-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Të lutem lexo këtë përpara se të vrasësh veten!

Më të lexuarat

Ç’kemi? Nuk po të pyes si je, se përderisa ke menduar t’i japësh fund jetës, nuk ndihesh mirë. Po them “menduar”, sepse e ndjej që diku aty, thellë në veten tënde, ti ke pikëpyetje: Ja vlen të vdes apo jo? Unë nuk kam eksperiencë personale me vetëvrasjen, nuk kam fuqi të mbinatyrshme të shoh se çfarë ndodh pasi ti largohesh nga kjo jetë, nuk jam as psikologe. Por të lutem, më konsidero të paktën këtë orë, si miken tënde.

Kemi 10 vjet që flasim nëpërmjet faqes sonë në Facebook e tashmë në Instagram me qindra si ty: vajza e djem të rinj që na rrëfejnë se janë në depresion nga varfëria, sepse familja nuk i kupton, sepse ai/ajo që duan nuk i do mbrapsh, sepse kanë presion në shkollë, sepse ndihen të shëmtuar, të sëmurë, të gjymtuar dhe çdo lloj arsyeje tjetër. Shumica fatmirësisht vazhdon të na shkruajë akoma, që do të thotë se e kaluan. Na rrëfejnë që ishte një moment dhe pastaj u penduan. Por kemi pasur dhe raste, si ajo e një djali në Gjirokastër vite më parë, që na rrëfeu se po mendonte të vriste veten dhe e vrau. Dhe ne nuk bëmë gjë.

I thamë “Jeta është e bukur” dhe postuam letrën e tij në Facebook e lamë njerëzit të merren me të. Pastaj u ndjemë fajtorë. Edhe Adela Gjoka, vajza nga Rrësheni e cila u vetëvra dje (15 Nëntor 2019) na ka shkruar në faqen tonë të Facebook-ut. Por nuk na ka rrëfyer asgjë. Thjesht ka ndarë për humor disa screenshots nga “idiotët” që vërtiten e shkruajnë kot nëpër rrjete sociale. Por nuk jam e sigurt, nëse do të shkruante që ishte në depresion, ne do të mund të bënim ndonjë gjë, a do të mund të parashikonim që ajo do t’i jepte fund tragjikisht jetës së saj.

Ti që e lexon sot këtë shkrim dhe je keq, shumë keq, më beso, na shkruajnë kaq shumë si ty. Ti nuk je vetëm në trishtimin tënd. Ti nuk je vetëm në problemet e tua edhe pse në këtë moment ndihesh sikur askush nuk të kupton. Në një moment a tjetrin të gjithë e takojmë “fundin”. Edhe unë që po të shkruaj e mund të të dukem sikur kam të gjithë privilegjet e kësaj bote, kam pasur momentet e mia më të errëta; kam pasur pikëpyetjet e mia për jetën, kam pasur raste kur isha rreth të 20-ve, që kam vënë në peshore jetën me vdekjen dhe vetëm një forcë e brendshme e papritur më ka shtyrë ta çoj peshën nga jeta. Është e njëjta forcë që e ke dhe ti. Është ajo forcë që ka çuar përpara këtë botë, që i shtyn njerëzit edhe në minutat e fundit të jetës, kur janë 90-të vjeç e mbahen me aparate oksigjeni të marrin frymë e njerëzit përreth tyre të luten se të paktën i dashuri i dëgjon.

Ti që ke menduar të vrasësh veten, mund të kesh të drejtë për 100,000 arsye. Po, jeta shpesh është mut. Dhe po, ka njerëz katilë, të pamëshirshëm, njerëz që s’të kuptojnë, ka meshkuj e femra që sot të premtojnë dashurinë e nesër zhduken. Jeta ka edhe padrejtësi. Aq më tepër në Shqipëri. Sa herë të gjithë ndihemi të ofenduar, të poshtëruar, të keqpaguar, të injoruar, të humbur pa të drejtë në këtë vend. Po varfëria? Sa e keqe është ajo, kur ti vetëm sepse s’ke lek merr shërbimin më të keq mjekësor, ta fusin me ilaçe, nuk paguan dot shkollën apo të duhet të punosh që e vogël, kur moshataret bëjnë festa. Këto janë pjesë e jetës dhe janë aty. Por të them një sekret? Këtë “mut” që ta hedh jeta ti ke në dorë ta shndërrosh në flori.

Duket një idiotësi kjo që po them, por më beso, ti nuk ke asgjë, absolutisht asgjë më pak se miliona të tjerë që jetojnë dhe ecin përpara. Ti nuk je më e dobët se shumë vajza të hedhura në rrugët e Europës, të rrëmbyera e të përdhunuara që pas trajtimeve çnjerëzore, ja dolën të shkëputen e të krijojnë një jetë; ti nuk je më i/e dobët se mijëra të lindur e të rritur në skamje që në moshën 20 vjeçare u ngjitën maleve e kaluan me një gomone të pasigurt nëpër dallgët e Adriatikut në mes të Janarit për të kërkuar një jetë më të mirë dhe ja dolën; ti nuk je më e dobët se nënat tona që papritur iu përmbys bota kur regjimi ndryshoi dhe iu desh të adaptoheshin pa asnjë leke e me fëmijë nëpër këmbë, të gdhiheshin në 3 të mëngjesit e të mbushnin ujë, të na vishnin e mbathnin ne, të gjenin një punë të re (kur fabrikat e kooperativat iu mbyllën) dhe e të merreshin edhe me sherre familjeje që shkaktoheshin nga jetesa në bashkësi ; ti nuk je më e dobët se moshatarët e tu që u gjendën të vetmuar rrugëve të botës, pa ditur gjuhën, pa asnjë kacidhe, pa familjarë afër; ti nuk je më e dobët se moshatarët e tu të verbër apo paraplegjikë që mbarojnë shkolla, krijojnë familje e përpiqen të jetojnë çdo ditë edhe nëse nuk e shohin dot; ti nuk je më e dobët se fqinjët e tu, që e mbaruan shkollën, e qanë dhe e harruan një dashuri të humbur dhe tashmë janë në punë e thurin ëndrra për të ardhmen. E di që është e vështirë ta gjesh atë dritën brenda teje, por më beso që e ke. Nuk ke asgjë më pak se të tjerë.

Ti nuk zgjodhe të vish në këtë botë, por zgjidh të lutem ta jetosh. Kot nuk është shprehja “preka fundin” që do të thotë se të gjithë përplasemi me errësirën më të madhe, por është vetëm prekje; nuk ka pse ulemi aty, nuk ka pse të jetojmë aty; e prekim, marrim forca dhe ngjitemi sërish lart. Pas fundit ka vetëm ngjitje, nëse ti zgjedh të ngresh kokën.

Thonë se vetëvrasja është egoiste, thonë se ata që duan t’i japin fund jetës duan t’u lënë një mesazh të afërmve që i kanë lënduar, thonë se ata e bëjnë për “popullaritet”. Feja nga ana tjetër e ndalon. Çfarë nuk thonë për vetëvrasjen, por ç’rëndësi kanë? Çfarë rëndësie do të kishte për ty pas vdekjes se si do të ndiheshin të tjerë? Çfarë rëndësie do të kishte për ty se sa do të fliste bota për ty. Ti mund ta mendosh tani sa je gjallë, por kur të vdesësh, më beso, të panjohurve do t’i vijë gjynah për 5 minuta e do të vazhdojnë jetën e tyre. Të afërmit ose ata që ti ke dashur t’u çosh mesazh, do të ndihen fajtorë. Ose jo. Ndoshta do të ndihen të dyzuar, të pasqaruar. Në çdo lloj rasti, se çfarë do të ndjejnë ata, nuk ka më rëndësi kur ti nuk je. Sepse nuk do të jesh. Kështu që besoj do të ishte idiotësi që ti të mendosh vërtet si këto “mitet” që sapo të përmenda.

Ti që sot mendon vetëvrasjen, të lutem, kupto që në atë errësirë ku je zhytur, ka një dritare. Është e padukshme për momentin sepse ti nuk ke zgjedhur ta shohësh. Në kokën tënde çdo pyetje ka një përgjigje negative, ti ke një listë me “të gjitha të këqiat” që të kanë ndodhur dhe ato të duken shumë; ti mendon se bota është kundër teje dhe askush nuk të kupton; ti ke dhënë gjithë besimin tënd tek dikush dhe ai/ajo e ka shkelur atë. Ti je në pikën që çdo gjë e ke barazuar me zero, ke fshirë çdo ngjyrë jete dhe sheh vetëm të zezën. Por në atë errësirë, është e qartë që nuk e dallon dot dritaren. Por ajo është aty. Ashtu si drita e hënës që çan mes perdeve, më beso, që sapo të fillosh t’i thuash vetes që “Unë dua të jetoj”, rrezet e dritës brenda teje dalëngadalë do të gjejnë rrugën drejt dritares. Ti duhet të jetosh. Ti duhet të llogarisësh veten dhe gradualisht, të tjerët do të llogarisin ty. Adela u hodh nga dritarja dhe unë e frymëzuar po të shkruaj këtë letër ty. Pak në faj që nuk ja thashë kurrë atij djalit në Gjirokastër, e dëshpëruar që ndoshta kam kaluar përciptaz dhe letra të tjera që rrëfenin për depresion. Por sot, dua të mendoj me shpirt, që të paktën të të ndihmoj ty, të kuptosh që ja vlen të jetosh. Oh Zot sa ja vlen! Ja vlen për atë momentin e bukur kur rimëkëmbesh pas një dështimi, ja vlen për njerëz të rinj që takon, për vende që sheh, për aromën e qytetit post-shiut, për dallgët e detit, për dashuritë e reja që janë aty e do të vijnë (kush ngeli pa u dashuruar më qafsh?;)

Ja vlen për fëmijët që një ditë mund të sjellësh në jetë dhe janë një lumturi e jashtëzakonshme, ja vlen qoftë edhe për një akullore të mirë. Jeta ja vlen. Ai i/e moshuar 90-vjeçar i tretur që ende përpiqet të jetojë me aparatin e oksigjenit, disa orë larg vdekjes, ta rrëfen rëndësinë e jetës më mirë se unë. Ja vlen të jetosh, sepse ti vlen. Përtej shkëlqimit, vilave, famës, trupave perfektë, familjeve me nënë e babë, të gjithë kemi dhimbjet dhe frikërat tona, kemi plagët dhe dështimet tona, të gjithë jemi njësoj në dhimbje, por duhet të jemi njësoj edhe në përballjen me këtë dhimbje.

Ti s’ke asgjë më pak se të tjerë, ti je vetëm dikush që sot, pasi të lexosh këtë shkrim t’i thuash vetes: “Prit, se do të bëhet më mirë!” Sepse do të bëhet. Lësho dritën brenda teje që të gjejë dritaren e shpresës dhe ki besim. Beso që do t’ja dalësh dhe do t’ja dalësh, si miliona të tjerë. Dhe sa herë të ndihesh keq, na shkruaj. Mos hezito! Unë të shkruajta nga zemra. Profesioni e do që unë ta rishoh këtë shkrim që më duket tepër i gjatë, por nuk do ta bëj, sepse vërtet i kam fjalë zemre. Këto janë fjalët që sa do të doja sot t’ja thoja Adelës, apo djalit në Gjirokastër, apo kujtdo tjetër që po jeton në errësirë.

Dalina Buzi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit