Ky është rasti i parë në histori që faltorja e shenjtë, e cila gjendet në Kudsin Lindor të pushtuar, të jetë e mbyllur gjatë Ramazanit
Kuds
Këshilli i Vakëfeve Islame të Kudsit njoftoi se faltorja e shenjtë Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar nuk do të hapet për adhurime as gjatë muajit të Ramazanit në kuadër të masave kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19, këshilli vendosi që Mesxhid al-Aksa të mos hapet për adhurime as gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”, thuhet në një deklaratë të këshillit, i cili vepron nën Ministrinë jordaneze të Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta.
Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë në përputhje me fetvatë e dhëna më herët për çështjen në fjalë dhe rekomandimet mjekësore.
Administrata e Vakëfeve kishte mbyllur tërësisht Aksanë më 22 mars si pasojë e virusit.
Ky është rasti i parë në histori që faltorja e shenjtë, e cila gjendet në Kudsin Lindor të pushtuar, të jetë e mbyllur gjatë Ramazanit.
Megjithatë, Mesxhid al-Aksa mbyllet kohë pas kohe nga forcat izraelite me arsyetime të ndryshme.
Ajo ishte mbyllur për herë të parë në vitin 1969, pasi më 21 gusht të atij viti, fanatiku australian Dennis Michael Rohan kishte djegur mihrabin dhe minberin një-mijë-vjeçar të Xhamisë së Kibles brenda kompleksit të shenjtë.
Sipas të dhënave të autoriteteve palestineze, deri më tani në Kudsin Lindor të pushtuar janë kofirmuar të paktën 81 raste me COVID-19.