12 C
Pristina
Friday, January 10, 2025

Familjet në kampet e Idlibit, syfyrin e parë e pritën me mall për shtëpinë

Më të lexuarat

Civilët që jetojnë në zonën e de-eskalimit në Idlib të Sirisë, u detyruan të bëjnë syfyrin e parë larg shtëpive të tyre në një mjedis pjesërisht të sigurtë që solli armëpushimi.

Shahin Abu Mahmoud, i cili para 7 muajve u zhvendos nga vendi i tij për shkak të sulmeve të regjimit të Assadit dhe mbështetësve të tij, Ramazanin e priti me familjen e tij në kampin Atme në kufirin siriano-turk.

Abu Mahmoud në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se pavarësisht se ka pasur sulme, vitin e kaluar Ramazanin e kanë pritur në shtëpinë e tyre. “Më në fund u zhvendosëm nga vendi ynë. Dëshira jonë e vetme është të kthehemi në shtëpi. Jemi të gatshëm të jetojmë me kushte të thjeshta në mënyrë të sigurtë. Nuk do të kthehemi përderisa regjimi është në qytetin tonë. Si të kthehemi? Xhaxhai im dhe familja e tij, vëllai im, nipi im, daja im të gjithë vdiqën Ramazanin e kaluar nga sulmi rus”, tha ai.

Babai i 3 fëmijëve thotë se ky është Ramazani i parë larg shtëpisë. “E kam ndjenjën e njëjtë me ata që migruan 8 vite më parë. Këtë dhimbje mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë përjetuar, ata që kanë humbur shtëpinë”, tha Abu Mahmoud duke shprehur shpresën se lufta do të mbarojë dhe të gjithë do të kthehen në shtëpitë e tyre.

“As avionët civilë, e as ato ushtarakë të mos fluturojnë. Sepse fëmijët tanë edhe për zërin e motoçikletës mendojnë se është avion”, shtoi ai.

– Gjendja në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre.

Pasi forcat e regjimit përshpejtuan grumbullimin ushtarak në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin. Regjimi pas një kohe të shkurtër rifilloi sërish sulmet që kishte ndërprerë, dhe në maj 2019 filloi operacionin tokësor për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një deklaratë më 10 maj 2019, tërhoqi vëmendjen duke njoftuar se sulmet dhe provokimet në rritje të elementëve të regjimit në jug të Idlibit janë shndërruar në operacion tokësor që nga 6 maji.

Regjimi dhe mbështetësit e tij që nga kjo periudhë si rezultat i sulmeve intensive artilerike dhe sulmeve ajrore, krahas rajoneve të mëdha si Kafranbuda, Khan Shaykun, Maarat al-Numan, Saraqib morën nën kontroll edhe pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit, pjesën veriore dhe periferinë lindore në Hama, pjesën jugore dhe periferinë perëndimore të Halepit si dhe shumë vendbanime të tjera.

Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani në sulmet e ndërmarrë në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën rreth 2.000 civilë. Ndërsa numri i të zhvendosurve që nga janari 2019 e deri më tani ka arritur në 2 milionë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit