Mërgimtari indian në Ontario humbi punën dhe postin e kryetarit të Këshillit të Shkollës për shkak të mesazhit të urrejtjes ndaj muslimanëve
Një mërgimtar indian ka humbur postin e tij si kryetar i Këshillit të Shkollës dhe punën e tij në një kompani të pasurive të patundshme në Ontario të Kanadasë, pas një postimi islamofobik në Twitter të bërë javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ravi Hooda protestoi kundër vendimit të qytetit Brampton për të lejuar përjashtim të rregullit të zhurmës për xhamitë, duke shkruar: “Çka tjetër? Korsi të ndara për ata që udhëtojnë me deve dhe dhi?”.
Në në postim nga profili i tij privat, ai gjithashtu nënçmoi ritualin islam të kurbanit, sakrificës së kafshëve, si dhe praktikën e grave muslimane që mbajnë shami.
Hooda insistoi që zyrtarët kanadezë ishin tolerantë ndaj këtyre praktikave muslimane për të “kënaqur” komunitetin “për vota”.
Mesazhi islamofobik shkaktoi reagim të menjëhershëm në mediat sociale dhe Bordi i Shkollës në qarkun Peel e largoi atë nga posti i kryetarit të këshillit dhe filloi një hetim zyrtar.
“Drejtori ka filluar një hetim. Individi është larguar nga roli i tij si kryetar i Këshillit Shkollor dhe nuk do të marrë pjesë në këshill me ndonjë pozitë tjetër”, njoftuan nga shkolla, duke shtuar se islamofobia është e papranueshme dhe shkel politikat e shkollës.
Më 30 Prill, kryetari i Bashkisë Brampton, Patrick Brown, tha se përjashtim të rregullit të zhurmës, sipas ligjit të miratuar në vitin 1984, kishte vetëm për kambanat e kishave.
Ai njoftoi se përjashtimet do të zgjerohen për të gjitha besimet, duke lejuar që ezani në xhamitë në Brampton të thirret me autoparlantë gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
“Komuniteti musliman mund të vazhdojë me ezanin e perëndimit të diellit sepse është viti 2020 dhe ne i trajtojmë të gjitha besimet në mënyrë të barabartë”, shkroi Brown.
Komente islamofobike të Hooda-s u bënë si përgjigje në postimin e kryetarit të bashkisë në Twitter.
Në lidhje me këtë, u prononcuan edhe nga kompania ku ai ishte i punësuar, duke thënë se ai është përjashtuar nga puna dhe se kompania “nuk ndan pikëpamjet e as nuk e mbështet Hooda-n”.