-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Në përvjetorin e Maskarës së Lubeniqit, shfuqizohen dënimet për autorët e saj

Më të lexuarat

Beograd, 1 prill – Njësia për krime lufte e Gjykatës së Apelit në Beograd ka revokuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin pjesëtarët e formacionit paramilitar “Çakallët” ishin dënuar me burgim shumëvjeçar për shkak të krimeve në fshatrat afër Pejës gjatë vitit 1999.
 
Lënda i është kthyer Gjykatës së Lartë në Serbi për gjykim të sërishëm.
 
Gjykata e Apelit, siç transmeton Rel, ka komunikuar se “aktvendimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të procedurës penale, sepse faktet e theksuara në aktvendim janë të pakuptueshme dhe në kundërshtim me vetveten”.
 
Me aktvendimin e shfuqizuar nga Njësia për krime lufte e Gjykatës së lartë në Beograd, të akuzuarit ishin dënuar për vrasjen e 120 civilëve në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lubeniq, në mesin e të cilëve viktima më e re në moshë ka qenë 19 vjet, ndërkaq më e moshuara 87 vjet.
 
Për këtë krim, Njësia e veçantë e Gjykatës së Lartë në Beograd, me 11 shkurt të vitit të kaluar, ka dënuar 9 pjesëtarë të formacionit paraushtarak “Çakallët”, me gjithsejt 106 vjet burg.
 
Ky njësitë paraushtarak ishte gjetur fajtor për vrasjen, dhunimin, shkatërrimin dhe plaçkitjen e pronës së shqiptarëve, dhe deportim të popullatës civile për në Shqipëri.
 
Komandanti i detashmentit ushtarak të territorit të Pejës, Toplica Miladinoviq, ishte dënuar atëherë me dënimin maksimal prej 20 vjetësh burg.
 
Dënimet maksimale me burgim prej 20 vjetësh u ishin shqiptuar edhe pjesëtarëve të asaj njësie: Dejan Bulatoviq dhe Milojko Nikoliq. Ranko Momiq ishte dënuar me 15 vjet burg, Abdullah Sokiq me 12 vjet, Sreçko Popoviq me 10 vjet, Sinisha Mishiq me 5 vjet, ndërkaq me nga 2 vjet burg ishin dënuar Slavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq.
 
Pjesëtari i mbrojtjes territoriale Veljko Koriçanin dhe pjesëtari i policisë Radoslav Bërnoviq, janë liruar nga akuza.
 
Marija Klajiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila e ka përcjellë këtë rast, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se anulimi i aktvendimit është mjaft i keq..
 
“Vendimi i këtillë në masë të madhe do ta vështirësojë kryerjen e sërishme të procedurës. Kjo është një lëndë, në të cilën dëshmitarët dhe të dëmtuarit janë, shqiptarë nga Kosova. Në këso procedura që zgjasin me vite, ku nuk shihet fundi, besimi i arritur te viktimat shqiptare ndaj sistemit të drejtësisë të këtij vendi është edhe ashtu i brishtë, është luhatur në masë të madhe”.
 
“Po vihet në pikëpyetje edhe interesimi i tyre i mëtejmë për të ardhur në gjykime, në qoftë se do të paraqitet nevoja për marrjen në pyetje të tyre”, ka thënë Marina Kljajiq, duke shtuar se aktvendimet e këtilla, në mas të madhe i komplikojnë gjërat.
 
“Rrjedha e kohës e bën edhe një gjë dhe këtë e kemi parë edhe në lëndët e mëdha ku janë anuluar aktvendimet – që gjatë procedurës, ata që janë më përgjegjës, nuk janë në proces për shkak të gjendjes shëndetësore ose pse kanë vdekur. Kështu që, arritja e drejtësisë është bërë mjaft e pasigurt, e sidomos për viktimat që kanë mbijetuar dhe për anëtarët e familjeve të tyre”, ka thënë Kljajiq.
 
Ndryshe, krimi, për të cilin ishin dënuar më parë pjesëtarët e njësisë paraushtarake “Çakallët”, është bërë gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, ndërkaq që në padi thuhet se operacioni në fshatrat ku janë kryer vrasjet, nuk ka pasur asnjë qëllim të drejtëpërdrejt ushtarak.
 
Vrasjet janë kryer në mënyrë brutale dhe mizore dhe jo rrallë, viktimat janë qëlluar pas shpine dhe më pas, shumica e kufomave janë djegur , në mënyrë që të pamundësohet vërtetimi i identitetit të viktimave.
 
Një nga dëshmitarët bashkëpunues ka thënë se një shqiptar është vrarë pasi që i janë marrë dy automjete – Audi dhe Mercedes- dhe më pas i është shkrepur plumbi në qafë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit