjeve palestineze nuk duhet të shkojë përpara.
Në një postim tjetër, ai shkroi se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe përfundim të aktivitetit ilegal dhe provokues të ndërtimit të vendbanimeve.
“Edhe një herë tjetër, po shohim se si veprimet e papërgjegjshme të ekstremistëve të krahut të djathtë, të lidhur me qeverinë (izraelite) në Jerusalem mund të eskalojnë shpejt në luftë shkatërruese”, shkroi Sanders.
Ndryshe, senatori Sanders është rritur në një familje hebreje të klasës punëtore. Ai më parë ka deklaruar se është krenar që është hebre, por se nuk është i angazhuar aktivisht në religjion të organizuar.