Nuk e kanë me Shefqet Krasniqin!
Me ne e kanë.
Me të gjithë ne që solemnisht e me dashuri nisëm tridhjetëditëshin e mrekullueshëm të agjërimit.
Një frazë popullore, shekullore e jo kuranore, e thënë nga ai në kuptimin mahiçar: gratë me gra burrat me burra, u shfrytëzua, dhe u stërpërsërit, u mbllaqit, u keqpërdorua për t’u formuluar në fund si akuzë për hoxhën e për të gjithë ne.
Shefqet Krasniqin nuk e njoh drejtëpërdrejtë. Kam uzdajë në Zotin se do ta takoj.
Për aq sa e kam përcjellë, më duket shumë simpatik, i përgatitur dhe i zoti përbrenda dogmës dhe – atdhetar i dëshmuar!
Po ku ka dëshmi më shembullore atdhetarie se sa ta rrokësh armën kur atdheu është rrezik… Hoxha kishte braktisur studimet e fesë për t’iu bashkuar aradhave të UÇK-së.
Hoxha gjithnjë shfaqet i qeshur, pozitiv, paksa edhe naiv. Sidomos kur edhe pas pabesive e kurtheve të panumërta që i kanë bërë, ai vazhdon të besojë në qëllimet e mira të gazetarëve të këqij, të shitur e të shk**dhyer, të cilët e thërrasin për ta provokuar e futur në va pa va me qëllimin final krijimin e aferave, kriminalizimn e e tij e poshtërimin e fesë islame, shumicë në Kosovë.
Tash hoxha që me shumë edukatë të gjitha grave iu drejtohet me motër, merret si shembull poshtërimi të grave.
Thua se nuk janë shekujt që ata që e kanë bërë pothuajse ligj thënien “Gratë me gra e burrat me burra!”, për të vazhduar kjo ndarje mes burrave e grave, – në një anë “Oda e burrave” në tjetrën “Shpia e robëve”- deri në modernizimin tepër të ngadalshëm dhe ende të papërfundur të popullit tonë.
Në fund, siç e thashë në krye, sulmet nuk janë aq mbi hoxhallarët sa janë mbi ne.
E mira në gjithë këtë mesele është se gazetarët që duan ta vënë para gjyqit një frazë popullore simpatike, të thënë nga një hoxhë, janë profesionalisht e moralisht të dëshmuar si ZERO.