-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Lista Serbe paraqet ankesë në Gjykatën Kushtetuese

Më të lexuarat

Lista Serbe paraqiti të hënën një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për, siç tha, mbrojtjen e interesave të popullit serb. Ankesa u paraqit në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane. Në njoftimin për media thuhet se ankesa “sfidon vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, më 22 mars, 2021, me të cilin popullit serb i është dhënë vetëm një ministri nën menaxhim, edhe pse duheshin dy”. “Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me ligjin kushtetues, duke respektuar të drejtat dhe interesat e popullit serb, si dhe të komuniteteve të tjera joshumicë”, thuhet në komunikatë. Po sipas komunikatës, vendimi “për të mohuar përfaqësimin e drejtë të serbëve në institucionet e nivelit qendror është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore”. Në përbërjen e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për Listën Serbe është ndarë Ministria për Komunitete dhe Kthim. Kushtetuta e Kosovës parashikon një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë. Nëse Qeveria ka më shumë se 12 ministri, siç është rasti me kabinetin e ri, Kushtetuta e Kosovës thotë se ajo duhet të ketë një ministër të tretë për të përfaqësuar komunitetet joshumicë në Kosovë. Përveç ministrit nga komuniteti serb, Qeveria e re e Kosovës ka dy ministra nga komunitetet e tjera joshumicë. Ministër për Zhvillim Rajonal është Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministër i Administrimit të Pushteti Lokal është Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian. Emilija Rexhepi, nga komuniteti boshnjak, është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit