-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Secili çmendet sipas mënyrës së vet

Më të lexuarat

Nga Gentian Gaba

‘Secili çmendet simbas mënyrës së vet’ është titulli mjaft ironik i romanit të dramaturgut Stefan Çapalikut. Vepra, e ambientuar në Shkodër e autorit përgjatë një periudhe njëzetëvjeçare, nis në vitin 1967. Në nisje të stinës së ateizmit zyrtar, me vendim të diktatorit Enver Hoxha, ku bash me Zotin u mohuan edhe objektet e kultit, të cilat u shkatërruan apo iu falen të përditshmes profane.

Pa hyrë më tej në brendi të romanit, titulli i tij mund të shërbejë si një përgjigje ndaj pyetjes retorike më të cilën kryeministri po përbuz kundërshtarët politikë ditët e fundit të kësaj ‘fushate imagjinare’: ‘Mirë që u çmendën, po pse të gjithë përnjëherë?’

Është e vërtetë që prej muajit shkurt opozita ka zgjedhur një rrugë jo ortodokse për vijimin e betejës së saj politike, që nga shumë anë mund të shihet si një çmenduri. Por, njëkohësisht, është po aq e vërtetë se kjo opozitë ndodhet përballë një kryeministri që nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga ajo, madje nuk ka marrë asnjë përgjegjësi politike për skandalin e përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane Bild. Madje, edhe pse një valë e gjerë pakënaqësie shoqëroi publikimin e përgjimeve, kryeministri vijoi të mbajë pranë tij personat e ekspozuar në dosjet 339 dhe 184. Sikurse është rasti i Pjerin Ndreut, sot kandidat në Lezhë, dhe i Vangjush Dakos, kreu i shtabit elektoral të PS-së në qarkun e Durrësit.

Përballë kryeneçësisë së kryeministrit për të mos ndëshkuar fajtorët, të paktën moralisht, opozita vijon në ‘çmendurinë’ e saj për t’i thënë jo zgjedhjeve pa u plotësuar kushtet e nevojshme që ato të jenë të lira dhe të ndershme.

A mund të quhet kjo një çmenduri?

Nëse do të ndodheshim në një shtet funksional, në të cilin ndarja e pushteteve do të ishte e garantuar dhe drejtësia do të ishte autonome, dalja e opozitës nga sistemi do të quhej një çmenduri. Megjithatë, të vetëdijshëm për situatën reale të institucioneve, krimeve të shumta zgjedhore të njohura botërisht dhe të pandëshkuara (pa përmendur këtu skandalet e lidhura me korrupsionin qeveritar të rasteve të ‘Unazës’ dhe Teatrit Kombëtar), çmenduri do të ishte e kundërta. Çmenduri do të ishte vijimi i jetës parlamentare në bashkëjetesë me të paktën dy deputetë të emëruar prej krimit të organizuar, dhe hyrja në zgjedhje me atë që është sot i akuzuari kryesor për vjedhjen e tyre në bashkëpunim me ‘gangsterët’ e Durrësit dhe Dibrës.

Në fakt, sipas Albert Einstein, “çmenduri do të thotë: të bësh të njëjtën gjë, në mënyrë të përsëritur dhe të presësh rezultate të ndryshme”.

Që e përkthyer në aksionin politik shqiptar, do të thotë se duke mos bërë gabimin e së shkuarës dhe duke mos pranuar hyrjen në zgjedhje pa një ndryshim të situatës, vërtetoi se ajo ka dalë nga sistemi por jo nga ‘fiqiri’.

Të çmendur, sipas përcaktimit të Einstein dhe jo të Ramës, do të jenë të gjithë ata që presin që këtë të dielë të ketë zgjedhje. Jo vetëm sepse po shkojmë në votime pa kandidatë alternativë, por sepse po bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë në vitin 2016 dhe 2017, duke pritur rezultate të ndryshe. Ku ata që do kandidojnë, do organizojnë procesin dhe do numërojnë, janë problemi dhe jo zgjidhja.

Megjithatë, nëse ajo që keni dëgjuar në përgjime nuk ju shqetëson, jeni të lirë të vendosni bojën e zezë te gishti i madh. Fundja, secili çmendet sipas mënyrës së vet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit