4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Maqedoni e V.: Mbi 50 për qind e drejtorëve, pa përvojë pune

Më të lexuarat

Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti Societas Civilis për Demokrati, del se 55 për qind e drejtorëve në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut nga 116 gjithsej, janë pa asnjë ditë përvojë pune ose posedojnë përvojë minimale për të udhëhequr drejtoritë ku janë emëruar.

Ky institut ka thënë se këta drejtorë janë emëruar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut të mbajtura më 2020.

Misha Popoviq, drejtues i hulumtimit “Kush menaxhon atje” që e ka kryer Instituti Societas Civilis për Demokraci, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet e këtij hulumtimi tregojë se sa pak investohet në profesionalizmin e drejtuesve të institucioneve pubike, ndërkaq, sipas tij, çelësi i emërimit të drejtorëve mbetet afërsia e tyre me partitë që fitojnë zgjedhjet.

Popoviq thotë se në këtë hulumtim janë monitoruar 116 emërime të drejtuesve të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe sipas tij, gjysma e tyre janë emëruar ushtrues detyre, pasi nuk kanën arritur që të përmbushin kriteret e përcaktuara me ligj. Sipas tij, kur një institucion drejtohet nga një ushtrues detyre, pas disa muajsh hapet konkursi, por askush nuk aplikon, pasi sipas Popoviqit, në njëfarë forme dihet se kush do të zgjidhet në atë post.

“Institucionet e udhëhequra nga njerëz që nuk kanë përvojë, pësojnë, apo do të thosha dëmtohen në dy drejtime. E para sepse institucionet drejtohen nga njerëz me kapacitet nën atë që është optimalja dhe e dyta sepse drejtohen nga njerëz të cilët u referohen interesave të partisë që i ka deleguar dhe jo interesave të qytetarëve”, thotë Popoviq.

Pavarësisht se që një vit e gjysmë, qeveria maqedonase ka paralajmëruar Ligjin për shërbimin e lartë udhëheqës, ai ende nuk ka arritur të miratohet në kuvend. Ky ligj do të mundësonte që sekretarët dhe drejtorët e institucioneve shtetërore të mund të zgjidhen në bazë të meritave dhe aftësive profesionale dhe jo për shkak të afërsisë së tyre me parti të caktuara politike.

Në këtë drejtim, Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare Scoop, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj duhet të miratohet sa më shpejt, pasi ai kërkon që kandidatët që konkurrojnë për drejtues të institucioneve, të verifikohen në dy komisione, të përbëra nga ekspertë të pavarur.

“Pra, në këtë formë reforma në administratë do të fillonte nga pozicioni i drejtorit, që është në krye të institucionit, dhe më pas do të zbriste në të gjitha nivelet. Çuditërisht, ky ligj ende mbetet në sirtar, kështu që kemi një lloj stagnimi praktik të reformave në administratë, e të cilat paralajmërohen ose propagandohen nga ana e kësaj qeverie”, thotë Neziri.

Klientelizmi në institucione është apostrofuar si vërejtje serioze në vazhdimësi në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, sa i përket përmbushjes së kritereve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

[email protected] (Zërijeta Hajro Jajaga)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit