-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

BE-ja bën thirrje për pranim të rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri

Më të lexuarat

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisionari për Zgjerim Oliver Varhelyi, përmes një deklarate të përbashkët për media u kanë bërë thirrje partive politike në Shqipëri që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në procesin e numërimit të votave të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin efikas dhe demokratik të institucioneve në vend si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve”, thuhet në deklaratë.

Borrel dhe Varhelyi bëjnë gjithashtu thirrje që çdo parregullsi të raportohet te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe autoritetet kompetente dhe që rastet, përfshirë pretendimet për blerje vote të hetohen.

Duke ju referuar konstatimeve të OSBE/ODIHR, zyrtarët e BE, i cilësojnë zgjedhjet si të rregullta.

“Sipas zbulimeve fillestare dhe konkluzioneve të Misionin Vëzhgues të OSBE/ODHIR, zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të mirëorganizuara ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror Zgjedhor i reformuar, mbikëqyri procesin në mënyrë transparente. Vëzhguesit raportuan shqetësime të lidhura me keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”.

Në deklaratë thuhet se periudha e tranzicionit deri në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re, nuk duhet të frenojë zbatimin e reformave të nevojshme.

“Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me Sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët” përfundon deklarata.

Partia Socialiste në Shqipëri mryeson si forcë e parë në tetë qarqe të vendit, ndërkohë që mbi 90 për qind e kutive të votimit janë numëruar.

Deri në mesditën e 27 prillit, Partia Socialiste rezulton me 73 mandate, Partia Demokratike ka një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku deri më tani ka marrë 59 vende në kuvendin e ri, krahasuar me 46 që ka pasur në 2017.

Ndërsa, Lëvizja Socialiste ka pësuar humbje, ku ka arritur që të marrë vetëm pesë mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vlerësuar se i duhet 48 orë për të përcaktuar fituesin preliminar të zgjedhjeve të 25 prillit për 140 mandatet në 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor.

Pra, rezultati preliminar për zgjedhjet e 25 prillit pritet të bëhet i ditur zyrtarisht të martën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit