2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kush janë të privuarit në Ramazan?!

Më të lexuarat



Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Dëshmojmë se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut. Ai është i Vetëm dhe nuk ka shok. Dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Grupet e njerëzve në Ramazan

Nëse meditojmë për gjendjen e njerëzve në Ramazan, do të vërejmë se kemi tre grupe njerëzish:

1- Një grup janë të parët në mirësi. Ata e agjëruan Ramazanin me besim dhe shpresuan në shpërblimin e Allahut. Barqet e tyre agjëruan nga ushqimi, zemrat e tyre nga epshet, kurse gjymtyrët e tyre nga mëkatet dhe gabimet… Dita e tyre është në përkujtim të Allahut, kurse netët e tyre në adhurim dhe falje të namazit. Ata i kuptuan obligimet dhe i zbatuan ato, i kuptuan sunetet dhe i pasuan dhe i kuptuan mëkatet dhe u larguan prej tyre…

2- Grupi i dytë nuk kanë bërë në Ramazan diçka që e pakëson agjërimin e tyre, madje ata i zbatuan obligimet dhe agjëruan ashtu siç dëshiron dhe kënaqet Allahu, mirëpo ata nuk kanë arritur nivelin e përpjekjes në sunetet dhe në shfrytëzimin e mirësive dhe dobive të tyre. Prandaj fitimi i tyre është sipas shkallës së ambicieve të tyre.

3- Ky grup njerëzish janë të privuar. Nuk e kuptuan vlerën e Ramazanit. Nuk e madhëruan në zemrat e tyre vlerën e tij. Këtë muaj e agjëruan vetëm si traditë e jo si adhurim. Agjërimi i tyre nuk i largoi nga mëkatet. Qëllimi i tyre ishte vetëm të ndalojnë ngrënien e ushqimit. Të tillët janë të privuar nga vlera e këtij muaji dhe ata janë mashtruar në mirësitë e tij. Atëherë cilat janë cilësitë e tyre?

Injorojnë vlerën e Ramazanit

Sikur të dinin dhe të kishin bindje, ambiciet e tyre do të ishin të larta në përfitimin nga vlerat e tij. Zemrat e tyre do të dëshiron ta arrinin këtë mirësi. Do të kuptonin se Ramazani është muaji i fitimeve të mëdha, sezoni i mëshirës, në arritjen e hises së tij nga kjo mëshirë besimtari i mençur nuk duhet të tregohet neglizhues.

Ramazani është muaji i lirimit nga zjarri. Allahu liron njerëzit nga zjarri çdo natë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Në natën e parë të Ramazanit djajtë dhe xhinët e pabindur janë të lidhur me zinxhirë. Dyert e xhehenemit janë të mbyllura gjersa asnjë derë e vetme nuk është e hapur. Dyert e xhenetit janë të hapura gjersa asnjë derë e vetme nuk mbetet e mbyllur. Pastaj thërret një thirrës: “O ti kërkues i së mirës, përgatitu! O ti kërkues i së keqes, ndalohu prej saj! Allahu liron njerëzit nga xhehenemi e kjo çdo natë (të këtij muaji).” Shënon Tirmidhiu. Shih: Sahihul Xhami’ nr: 759.
Gjithashtu i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Allahu në çdo natë liron njerëzit nga zjarri i xhehenemit.” Shënon Ahmedi. Shih: Sahihul Xhami’ nr: 3882.

Ramazani është muaji i faljes për atë që agjëron me besim në Allahun si dhe duke shpresuar shpërblimin tek Ai. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin tek Allahu, atij i falen mëkatet e mëparshme.” Shënon Buhariu.
Ramazani është muaji në të cilin ngrihen shkallët, për shkak se nuk e di shpërblimin e tij vetëm Allahu i Lartësuar. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo punë e birit të Ademit i përket atij përveç agjërimit, ai është i Imi dhe Unë për të shpërblej…” Shënon Buhariu.
Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Domethënia e kësaj qëndron në atë se sasia e shpërblimit të veprave është e njohur për njerëzit, respektivisht ato shumëfishohen prej dhjetë e deri në shtatëqind fish, përveç agjërimit. Për të Allahu shpërblen pa kufi.”

Në Ramazan është një natë e cila është më e vlefshme se një mijë net. Kush bën adhurim në të për hir të Allahut, atij i falen mëkatet e kaluara, ashtu siç është transmetuar nga i Dërguari, në hadithin të cilin e shënon Buhariu. Vlerat e agjërimit janë shumë më të mëdha sesa mund të shtjellohen në këtë shkrim. Sikur t’i lexonte dhe kuptonte ato muslimani, do të vërente se i privuari i vërtetë është ai i cili është i privuar nga ambiciet të cilat e ushtrojnë atë për agjërim të pranuar, përmes të cilit arrin ato vlera madhështore.

Ubadete b. Samiti, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, ka thënë: “Ju erdhi juve Ramazani, muaji i begatisë, në të Allahu ju mbulon, e zbret mëshirën dhe i shlyen mëkatet. Allahu shikon në garimin tuaj (për vepra të mira) në këtë muaj. Ai para melekëve të Vet krenohet me ju. Vërtet i dëshpëruar është ai që u privua në të nga mëshira e Allahut.” Shënon Taberani në “El Kebir.”

Ramazani është muaji i shumëfishimit të shpërblimit

Puna në këtë muaj është e begatshme. Allahu robit ia shumëfishon begatitë. Në lidhje me këtë, umreja në Ramazan i ngjan haxhit me të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ashtu siç ka thënë i Dërguari: “Një umre në Ramazan e ka shpërblimin e një haxhi apo një haxhi me mua.” Shënon Muslimi.
Ibn Rexhebi thotë: “Ebu Bekr b. Ebu Merjem ka përmendur nga mësuesit e tij se ata thoshin: “Kur të vijë muaji i Ramazanit, shpenzoni në të, ngase shpenzimi në të është i shumëfishuar sikur shpenzimi në rrugën e Allahut, ndërsa një tesbih (thënia ‘Subhanallah’) në Ramazan është më e vlefshme se një mijë të tjera jashtë Ramazanit.

Ramazani është muaji i fitimeve dhe i stinëve të mirësive. Kurse fitimi më i shtrenjtë dhe stina më e çmueshme është Nata e Kadrit, të cilën Allahu e veçoi duke e përmendur me një sure madhështore, në të cilën sqarohet vlera e saj: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 1-5)

Kush e ngjall atë me adhurim, i falen mëkatet e mëparshme. Atë natë zbresin engjëjt, saqë numri i tyre atë natë është më i madh sesa numri i guralecëve në tokë.

Stomaku i tyre agjëron, por gjymtyrët e tyre nuk agjërojnë

Kjo është karakteristikë e çdo të privuari në Ramazan. E sheh të përmbajtur, por vetëm nga uria. Agjërimi nuk e ndaloi nga fjalët e liga, përgojimi i ndaluar, e ndoshta edhe sharjet dhe fyerjet. Agjërimi i tij nuk e ndaloi nga zilia e as nga mendimi i keq, mllefi, urrejtja. Agjërimi i tij nuk e pengoi nga shikimi në gjëra të ndaluara, nuk e pengoi nga humbja e kohës para filmave dhe serialeve të ndryshme. Nuk e ndaloi nga vjedhja e as nga mashtrimi e tradhtia. Tërë synimi i agjërimit të tij është përmbajtja nga ushqimi! Kurse i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, krahas agjërimit të barkut sqaron edhe obligimet e gjymtyrëve gjatë agjërimit. Ai thotë: “Kush nuk i lë gënjeshtrat dhe nuk pushon së vepruari me to, Allahu nuk ka nevojë që ai ta lërë ushqimin dhe pijet e tij.” Shënon Buhariu.
Kurse Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur të agjërosh, le të agjërojë të dëgjuarit tënd, të shikuarit tënd, gjuha jote nga gënjeshtra dhe nga të ndaluarat, lëre shqetësimin e komshiut tënd, bëhu i qetë dhe i përmbajtur. Të mos jetë i njëjtë agjërimi me mosagjërimin tënd.”
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi, ka thënë: “Sa janë ata që agjërojnë e nga agjërimi i tyre nuk kanë asgjë pos urisë dhe etjes. Sa janë ata që falen, e nga falja e tyre nuk kanë asgjë pos pagjumësisë.”

Vëlla i nderuar, mos i privo vetes tënde vlerën dhe shpërblimin e agjërimit. Pasi e kuptove se shpërblimi i tij tek Allahu është pa kufi, mos i humb mirësitë e tij me një përgojim me gjuhë apo me një shikim (të ndaluar) përmes syve apo vetive të tjera etike që e prishin agjërimin.
Sikur të kthehesh te hadithi dhe ta përsëritësh shprehjen: “E lë kënaqësinë dhe ushqimin e tij për Mua.” Kënaqësitë dhe epshet lihen për hir të Allahut të Lartësuar. A nuk i bëjmë veprimet tona obligative dhe ato të preferuara për hir të Allahut të Lartësuar dhe nuk i lëmë të gjitha të ndaluarat dhe ato veprime të urryera për hir të Allahut? Gjithsesi ky është një synim madhor i zemrave tona të pastra. Në zemra të tilla djalli orvatet të futet dhe ta prishë sinqeritetin dhe së bashku me të (sinqeritetin) të bashkojë synimet e prishura, si syefaqësinë e të ngjashme me të, apo dëshirën e tij për interesa materiale të kësaj bote e të ngjashme më këto që e prishin sinqeritetin, kështu që njeriu del nga shpërblimi në mëkat, Allahu na ruajttë! (Disa ndalesa me agjëruesit, f. 37).

Raporti i tyre me Kuranin në Ramazan

Ramazani është muaji i Kuranit. Në këtë muaj Kurani i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Në të Xhibrili ia lexonte të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofte mbi të. S’ka dyshim se të privuarit nga shpërblimi i Ramazanit nuk kanë raport me Kuranin. As nuk e lexojnë atë e as nuk e dëgjojnë. Nuk janë të pranishëm në hallkat e leximit të tij, madje veshët e tyre dëgjojnë muzikë apo dëgjojnë fjalë të këqija e përgojime.
Ai që është në këtë gjendje pa dyshim se është i privuar nga begatia e Kuranit në Ramazan. Allahu e ka lartësuar dhe nderuar Ramazanin me Kuran. Ai thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani.” (Bekare, 185). I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, e takonte Xhibrilin për çdo natë derisa të kalonte muaji, I Dërguari i paraqiste Xhibrilit Kuranin.

Zuhriu, Allahu e mëshiroftë, kur vinte Ramazani thoshte: “Ai (Ramazani) është për lexim të Kuranit si dhe për ushqimin e të varfërve.” Ndërsa Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, kur vinte Ramazani, largohej nga leximi i librave të hadithit si dhe shoqërimi i dijetarëve, i drejtohej leximit të Kuranit. Kurse Sufjan Eth Thevrij, Allahu e mëshiroftë, kur vinte Ramazani largohej nga çdo lloj ibadeti (adhurimi) dhe i drejtohej leximit të Kuranit. Disa prej të parëve tanë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e përfundonin Kuranin në Ramazan për tri ditë, disa prej tyre çdo javë, e kishte prej tyre që e përfundonin atë çdo dhjetë ditë.

Vëlla, mos u bë i privuar nga shpërblimi i Kuranit në Ramazan, për faktin se ai është litar i fortë i Allahut. Kurani i ngre disa popuj, ndërsa disa të tjerë i ul. Kurani është ndërmjetës për lexuesin e tij Ditën e Kiametit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin Ditën e Kiametit. Agjërimi do të thotë: “O Zot, unë e kam penguar atë nga ushqimi dhe epshet (kënaqësitë) gjatë ditës, më bëj ndërmjetës për të. Kurse Kurani do të thotë: “O Zot, unë e kam penguar atë nga gjumi natën, prandaj më bëj ndërmjetës për të. Dhe do të ndërmjetësojnë.” Shënon Ahmedi. Shih: Sahihul Xhami’ nr: 3882.

Raporti i tyre me namazin në Ramazan

Ata e kryejnë namazin, por me dembelizëm. Nga disa namaze ata flenë, kurse nga disa të tjera vonohen si dhe nuk shkojnë në namazin me xhemat për shkak të qëndrimit pa gjumë gjatë natës si dhe për shkak të gjumit të tepërt gjatë ditës.
Vëlla i nderuar, dije se namazi konsiderohet shtylla e fesë. Nëse pranohet, do të të pranohen të gjitha veprat e tjera, ndërsa nëse nuk pranohet namazi, nuk do të të pranohen as veprat e tjera. Kush e lë namazin, ka bërë kufër, privohet nga shpërblimi i agjërimit, ngase pranimi i agjërimit qëndron peng me pranimin e namazit. S’ka dyshim se nga gjërat kundërthënëse është fakti që muslimani të përkujdeset për agjërimin me një përkujdesje të veçantë, ndërsa në anën tjetër nuk e praktikon namazin, duke pasur parasysh se namazi është obligim më i fuqishëm sesa agjërimi.

Gjendja e tyre gjatë netëve të Ramazanit

Prej cilësive të të privuarve në Ramazan është se ata netët e tyre i kalojnë ose në ndenjja e tubime të kota ose në përgojim apo para kanaleve satelitore, filmave e serialeve. Shumicën e natës e kalojnë në lojë e dëfrime, duke harruar se po u kalon shpërblimi i faljes së namazit të natës si dhe i adhurimeve për Allahun në netët e këtij muaji të bekuar.
Vëlla i nderuar, dëgjo të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili thotë: “Kush falet gjatë Ramazanit me plot besim dhe shpreson shpërblimin nga Allahu, do t’i falen mëkatet e mëhershme.” Shënon Buhariu.

Xhamitë buçasin nga lexuesit e Kuranit duke iu përgjigjur udhëzimit të të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem. Në të janë mbledhur muslimanët, të pasurit dhe të varfrit, ai që ka pozitë të lartë dhe ai i thjeshti, të gjithë i luten Allahut duke shpresuar mëshirën e Tij si dhe duke pasur frikën nga dënimi i Tij. Prej tyre ka që janë të përkushtuar, që qajnë, që ndiejnë keqardhje në zemrën e tyre për atë pjesë të jetës që u ka kaluar në mëkate, kurse të gjithë ata janë nën mëshirën e Allahut si dhe nën kujdesin e Tij. “Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.” (Tevbe, 120)

Ku janë ata që e kalojnë natën duke shikuar filma të ndryshëm? Sa dallim i madh në mes tyre dhe mes atyre që e kalojnë natën në shtëpinë e Allahut duke kërkuar prej Tij faljen e mëkateve dhe arritjen e mëshirës së Tij..
Vëlla, a thua çfarë shpreson të fitosh nga pagjumësia jote përveç keqardhjes dhe mëkateve, humbjes së mirësive të shumta? A nuk e di se në Ramazan ndodhet një natë e cila është më e vlefshme se një mijë muaj, a nuk e di madhështinë e Natës së Kadrit?

A nuk e di se i privuari në mesin e njerëzve është ai që është privuar nga mirësitë e kësaj nate? I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bekuar, Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen me pranga shejtanët. Në këtë muaj është një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga të mirat e saja, ai është i privuar.” Shënon Nesaiu.
Çohu nga gjumi i pakujdesisë dhe nis të kërkosh vlerën e kësaj nate. Mos u bëj prej të privuarve. Kjo natë pa dyshim se është prej netëve të begatshme. Në të ka zbritur Kurani. Në këtë natë hapen dyert e faljes. Kab el Ahbar ka thënë: “Këtë natë e gjejmë si vija që shlyejnë mëkatet”. Katade thotë: “Kjo natë është e tëra mirësi deri në agim”. Ndërsa Xheriri thotë: “Paqe e Natës së Kadrit nga të gjitha të këqijat që nga fillimi i saj e deri në agim.”

Vëlla i nderuar, medito për fjalën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Ky muaj ju erdhi juve, në të është një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga ajo, ai është i privuar nga të gjitha mirësitë. E nuk privohet nga mirësitë e saj përveç privuesit.” Shënon Ibn Maxhe. Shih: Et Tergib nr: 990.
Në këtë natë janë të pranishëm edhe engjëjt, siç thotë edhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Nata e Kadrit është nata e njëzet e shtatë apo e njëzet e nënta. Numri i engjëjve në këtë natë është më i madh sesa numri i guralecëve në tokë.” Shënon Ahmedi. Shih: Sahih El Xhami’, nr: 534.

Ibn Xheriri thotë: “Disa kanë thënë se kuptimi i fjalës së Allahut: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (Kadr, 3) është se puna në këtë natë ndoshta e kënaq Allahun më mirë sesa puna në një mijë muaj të tjerë.
Muxhahidi thotë: “Puna në këtë natë, agjërimi i saj, falja e namazit është më e mirë sesa një mijë muaj”. Zuhriu thotë: “Është emërtuar me ‘Natën e Kadrit’ për shkak të madhështisë, vlerës dhe pozitës së lartë të saj.”

Gjendja e tyre gjatë ditës në Ramazan

Prej cilësive të të privuarve në Ramazan është edhe ajo se ata ditën e tij e kalojnë në gjumë. Namazet iu kalojnë, gjithashtu edhe shpërblimi i leximit të Kuranit dhe i përmendjes së Allahut. Zemrat e tyre ngurtësohen për shkak të gjumit të tepruar.
Vëlla i nderuar, mos harro se Ramazani është muaji i durimit, i adhurimit, i dëlirësisë. Prandaj, ai që nuk dëshiron të mashtrohet në mirësitë e tij, le të ndiejë urinë dhe etjen e tij. Le ta mposhtë epshin dhe tekat e tij si dhe le ta ushtrojë veten në leximin e Kuranit, në përmendjen e Allahut, në garimin në punët e mira; në shpenzimin e pasurisë në rrugën e Allahut, në bamirësi, ngase Ramazani është një stinë kalimtare dhe një mysafir shtegtues.

Vëlla, dyert e xhenetit ty po të hapen, kurse ti po i refuzon, po fle dhe po e humb rrugën tënde për në xhenet, shtëpinë e paqes.
Abdulaziz b. Mervan thotë: “Muslimanët kur vinte muaji i Ramazanit thoshin: “O Allahu ynë! Ja Ramazani na ka ardhur, na mundëso agjërimin e tij, faljen e namazit, na furnizo me fuqi, seriozitet, si dhe na ruaj nga sprovat e ndryshme.”

Mos u bëj i privuar!

Përgatite veten për pritjen e muajit të agjërimit me qëllim të sinqertë, me pendim si dhe me kthim drejt Allahut. Pasurohu me nënshtrim ndaj Allahut, respekto urdhrat e Tij. Si nuk ke dëshirë për faljen e Allahut kur tashmë ke mësuar se Allahu liron njerëzit nga zjarri i xhehenemit për çdo natë në Ramazan dhe se kush e kalon këtë muaj me agjërim dhe falje të namazit, i falen mëkatet e mëhershme, ndërsa kush privohet nga mirësitë e tij, ai është i privuar nga të gjitha mirësitë. Mos i nënvlerëso shpërblimet e mëdha të këtij muaji. “Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Haxh-xh, 32)

O ti kërkues i së mirës, e mira tashmë të pret! O ti kërkues i së keqes, ndalohu se e keqja të kthehet ty. Kujtohu se dyert e xheneteve në këtë muaj janë të hapura, ndërsa dyert e xhenehemit janë të mbyllura, “fundi i të cilit është myshku. E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.” (Mutafifin, 26)
Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Përgatitur nga sektori shkencor pranë shtëpisë botuese “Dar ibn Huzejmeh”
Përktheu: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit