U hap të shtunën, në Natën e Madhe të Kadrit, për të qenë në dispozicion të besimtarëve të enjten, në Ditën e Bajramit.
Qendra Islame Shqiptare “Tulipan”, do t’i shërbejë shqiptarëve të Zvicrës. Këta të fundit kontribuuan me rreth 4 milionë euro për ndërtimin e saj, por edhe duke punuar vullnetarisht, rreth 13 mijë e 500 orë.
Në këtë objekt në qytetin Reinach, në kantonin Argau, xhamisë i është shtuar edhe nga një çerdhe për fëmijë, bibliotekë, qendër kulturore, restaurant, zyra dhe parking nëntokësor.
“I përfshin të gjitha kërkesat dhe atributet e një shoqate në mërgim, duke nisur nga më të shtrenjtit tonë, fëmijët parashkollorë, e deri te mosha jonë më e pjekur, pleqtë”, shpjegon Azir Jusufi, kryetar i qendrës.
Jusufi shton se këtu do të tentohet ruajtja e identitetit të shqiptarëve në Zvicër.
“Aktivitetet e saj përfshihen në ruajtjen e dinjitetit kombëtar dhe fetar, ruajtjen nga asimilimi, po ashtu, përgatitjen e gjeneratave të reja në aspektin edukativ dhe arsimor”, tregon ai.
Tulipani është xhamia e vetme shqiptare në rrethinë, ndërsa imam do të jetë Halil Ademi. Bashkësia Islame Shqiptare do të jetë pronare dhe mbikëqyrëse e qendrës.