-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

48 orë me Lëvizjen Vetëvendosje

Më të lexuarat

Nga Vincent Van Gerven Oei

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, Partia “Lëvizja Vetëvendosje” (LVV) doli e para pasi fitoi 27.49 për qind të votave dhe 32 vende në parlament. Sidoqoftë, ajo u përjashtua nga qeveria e formuar nga koalicioni i drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Në zgjedhjet vendore në nëntor 2017, LVV sërish doli partia e parë, duke fituar edhe dy bashkitë më të mëdha në Kosovë, Prizrenin dhe Prishtinën.

Viti 2018 pati ngjarje të rëndësishme për LVV-në, 12 deputetë u larguan prej saj dhe formuan një grup të pavarur në parlament. Visar Ymeri dha dorëheqjen nga kryetar i partisë. Shpend Ahmeti, kryebashkiak i Prishtinës u largua nga partia. 12 deputetët e grupit të pavarur parlamentar u bashkuan me Partinë Social-Demokrate, dhe Ahmeti u zgjodh kryetar i saj. Ndërkohë themeluesi i LVV-së, Albin Kurti u rikthye në krye të partisë.

***

Ditën e shtunë isha në Prishtinë për t’u takuar me vulllnetarë, aktivistë e politikanë të LVV-së, dhe për të mësuar më shumë për partinë dhe degën e saj të re në Shqipëri, një lëvizje që mund të ndryshojë lojën në peizazhin e vjetëruar politik shqiptar.

Për here të parë jam njohur me LVV-në në vitin 2010, kur pushimet e mia në Kosovë rastisën në një njëjtën kohë me vizitën në Prishtinë të Hillari Klintonit, në atë kohë Sekretare e Shtetit e SHBA-ve.

Teksa mijëra qytetarë ishin mbedhur për të parë autokolonën e saj të kalonte, grafittit në të gjithë qytetin i jepnin një përgjigje pak më kritike përfshirjes së ndërkombëtarëve në Kosovë: “EULEXperiment”, “Unë votoj, ti voton, ai voton, ne votojmë, ju votoni, ata qeverisin”, dhe “jo negociata, vetëvendosje!”. Një gjetje tjetër fantastike ishte shkrimi me sprej i gërmave F dhe D në të dy anët e shkurtimit “UN” në makinat e Kombeve të bashkuara, për të formuar fjalën “FUND”.

Gati 10 vjet më vonë, e gjeta veten në zyrën vendore të LVV-së në Velani, një lagje e Prishtinës. Gjatë mbrëmjes së ditës së heshtjes zgjedhore, zyra, e cila ngjan me një dhomë ndenje, e mobiluar me karrige, kolltuqe dhe tavolina të mbushura me pije dhe me ushqim, u mbush ngadalë me kandidatë për deputet, aktivistë dhe mbështetës që festonin mbylljen e fushatës zgjedhore.

Një aktivist i ri nga diaspora, Arbër Aliu, i cili kishte ardhur me shpenzimet e veta nga Gjermania, mbajti një fjalim prekës për zanafillën e zgjimit të tij politik.

Një fjalë mirëseardhjeje mbajti edhe Haki Abazi, ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm dhe numri 8 në listën e Vetëvendosjes. Vendi i tij në parlamentin e ardhshëm është i sigurtë, por në qendër të vemendjes gjatë ditëve në vijim do të jetë perfomanca e të gjithë partisë. A do ta drejtojnë ata qeverinë e re?

U këndua himni kombëtar, dhe më pas vijuan këngë shqiptare nga të gjitha trevat, bashkë me biseda për të ardhmen e vendit dhe të rajonit.

Më interesonin në mënyrë të veçantë planet e LVV-së për t’u shtrirë në arenën politike shqiptare, ndaj dhe e pyeta Abazin se çfarë mendonte ai për këtë. Do të varet shumë nga performanca e LVV-së gjatë zgjedhjeve, tha ai. Fitorja e LVV-së mund të bëjë të mundur një platformë ku të shfaqen politika dhe qasje, që mund t’i shërbejnë si model Shqipërisë.

Sidoqoftë, ai shtoi se ndryshimi midis kontekstit të politikës shqiptare dhe kosovare është i dukshëm. Institucionet e shtetit të Kosovës, tha Abazi, nuk janë të kapura nga krimi në të njëjtin nivel sa në Shqipëri. Skena politike është më pak e polarizuar, dhe ka një traditë të fortë të qeverive të koalicionit. Si rrjedhojë, ndjeshmëria ndaj politikës e popullsisë në Shqipëri është e ulët. Një tjetër dallim është se në Kosovë diaspora ka të drejtën e votës, ndërsa në Shqipëri ata nuk e kanë ende.

Pavarësisht kësaj, hyrja e LVV-së në skenën politike shqiptare do të jetë pa dyshim një zhvillim i rëndësishëm, në veçanti për situatën ku gjendet opozita shqiptare sot pas zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit.

Të lodhur nga fushata, të gjithë ranë të flinin rreth mesnatës, për të pushuar pak përpara ditës së zgjedhjeve.

***

Ditën tjetër, një orë përpara se të mbylleshin kutitë e votimit, takova Abazin në katin e sipërm të Hotel Siriusit për të parë parashikimet e sondazheve dhe numërimin e votave. Rreth orës 9-10 priteshin rezultatet përfundimtare, ndërsa numërimi vazhdonte më shpejt sesa në Shqipëri.

Në orën 7 sondazhi i parë i paraqitur nga Klan Kosova tregoi se LVV dhe partia në opozitë LDK ishin kokë më kokë, me një përqindje çuditërisht të njëjtë prej 30 përqindësh. Kjo ishte, pa dyshim, një përpjekje për të mbajtur teleshikuesit përpara televizionit për pjesën e mbetur të pasdites. Siguria e të pranishmevë në tavolinë ishte e lartë, me pritshmëri se LVV do të shkonte drejt 35 përqindëshit.

Kur Abazi u largua për në zyrat qendrore të LVV-së, ne u kthyem në shtëpi për të ndjekur rezultatet në televizion. Rezultatet e para treguan se kryesonte LDK, por rreth orës 21:15 LVV filloi të ngrihej nga 0,1 përqind në 1 përqind diferencë. Rreth orës 22:00 LVV e kaloi LDK-në dhe qëndroi në krye edhe për pjesën e mbetur të pasdites. PDK, e cila ishte në qeveri, humbi thellë dhe u rendit e treta. Ata e pranuan humbjen dhe lajmëruan se do të jenë në opozitë.

Rreth orës 11:30, me afro 80 përqind të votave të numëruara, njerëzit filluan të mblidheshin drejt sheshit “Skenderbeu”, ku më në fund, aty nga ora 00:15 kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe drejtuesit e tjerë të partisë dolën në skenë të rrethuar nga flamuj shqiptarë, gjermanë dhe amerikanë. Binte në sy mungesa e flamujve kosovarë.

Përmes parrullave “Behörde, Behörde, nuk është shtet” [Qeveria, qeveria, nuk është shteti]”, “Albin, ti ku je, krej’t Kosovën k’tu e ke” dhe “Hajnat në burg”, Kurti lajmëroi fitoren e Vetëvendosjes si një “valë e tretë” për Kosovën, pas çlirimit në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në 2008. Ai premtoi drejtësi dhe barazi, si dhe falënderoi mbështetësit e tij.

Teksa po e shkruaj këtë artikull (1:00), me 93.25 përqind të votave të numëruara (por jo votat e diasporës, të cilat do të numërohen në ditët e ardhshme), LVV ka fituar me 25.80 përqind dhe LDK renditet e dyta me 24.94 përqind. Vota e diasporës pritet ta thellojë më shumë diferencën.

Drejtimi i qeverisë së ardhshme të LVV-së me Kurtin Kryeministër do të ketë, pa dyshim, pasoja të thella për rajonin, e sidomos për Shqipërinë. Pushteti në Kosovë jo vetëm që do ta ndihmojë LVV-në të rrisë praninë e saj në Shqipëri dhe, me gjasa, të nisë një lëvizje të re opozitare, por Kosova do të qeveriset nga një parti, e cila nuk do të ndalet s’ia përmenduri Kryeministrit Edi Rama angazhimin e tij me gjysëm zemre për shqiptarët përtej kufirit.

Pra, nëse shkon gjithçka mirë në javët në vijim, kohë interesante do të kemi përpara.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit