Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, kanë vazhduar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, të rifilluara më 5 maj.
Gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës masive gjatë vitit 1999 dhe vitet e para të pasluftës.
“Gërmimet do të vazhdojnë në këtë lokacion edhe javët në vijim, deri në vlerësimin e plotë të tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe zhvarrosjes së të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë në këtë lokacion.
Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe institucioneve të Serbisë”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit të shtunën, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.
“Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të këtij procesi, në veçanti pas konfirmimit edhe përmes analizës së ADN-së se mbetjet mortore të zhvarrosura në fund të vitit të kaluar iu përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/