5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Ka filluar aksioni humanitar i Bashkësisë Fetare Islame në RMV përmes OH Hilal

Më të lexuarat

Në ditën e tretë të Ramazanit, Bashkësia Fetare Islame, nëpërmjet Organizatës të saj Humanitare Hilal, filloi aksionin e madh të shpërndarjes së ndihmave humanitare, duke filluar nga Myftinia e Shkupit e cila në mënyrë të organizuar bëri shpërndarjen e paketave të ardhura si donacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakfit të Republikës së Turqisë.
Me këtë rast, para mediumeve nga vendi dhe jashtë, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në mënyrë simbolike e filloi këtë aksion të madh humanitar, në prezëncë të Myftiut të Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, Kryetarit të Oh Hilal Fadil ef. Ramadani dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të Reisit dhe të komisionit për shpërndarje të OH Hilal.
“Jemi në ditët kur çdo musliman duhet ta dëshmojë humanizmin, si një nga vlerat më të spikatura të besimit tonë” tha Reisul Ulemaja, duke shtuar më tej se: “Si Bashkësi Fetare Islame kemi marrë një vendim dhe do ta trajtojmë si një amanet të madh, që gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit të jemi prezent në sofrat e të gjithë skamnorëve dhe atyre që kanë nevojë.
Sot filluam me Myftininë e Shkupit dhe ky akcion, ky karavan humanitar do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim dhe do të përfshin tërë teritorin e Maqedonisë së Veriut.”
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në emrin e tij personal dhe në emër të Bashkësisë Fetare Islame në RMV falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Vakfit të Republikës së Turqisë si dhe të gjithë donatorët që nëpërmjet Bashkësisë Fetare Islame, gjegjësisht OH Hilal kanë vendosur që të jenë prezent në shtëpitë e atyre që kanë më së shumti nevojë.
Për sa i përket planifikimit të aksioneve në ditët në vijim, Kryetari i OH Hilal, Fadil ef. Ramadani tha se: “OH Hilal ka filluar këtë aksion në Myftininë e Shkupit e më pas ditëve në vijim do të jemi prezent në të gjitha 13 myftinitë e BFI. Aktualisht shpërndajmë pako që peshojnë rreth 20 kg, e në të cilat ka produkte ushqimore, dhuratë nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakfit të Republikës së Turqisë. Planifikojmë që gjatë këtij aksioni të bëjmë shpërndarjen e 80 tonelatave ndihma apo 4000 paketave që vijnë nga ky donator, por edhe të produkteve tjera nga donatorë të tjerë.”
Edhe Myftiu i Myftinisë së BFI Shkup, Dr. Qenan ef. Ismaili, foli rreth këtij aksioni. “Pas një eksperience të gjatë në sferën e shpërndarjes së ndihmave humanitare, e pamë se mënyra më efikase dhe më e saktë, sidoemos në kushtet e pandemisë globale, është që këto ndihma të shpërndahen nga këshillat e xhamive apo imamët të cilët më së miri e njohin xhematin e tyre dhe e dijnë kush ka nevojë më shumë për të përfituar nga këto ndihma humanitare.
Andaj edhe sot vendosëm që në mënyrë të organizuar, sipas listave paraprakisht të përpiluara nga këshillat e xhamive dhe imamëve të bëhet shpërndarja e pakove, në mënyrë të barabarte, duke mos diskriminuar askend në baze të kombësisë së tyre.”
Myftiu i Shkupit gjithashtu paralajmëroi se aksionet humanitare do të vazhdojnë edhe më tej në tërë territorin e Myftinisë së Shkupit ku do të ndihmohen të gjitha ata që kanë nevojë, pa dallim nacionalitetit apo besimit, sepse siç theksoi Myftiu ef. Ismaili, “Myslimanet gjithmonë duhet të demonstrojnë humanizëm ndaj të gjithëve që kanë nevojë, qofshin ata myslimanë apo jo “.
Organizata Humanitare “Hilal” për çdo ditë do të jetë në terren gjatë gjithë muajit të Ramazanit, por edhe gjatë tërë vitit, me të vetmin qëllim: për t’u bërë krah i nevojtarëve, i varfanjakëve dhe i të gjithë njerëzve në nevojë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit