Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) i dhuroi Kur’an me alfabetin Braille vajzës 15 vjeçare Eliza Abdija me shikim të dëmtuar nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e zhvilluar në Myftininë e Gostivarit morën pjesë Këshilltari i Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Murat Alkan, Myftiu i Gostivarit Shaqir Fetahu, Eliza Abdija, hoxhallarë dhe punonjës të Myftinisë.
Alkan, në deklaratën e tij për mediat tha se ky është një moment historik, duke shtuar se është rasti i parë ku një personi i është dhuruar Kur’ani me alfabetin Braille.
Ai tha se nuk ka asnjë pengesë në mësimin e Kur’an-it. “Sytë ndoshta nuk shohin por zemrat të mos jenë të verbra”, tha ai.
Alkan shtoi se kërkesa deri tek to ka ardhur nga vetë vajza nga Gostivari dhe se Kur’anin e kanë sjellë nga Ankaraja.
Ndërkohë, Fetahu këtë e cilësoi si një rast të veçantë dhe të jashtëzakonshëm.
“Është një mus’haf që është i rregulluar apostafat për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të mësojnë Kur’anin famëlartë por janë të verbër”, u shpreh ai duke treguar se dhurata është nga Dijaneti i Turqisë.
Ai tha se është rasti i parë në vendin e tyre. “Kam bindjen se nëse arrin që ta mësoj këtë dije të leximit të Kur’anit famëlartë vërtetë do të jetë një model, një shembull për të gjithë ata që kanë shikim të dëmtuar që në jetën e tyre të jenë të gjallë, të veprojnë, të mësojnë dhe në këtë mënyrë të jenë të barabartë me të gjithë ne që nuk e kemi shikimin të dëmtuar, apo dobësi tjetër. Eliza Abdija na jep shembull të gjithë neve, të gjithë atyre që nuk kanë dëmtim në shikim se me vullnet të jashtëzakonshëm mund të bëhet gjithçka, çdo vepër që e nisim”, tha ai.
Eliza nga ana e saj tha se shpesh herë ka menduar se çfarë do të bënte nëse do t’i rikthehej shikimi. “Gjëja e parë që më shkonte ndërmend ishte se nëse më kthehet shikimi do e lexoja librin e Kur’anit. Sot jam shumë e lumtur që ma ofruan një libër të Kur’anit me shkrimin Braille në mënyrë që edhe unë ta lexoj, sepse Zotin nuk mund ta harrojmë assesi. Kur ai nuk na harron neve edhe ne nuk duhet ta harrojmë atë. Ju faleminderit për një dhuratë kaq të madhe”, tha ajo.