-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Koha për reflektim

Më të lexuarat

Hoxhë Justinian Topulli
Ka një kohë për të gjitha, u tha në këto ditë dhimbjeje kombëtare. Kështu që herët ose vonë, duhet të ketë patjetër edhe një kohë për reflektim, ndaj gjithë kësaj ngjarjeje të kobshme, që përfshiu vendin tonë. Dhe ky reflektim nuk duhet të kufizohet vetëm tek cilësia e dobët e ndërtimeve, mangësitë e organizimit për të përballuar të tilla situata, apo çdo lloj problemi tjetër administrativ shtetëror, por tek ajo që është më e thellë dhe që prek thelbin e jetës sonë njerëzore.
Padyshim, se çdo gjë që ndodh në këtë botë, vjen si rrjedhojë e ligjit të shkak-pasojës dhe shkenca e sotme është në gjendje të shpjegojë në shumë raste, se si ndodh ky proces, por shkencëtarët e sotëm janë të vetëdijshëm, se nuk mund të marrin tagrin të shpjegojnë, se përse ndodhin ngjarje të tilla. Cila është arsyeja, qëllimi dhe kuptimi i tyre? Askush nuk mund ta shpjegojë gjuhën e këtyre shenjave, veç Krijuesit të tyre.
Ne jemi qenie inteligjente dhe nuk e pranojmë dot arsyetimin absurd dhe kontradiktor ateist se, çdo ndodhi natyrore është produkt i verbërisë rastësore të natyrës, ndërkohë që ne si njerëz nuk jemi të tillë. Shpjegimet e ndryshme metafizike që japin njerëzit, nisur nga botëkuptimi ose besimi i tyre, mund të dështojnë, ose jo, në kuptimin e gjuhës së natyrës që na rrethon, por ato nuk janë kurrë të panevojshme dhe të pavlefshme, për t’iu përgjigjur nevojës sonë natyrore për kuptim të përtejsisë, pyetjes: përse ndodhi, kjo që ndodhi?
Si besimtarë në Zot, në një Krijues joindiferent ndaj botës, ne besojmë se ekzistenca e saj është caktuar prej Zotit, që të jetë e varur nga ruajtja e ekuilibrit të saj të brendshëm, ekuilibër ky që përfshin dy dimensione: atë fizik dhe metafizik të botës. Bota jonë nuk mund të ekzistojë pa ekuilibrin e brendshëm të secilit prej këtyre dy dimensioneve, por edhe ndërmjet vetë këtyre të dyjave. Kështu që nisur nga ky këndvështrim gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues, tërmeti dhe çdo fenomen tjetër natyror në këtë botë, kanë shkaqet e tyre fizike dhe arsyet metafizike se si dhe përse ndodhin. Fija që lidh botën fizike me atë metafizike si një e tërë, është drejtësia, ose ndryshe ekuilibri natyror dhe metafizik, me të cilin Krijuesi e ka kushtëzuar vazhdimësinë e ekzistencës së botës, e cila padyshim, nuk ekziston si e pavarur prej Tij. Kështu që një tërmet vërtet mund të jetë pasojë e lëvizjeve të pllakave tektonike, por pasojat e tij janë gjithashtu një gjuhë mesazhi metafizik për ne si njerëz, me të cilat Krijuesi na flet. Fenomenet e natyrës janë shenjat e Zotit dhe një nga gjuhët e Tij të shumta, me të cilat Ai iu drejtohet krijesave. Ajo që kërkohet prej nesh, është të kuptojmë mesazhin që këto shenja na japin, dhe jo të njohim gramatikën dhe të parashikojmë kohën e shprehjes së tyre.
Çdo ndodhi dhe fenomen natyror, së pari dhe mbi të gjitha, është shenjë e ekzistencës së Zotit dhe plotfuqishmërisë së Tij absolute mbi botën. Ndaj, çdo shenjë në natyrë është një fjali që flet për prezencën e Krijuesit, fuqinë, dijen dhe urtësinë e Tij.
Së dyti, drejtësia është norma bazë e ruajtjes së ekuilibrit të botës. Ashtu siç duhet të kujdesemi për të ruajtur mjedisin dhe për të mos prishur ekuilibrin e tij natyror, ashtu duhet të jemi vigjilentë, madje edhe më tepër, për të ruajtur drejtësinë mes njerëzve, duke mos kërkuar, marrë apo pranuar, atë që nuk na takon. Drejtësia është themeli i një shteti, është baza metafizike e ekzistencës dhe mbrothësisë së një kombi, pa të cilën, herët ose vonë, kombi dhe shteti janë të dështuar. Drejtësia nuk kufizohet vetëm tek zbatimi i ligjeve dhe respektimi i rregullave nga organet e drejtësisë dhe administrata shtetërore, por është edukatë morale dhe kulturë e çdo individi të shoqërisë njerëzore. Nga edukimi i individit me këtë moral, nisin themelet e drejtësisë së një shteti dhe kombi. Kështu që nëse reflektojmë siç duhet, ne si shqiptarë do të shohim se kemi mangësi të theksuar në këtë drejtim, ndaj dhe kjo është një nga shkaqet e fatkeqësive tona.
Së treti, është evidente se jo të gjithë njerëzit e një vendi janë të drejtë, madje për fat të keq, shumica e tyre mund të ketë probleme me të qenit të drejtë në çdo rast. Kështu që në një komb, apo shtet, në të cilin shtohen padrejtësitë dhe njerëzit e padrejtë, pasojat e së keqes së tyre mund t’i përfshijnë të gjithë. Nuk është kusht që të jenë të gjithë njerëzit të padrejtë, apo edhe shumica e tyre, por mjafton që kahu i rrjedhës së shoqërisë të shkojë drejt shtimit të së keqes në të, për të përjetuar pasojat e kobshme të së ligës. Zjarri djeg edhe të thatin, edhe të njomin, nëse i thati ndodhet ngado me shumicë. Kur Profetin e Zotit e pyetën se a do të na vijë shkatërrimi, ndërkohë që në mesin tonë ka njerëz të mirë, ai u përgjigj se po, nëse shtohet e liga.
Së katërti, e liga dhe padrejtësia nuk largohen brenda një dite, por si rezultat i përpjekjes së përhershme të njerëzve të mirë, për t’i tjetërsuar ato. Reformatorët dhe përmirësuesit moralë të shoqërisë janë prej garantëve të kombit, që ai të mos përfshihet nga ndëshkimi i Zotit, për arsye se Ai nuk e ndëshkon një vend, nëse banorët e tij shkojnë drejt përmirësimit. Nuk mjafton pra të jesh njeri i mirë e i drejtë, vetëm për veten tënde, por duhet që këto virtyte t’i përçosh e imponosh edhe tek të tjerët, përndryshe indiferenca ndaj së keqes dhe stepja nga përballja me të, është një tjetër arsye pse një komb nuk bëhet. Nëse pjesa e virtytshme e shoqërisë nuk merr rolin aktiv përmirësues që i takon, por jeton në një kompromis frike, indiference apo interesi, me të ligën dhe të padrejtën, atëherë ajo do të jetë bari i njomë që digjet bashkë me të thatin.
Së pesti, asnjë njeri nuk është i pagabueshëm në këtë jetë, por porta e pendesës është e hapur për të gjithë njerëzit, për çdo gabim, faj, gjynah a mëkat që ata kanë bërë. Pendesa është rikthim tek natyra e pastër njerëzore, tek zëri i ndërgjegjes, është rivendosje e ekuilibrit dhe drejtësisë së humbur në rrjedhën e sprovave të jetës. Njeriu gabon, sepse është qenie e lirë, ndaj mund të zgjedhë të ligën dhe të padrejtën, në vend të së mirës dhe së drejtës. Liria është dhurata më e vyer që njeriu posedon, ndaj dhe është përgjegjës për zgjedhjen që ai bën. Nuk ka liri pa përgjegjësi dhe nuk ka faj a gabim, që nuk shlyhet me pendesë. Pendesa është rikthim në normalitet, një tjetër garanci kjo, e mbrojtjes nga ndëshkimi i Zotit.
Së fundi, të gjitha këto reflektime post-tërmet, që njerëzit duhet të kenë, nuk do të kenë efekt, nëse ato nuk pasqyrohen në mënyrë të përhershme në jetën e individëve dhe shoqërisë sonë shqiptare. Asnjë ideologji, bindje apo edukim humanist i panatyrshëm dhe pa Zot, nuk mundet të depërtojë në shpirtin e njerëzve dhe shoqërisë, për t’u bërë referencë e përhershme dhe e palëkundshme e moralit dhe e virtytit njerëzor. Vetëm besimi tek Zoti dhe referimi i jetës sonë tek e vërteta e Tij, jep garancinë e sigurt të gjetjes së identitetit dhe virtyteve të humbura të shqiptarëve: drejtësisë, mirësisë, moralit e besimit dhe padyshim, efektit pozitiv që ato do të japin në lumturinë tonë si komb, në këtë botë dhe në tjetrën.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit