2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

”Shqipëria false dhe Shqipëria e vërtete e Edi Ramës”

Më të lexuarat

FATOS LUBONJA

 

Ka kohë që jemi dëshmi tarë të ndërtimit, nga ana e propagandës së Edi Ramës, të një Shqipërie false, aq sa bashkëjetojmë tashmë me këtë gënjeshtër të madhe.

Por ajo me të cilën nuk po mësohemi dot është spektakli i luftës së tij heroike për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë, sa herë që dikush i nxjerr përpara ndonjë copëz të saj. Me një energji të pashoqe, ai e bëri këtë së fundmi edhe në emisionin “Opinion”, përballë disa provave evidente të lidhjes me krimin që i shfaqën gazetarët Rakipllari, Lala, Hoxha, Iljazaj.

Në fakt, ajo që e dallon Edi Ramën nga rilindësit e tjerë kur ftohen në studio është se ndërsa ata, kur ballafaqohen me të vërteta evidente, në përgjithësi ruajnë gjakftohtësinë dhe përpiqen të përdorin një gjuhë të drunjtë me slogane të përgjithshme për ta kaluar situatën, pasi janë të vetëdijshëm se po gënjejnë, Kryeministri nervozohet në kulm, sikur po i bëhet një shpifje e padrejtësi e madhe dhe shpërthen në sulme kundër gazetarëve duke i fyer, denigruar, duke u thënë “nuk të njoh”, “je injorant”, “po flet broçkulla” etj., etj.

Disa thonë se ky është thjesht aktrim, se pasi del nga skena dhe zhvesh kostumin e Kryeministrit, ai qesh me të afërmit e tij me aftësitë që ka treguar në luajtjen e rolit. Personalisht, kam një lexim tjetër të fenomenit në fjalë. Ky lloj reagimi bën pjesë në mekanizmat psikikë të vetëmbrojtjes së njerëzve që vuajnë nga çrregullime narcizistike të personalitetit, siç është edhe Kryeministri ynë. Thelbi i këtyre mekanizmave qëndron te ndërtimi i një veteje fals, një veteje glorioze, me të cilën narcizisti fsheh, mbulon veten e vërtetë, veten e tij autentike. Pra, nëse mund të flasim për aktrim në luajtjen e një roli, ky është roli i vetes false me të cilën Edi Rama kërkon të mbulojë veten e vërtetë, në skenën e psikikës së tij. Problemi ynë është se kemi të bëjmë me Kryeministrin tonë, që ka dy dekada në politikë dhe se lufta e tij e paepur për të mbuluar veten e vërtetë gjithnjë e më shumë identifikohet me luftën për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë që ka ndërtuar. Kush çuditet se si ka mundësi që një Kryeministër të ndërtojë televizionin e tij, me emrin e tij, duhet të kuptojë se thellë-thellë, për këtë e shtyn kjo nevojë e papërballueshme për të fshehur veten dhe veprën e tij autentike. Kush e sheh të sulmojë egërsisht gazetarët që i thonë disa të vërteta, që i dinë të gjithë, duhet të kuptojë se ai nuk lufton me ta, por me veten dhe veprën e tij autentike, që refuzon me ngulm ta takojë për shkak të katastrofës psikike që mund t’i shkaktojë ky takim.

Mirëpo, siç thonë psikoterapeutët, sa më shumë ta refuzosh veten autentike, aq më shumë ajo hedh shqelma nga qoshja e errët ku e ke futur e të dëmton duke të dezintegruar ekuilibrin psikik. Në këto kushte, vetja false shëmbëllen gjithnjë e më shumë me një mur, i cili, sa më i lartë dhe i fortë t’i duket të sëmurit, aq më transparent e i ulët bëhet në sytë e të tjerëve, ngase të ngresh një mur të tillë është si të tentosh të vësh njëra mbi tjetrën gjëra që rrëzojnë njëra-tjetrën, apo ta ngresh atë me materiale që nuk ekzistojnë, d.m.th. me gënjeshtra.

Po e ilustroj këtë që thashë me dy fabula të ditëve të fundit, ku na shfaqet një Kryeministër 1 që rrëzon Edi Ramën 2.

Fabula e parë është fjalimi i tij me rastin e 100-vjetorit të Tiranës. Midis të tjerash, Kryeministri u tregoi të pranishmëve një fabul, që nuk është hera e parë që e dëgjojmë. E kam fjalën për atë me VIP-in ndërkombëtar, “nga një vend shumë serioz”, i cili nuk dëgjonte të dilte nga salla e VIP-ave në Rinas sepse kërkonte makinë të blinduar, ngaqë kishte idenë se rrugës mund ta vrisnin apo grabisnin kriminelët e shumtë. Por, pasi Kryeministri ynë i tha se mund të kthehej mbrapsht sepse qeveria nuk ofronte shërbime të tilla, ai u bind dhe u nis për në Tiranë. Kur e pa se çfarë vendi i qetë e i sigurt ishte kryeqyteti ynë, VIP-i në fjalë shkoi e i kërkoi atij falje duke i thënë se ndihej në siklet, se ishte ndierë budalla nga kërkesa që kishte bërë.

Morali i fabulës 1: Shqipëria është një vend i sigurt, por janë ca njerëz të këqij që punojnë për ta bërë vendin gogol.

Fabula e dytë është e së njëjtës ditë, ose e një dite më pas. Sipas një lajmi që u dha nga Policia, në afërsi të selisë së Partisë Socialiste, që atë ditë kishte nderin të kishte brenda vetë Kryeministrin, ishte arrestuar krimineli i rrezikshëm Vladimir Gjuta, i cili po sillej atypari i armatosur. U aludua se ai ndodhej aty, pasi donte të vriste Kryeministrin si hakmarrje për operacionin antikrim që ai kishte nisur nëpërmjet krijimit të OFL-së, që veç të tjerash kishte sekuestruar brenda një dite 600 makina të blinduara në Tiranë. Për të evituar këtë atentat, sipas disa mediave, Kryeministri doli nga selia dhe nuk hipi në makinën kryeministrore, por në makinën e të vëllait, e cila qenkej më e sigurt se ajo shtetërorja dhe që sipas opozitës, duhet të ishte në listën e 600 makinave të sekuestruara nga OFLja sepse është e blinduar.

Morali i fabulës 2: VIP-i nga një vend shumë serioz paskësh pasur të drejtë të kërkonte makinë të blinduar, derisa krimi qenkësh kaq i përhapur dhe kaq i fortë në Tiranë dhe shteti kaq i dobët para tij.

Sigurisht, të dyja janë përralla, por janë dy përralla që rrëzojnë njëra-tjetrën në murin e Shqipërisë false, që ngulmon të ndërtojë Kryeministri për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë.

Ka dy rreziqe të mëdha në këtë situatë, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me Kryeministrin e vendit. E para është ajo se Shqipëria e vërtetë, e mbuluar kësisoj nga Shqipëria false, po shkon dita-ditës buzë greminës, sepse ata që duhet ta shohin, iu intereson të mos e shohin. E dyta, mekanizmat mbrojtës që Edi Rama po ndien nevojën t’i forcojë ditaditës kundër kujtdo që i zbulon copëza të vetes/Shqipërisë së vërtetë, po bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë, sepse po e shtyjnë drejt kapjes së tërë organizmave të shtetit. Ligji antishpifje, KÇKja, OFL-ja, kapja e Gjykatës Kushtetuese, heqja e Presidentit, gjyqet e panumërta që ka ngritur kundër politikanëve dhe gazetarëve opozitarë e shumëçka tjetër që ka vënë e po vë në lëvizje, duhen parë në këtë kontekst.

Kush mendon se ai mund të ndalet në këtë rrugë nga zëri i arsyes, gabohet rëndë. Përgjigjja e tij do të jetë rritja e murit transparent të vetes/Shqipërisë false nën sloganin: “Nuk keni parë gjë akoma”. Se si do të mbarojë kjo histori nuk mund të parashikohet më, por e sigurt është se sa më shumë të vazhdojë, aq më keq do të mbarojë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit