-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Të mbash gjallë turizmin në kohë pandemie, rrëfim nga Stambolli

Më të lexuarat

Një udhëtim në kohë pandemie në Stamboll është një kujtim për pandemitë e luftërave që rrënojnë dhe përvetësojnë shumëçka. Kryeqyteti i tri perandorive është një rrëfim mes lindjes e perëndimit dhe ëndrrës së vazhdueshme të dominimit…

Një shembull i parë është kulla e stilit romak Galata, e ndërtuar si Christea Turris apo Kulla e Krishtit në shekullin 14-të gjatë një zgjerimi të kolonisë gjenoveze në Kostandinopojë, një kullë origjinale bizantine me emrin Megalos Pyrgos. Kjo fortifikatë bizantine përdorej si vrojtim mbi lëvizjet në qytetin mes dy kontinenteve.

Xhamia Hagia Sophia -kisha e kthyer në xhami, xhamia e kthyer në muze dhe muzeu i kthyer sërish në xhami, monumenti më i famshëm dhe më magjepsës i Stambollit, reflekton ndikimet kulturore të perandorive që dikur sundonin vendin.

Kjo ‘kishë e mençurisë hyjnore’ e kohës së perandorit Justinian, e projektuar nga arkitektët grekë, tani e njohur zyrtarisht xhamia e Madhe e Shenjtë –Aya Sophia më parë quhej kisha e Hagia Sophia, një vend adhurimi antik në Stamboll.

Kulla Galata

Ky objekt i vjetër më shumë se 1,500-vjet e që është në listën e vendeve më të shquara të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, u bë muze në vitin 1934. Afresket e Shën Mërisë brenda janë mbuluar dhe prej vitit 2020 ish-muzeu pret sërish xhematin mysliman, pas më shumë se nëntë dekadash kur autoritetet turke vendosën që ajo të shndërrohet në sërish në xhami.

Ky objekt kulti i dy religjioneve paralelisht lë pa frymë vizitorët është mishërim i arkitekturës bizantine. Dikur e mbuluar me 30 milionë pllaka mozaiku prej ari, më vonë është zbukuruar me mbishkrime kuranore.

Kupola e saj duket e pa peshë nën linjën e pandërprerë të 40 dritareve me hark nën të. Paralelisht janë turistët që vërshojnë nën to, edhe në kohë pandemie derisa vendi përgatitet të mbyllet sërish për shkak të rritje së infektimeve.

Përballë saj Xhamia e Kaltër është një kundërnarrativ i saj. E ndërtuar  mes viteve 1609 dhe 1616 gjatë sundimit të Sulltan Ahmed I, kjo xhami është simbol i fuqisë dhe ekspansionit perandorak dhe lidhjes së fortë  të tij me religjionin islam.

Xhamia Sulltan Ahmed, e njohur si Xhamia Blu, e ndërtuar më afër pallatit Topkapi, është xhami e së premtes (xhumasë) e epokës osmane që është gjithashtu nën UNESCO.

Topkapi, pallati i mbi 6 shekujve të ekzistencës së perandorisë dhe 36 sulltanëve, më i madh dhe më i vjetër në botë, tani është një perandori e pathyeshme turistësh që duket se nuk do ta braktisin kurrë. I vendosur në akropol, vendbanimi i  parë në Stamboll, ai komandon një pamje mbresëlënëse të Bririt të Artë, Bosforit dhe Detit të Marmarasë.

Topkapi është një tjetër vend pelegrinazhi i përhershëm, sidomos për besimtarët islam që në mes tërë historisë perandorake ata gjejnë aty disa nga gjurmët e profetit Muhamed dhe gruas së tij.

Në një nga rrugët më të vjetra është kisha katolike, Shën Anoni, një qendër e një komuniteti besimtarësh në lëvizje më shumë të veshur me petkun diplomatik, një vend kulti dhe historie njëkohësisht.

Në Bosfor ku ndjen se si ndahet magjishëm dita dhe nata, nuk mbërrin të hetosh ku nis dhe mbaron cepi i një kontinenti…

Pazaret janë aty plot dhe përjetësisht, pa çarë kokën aq shumë për pandeminë, një vend ku epidemitë nuk e kanë zbrazur kurrë.

Në një cep tjetër të qytetit, i emërtuar sipas ndërtuesve shqiptarë të ardhur në Stamboll, kryesisht në shekullin e 19, lagja Arnavutköy – Fshati shqiptar – është vend i shtëpive të bukura prej druri, që rreshtohen në bregun e ujërave të Bosforit.

Shumica e popullsisë origjinale aty ishin shqiptarë, të vendosur mes një komuniteti turk dhe grek, por sot kanë  mbetur vetëm pak të tillë, të pandjeshëm nën emrin e lagjes. Kjo lagje e ka një pamje sharmante bregdetare, një joshje për të eksploruar rrugët e saj me shtëpi të vjetra e modele që shkrijnë një arkitekturë unike.

Stambolli është një shfaqje e artit të tërheqjes së vizitorëve vendas, një leksion për të bërit turizëm.

Rrugëtimi nga Stambolli drejt ish-kryeqytetit perandorak, Edirne, ndjek rrugën e verërave të Thrakës, përmes fushëbetejës së dikurshme të Galipolit dhe nëpër gjurmët e rrënojave të Trojës.

E rrahur nga perandorë e mbretër, e shkatërruar nga betejat dhe e mbushur me histori, ky është një nga rajonet më interesante të Turqisë, një udhëtim i magjepsës ku historia, arkitektura dhe pasioni i verës shkrihen pahetueshëm.

Edhe atje armata e zyrtarëve të turizmit dhe ciceronëve është gati në çdo kohë, ndonëse vala e turistëve duket shumë më e vogël në këtë pjesë në veri-perëndim të Turqisë, në kufijtë me Bullgarinë e Greqinë.

Programi “Certifikata për Turizëm të Sigurt”, ka përfshirë vaksinimin me përparësi të të gjithë operatorëve të përfshirë direkt në sektorin e turizmit, në përpjekje që të sigurojë që shërbimet e turizmit në vend të mbesin të hapura dhe pandemia të mos e godasë, sikur vitin e kaluar, njërën prej shtyllave më të forta të ekonomisë së këtij vendi.

Në kohën e kufizimeve të pandemisë në Turqi, turistët kanë më pak kufizime dhe ora policore në të shumtën nuk përfshin dënime për ata që gjenden jashtë pas orës 7 të mbrëmjes.

Edirne e njohur historikisht si Adrianopojë, e themeluar nga perandori romak Hadrian është një rrëfim mbi lavdinë e dikurshme të perandorisë.

Një simbol i këtij shkëlqimi të dikurshëm është xhamia Selimiye.

Me një kupolë të madhe dhe 4 minare mbresëlënëse, kryevepra e arkitektit të famshëm Sinan, xhamia Selimiye në Edirne, e shekullit të 16-të, mbahet si një vepër klasike me peshë otomane. Kaligrafitë brenda kompleksit të saj janë një shfaqje fetare dhe etnografike njëkohësisht.

Qyteti mes kryqëzimit të dy lumenjve Tunka dhe Meriç është gjithashtu  i famshëm për muzeun e spitalit psikiatrik të kohës së perandorisë.

Muzeu ështënjë vend unik, i vendosur në zonën e kompleksit të xhamisë Sultan Pajaziti II nxjerr në pah shkollimin për mjekësi dhe trajtimet inovative të pacientëve, të zhvilluara dhe përdorura në spital dhe shkollën  mjekësore për më shumë se katër shekuj.

Ky kompleks është ende në listën në tentativë të UNESCO-s.

Gjithashtu në rrënojat e pallatit të Sulltan Sulejmanit është qendra e festivalit më të madh të mundjes që mbledh mijëra njerëz nga i gjithë vendi.

Dhe rruga për atje është një udhëtim nëpër kohë, nëpër vreshtat e pafund të vendit të katërt në botë për nga kultivimi i rrushit. Fushat e Edirnesë janë një xhiro e vreshtave, e gustos së verërave, stacioneve të bletarisë dhe fushave pafund të lulediellit. /Serbeze Haxhiaj/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit