ARMANDA HYSA
Nisur nga aspekte profesionale shpesh pyes veten se si do t’ua tregoja historinë e vitit 2019 njerëzve një apo dy dekada më vonë. Nuk besoj se ka mënyrë më të mirë për të rrëfyer një histori, sesa ta nisësh atë me një tjetër histori, mikro-histori, apo rrëfenjë të shkurtër. Në mars të këtij viti u mbyll sipari kërkimor i një projekti të Bashkimit Europian, Horizon 2020 “INFORM: Closing the gap between formal and informal institutions in the Balkans”. Në kuadër të tij, ne, një grup studiuesish nga Ballkani dhe më tej, jemi munduar të kuptojmë më thellë ku konsistojnë praktikat informale në aspektet kryesore të jetës së përditshme, në politikë dhe në drejtësi, si dhe të bëjmë dallimin mes perceptimit dhe realitetit. Sigurisht që kemi hasur aty mendësinë, apo perceptimin e përhapur gjerësisht, se të tëra palët politike janë përgjegjëse për klientelizmin dhe korrupsionin në të gjitha fushat e sferës publike. Duke u fokusuar te praktikat informale, synimi ynë ishte të qëndronim larg praktikave të jashtëligjshme dhe ndikimit të bizneseve kriminale në tërë këtë sistem. Megjithatë, ndikimi i tyre është kaq i madh në shoqëritë tona, saqë gjuha gjithsesi do të shkonte ku dhemb dhëmbi. Si mund të trajtosh klientelizmin politik duke evituar shitblerjen e votës, apo financimet e kundraligjshme të fushatave elektorale? Megjithatë, shokuese për mua ishte të shihja reagimet e vlerësuesve të projektit, në Komisionin Europian, edhe ata studiues të njohur të shkencave politike në përgjithësi, e të Ballkanit dhe marrëdhënieve informale në veçanti. Perceptimet mbi barazinë e të gjitha forcave politike në “krim” duket se nuk ndahen vetëm nga popullata, por edhe nga këta ekspertë të jashtëm. Dhe ne vihemi përballë një dualizmi paralizues: një shoqëri tërësisht e pastër, ku sundojnë vetëm praktikat formale, ku partitë politike nuk kanë kurrfarë lidhjesh apo ndikimi me botën nëntokë të krimit ekonomik, përballë një shoqërie ku çdo kahje është njësoj e përlyer dhe ku ligjet që prodhohen mbeten në letër nga mungesa e çdo lloj vullneti politik për t’i zbatuar ato. Duke vënë përballë njëra-tjetrës tipin e një shoqërie ideale me tipin e një shoqërie idealisht të inkriminuar, paralizohet çdo shpresë për ndryshime pozitive, ndërkohë që realiteti kompleks është një tjetër. Ideja ishte: e dimë se vendet ballkanike janë të tilla, ndaj nuk mund të pritet kurrfarë ndryshimi pozitiv nga një rotacion i mundshëm politik, ndaj një të tillë edhe mund ta lëmë mënjanë për momentin dhe të përqendrohemi në të tjera strategji. Po cilat strategji të tjera do të zbatoheshin me sukses në një situatë të tillë? Cila përfaqësi legjislative do t’i adoptonte ato, kur fundja legjislativi përbëhet nga përfaqësues të partive politike? Të këtyre partive politike që kemi? A nuk u nis nga këto principe Reforma në Drejtësi, e pikërisht për këtë arsye ajo po falimenton kaq rëndë?
Këtë realitet na e përplasi në fytyrë rasti më i fundit i kryebashkiakut të sapo “zgjedhur” të Shkodrës. Ky rast na kujtoi se ekziston një ligj, që quhet ligji i dekriminalizimit të figurës. Dhe që ai, kur ekziston një opozitë e vërtetë politike dhe jo një opozitë fasadë e farsë, nuk mbetka në letër. U fry dhe u pompua një reformë e sforcuar, që injoroi gjithë denoncimet e opozitës për shkeljet e shumta kushtetuese dhe e pamë se si dështoi. Ligji për dekriminalizimin u propozua dhe u mbështet fuqishëm veçanërisht nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha, në një situatë të paprecedentë për demokracinë e brishtë shqiptare, kur disa deputetë të maxhorancës njiheshin për të shkuarën e tyre kriminale, ku edhe vetë opozita u desh të sakrifikojë një figurë të vetën, që sa duket, nuk doli aq i humbur nga e gjithë kjo, pasi maxhoranca e përfshiu në gjirin e saj.
Klientelizmi politik, i cili ushqehet nga prezenca e lidhjeve të forta mes biznesit dhe partive politike, nuk është ekskluzivitet i Shqipërisë apo Ballkanit. Brenda Shqipërisë, ai nuk është ekskluziviteti i vetëm një partie politike. Çështja qëndron te raporti dominues i këtyre lidhjeve brenda një strukture të caktuar politike. Është pikërisht ky raport që bën dallimin mes një vendimmarrjeje politike problematike e komplekse, por gjithsesi ende autonome nga lidhjet klienteliste, dhe një vendimmarrjeje politike pothuajse të kapur.
Nëse partitë politike shqiptare do të ishin tërësisht të kapura nga këto lidhje, vetëm atëherë do të kishim të bënim me një situatë tërësisht të pashpresë. Por simptoma e kësaj sëmundjeje do të ishte e qartë: opozita e vendit do të ishte tërësisht fasadë dhe torta publike do të ndahej me marrëveshje. Duke perceptuar si të tillë marrëveshjen e propozuar nga Hoyt Yee (edhe pse realiteti qe tjetër, pasi nuk u la asnjë rrugëdalje tjetër nga kriza parazgjedhore e vitit 2017), mbështetja ndaj opozitës u dobësua dhe përgjimet e botuara nga gazeta “Bild” na treguan vazhdimin e një historie që gjithsesi, të gjithë e dinim në vetvete. Por e vërteta është tjetër.
Skandalet që plasin çdo ditë, konfirmojnë se në rrugën e mbajtjes së pushtetit si qëllim në vetvete, qytetari nuk është harruar aspak: ai thjeshtë perceptohet si kukull elektorale që mund të manipulohet me PR dhe propagandë. Dhe pjesë e kësaj propagande është edhe ideja se janë të tëra palët njësoj. Sa herë që reformat paraqiten me titullin “në emër të popullit”, populli del tërësisht i humbur. Goditja që iu bë mekanizmave të kontrollit dhe balancimit në drejtësi, në emër të luftës kundër korrupsionit, thjesht shkatërruan këto mekanizma. Por nuk duhet harruar se korrupsioni është pasojë e mosfunksionimit të këtyre mekanizmave, dhe jo shkak i tyre. Në emër të popullit dhe të premtimit populist të luftës kundër korrupsionit, iu hap rruga një korrupsioni edhe më galopant, zaptimit të shtetit nga strukturat njëpartiake.
Opozitës nuk i duhen kërkuar premtime boshe reformash “në emër të popullit”. Opozitës së sotme, Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Bashës, unë si qytetare që nuk dua ta braktis e pashpresë vendin tim, i kërkoj reforma të ngjashme si ajo e ligjit të dekriminalizimit – që përbën thelbin e vërtetë të vetingut ndaj politikanëve. I kërkoj asaj që, nëse vjen në pushtet, të rikthejë rendin kushtetues dhe e para të japë shembullin e luftës kundër lidhjeve klienteliste. Shembullin e parë e dha në vitin 2017, ku ajo nuk u dallua për blerje vote. I kërkoj të mos e zaptojë publiken, por ta qeverisë atë. I kërkoj të mos e shantazhojë privaten, por ta mbështesë e subvencionojë atë.
Ndërsa socialistëve që sot na qeverisin, i kërkoj një reflektim të thellë dhe përpjekje për t’i çliruar strukturat e tyre nga Elvis Roshët, Valdrin Pjetrat, Pjerin Ndrekajt apo Sajmir Tahirët. I kërkoj, për hir të demokracisë, të jetë nesër një opozitë e denjë që do t’ia vështirësonte jetën pozitës së ardhshme sa herë që ajo të shkelë në dërrasë të kalbur.
Asnjë sistem nuk është perfekt, por ky sistem që kulmoi në krizën e gjithanshme politike, juridike e ekonomike të vitit 2019, duhet të marrë fund. PD po jep shenjat se po del prej tij. Koha për PS-në tani. Sepse nuk mund të ketë demokraci pa këto dy forca që, për mirë apo për keq, janë përfaqësueset më të rëndësishme të qytetarëve shqiptarë.
*Pedagoge me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, UT