2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Grupet rivale palestineze bashkojnë forcat kundër planit izraelit të aneksimit

Më të lexuarat

Dy grupet rivale të rezistencës palestineze, Hamas dhe Fatah, janë bashkuar kundër të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” të presidentit amerikan Donald Trump dhe planit izraelit të aneksimit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi 100 për qind konsistentë me Hamasin për t’u bërë ballë sfidave me të cilat po ballafaqohet kauza jonë”, tha Jibril Rajoub, sekretari i përgjithshëm i Fatahut, në një konferencë shtypi në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar.

I shoqëruar nga Saleh al-Aruri, nënkryetari i Hamasit, Rajoub tha se konferenca e përbashkët për shtyp ka për qëllim koordinimin e përpjekjeve palestineze për t’i bërë ballë planit izraelit të aneksimit të territoreve të Bregut Perëndimor të okupuar.

“Vendimi është aprovuar nga presidenti ynë (Mahmoud Abbas)”, tha ai.

Udhëheqësi i Hamasit i bëri thirrje Fatahut të lë mënjanë kontestet dhe dallimet e brendshme për të arritur një marrëveshje strategjike dhe thelbësore për të përballuar kërcënimin për kauzën palestineze.

Aruri i bëri thirrje popullit palestinez që “vazhdimisht të punojë në terren dhe në nivele politike për të prishur projektin e aneksimit”.

Zyrtarët palestinezë thonë se Izraeli po planifikon të aneksojë 30-40 për qind të territorit të Bregut Perëndimor, përfshirë tërë Kudsin Lindor, sipas planit të SHBA-së të njohur si “Marrëveshja e Shekullit”.

Zyrtarët palestinezë kanë paralajmëruar se do të shfuqizojnë të gjitha marrëveshjet bilaterale me Izraelin nëse ai vazhdon me aneksimin, i cili do të dëmtonte më tej zgjidhjen dyshtetërore.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, konsiderohet si territor i pushtuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë kështu të gjitha vendbanimet kolone hebreje atje, si dhe aneksimin e planifikuar, të paligjshme.

Dy grupet palestineze kanë qenë në mosmarrëveshje që kur Hamas mori kontrollin e Rripit të Gazës në mes të vitit 2007 pas disa ditësh përleshje.

Në vitin 2017, dy fraksionet nënshkruan një marrëveshje pajtimi në Kajro për t’i dhënë fund armiqësisë dhe ndarjes disavjeçare. Kushtet e marrëveshjes, megjithatë, ende nuk janë zbatuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit