Nga Ergys Mërtiri
Sido që t’i shkojë filli krizës në Shqipëri, dekreti i Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve arriti një gjë të rëndësishme. Ai nxori në pah se gjithçka që Kryeministri ka thënë gjatë këtyre javëve në lidhje me dialogun dhe gatishmërinë e tij për të qenë fair me opozitën, por pa cënuar në asnjë moment ligjet dhe Kushtetutën, ka qenë vetëm një falsitet. Jo se nuk e dinim këtë, por tani alibisë i ra edhe fasada.
Liturgjia e hipokrizisë
Prej kohësh, Rama po përpiqet ta kalojë lumin duke u fshehur pas legjislacionit. Ai flet natë e ditë për ligjin, respektimin e tij, si e vetmja mënyrë për të bërë shtet dhe, sigurisht, për pamundësinë që ligji krijon në lidhje me kërkesat e opozitës. Rama flet për Kushtetutën me gjuhë liturgjike, duke e paraqitur atë si një sakrament, përballë të cilit ai, si një besimtar i devotshëm, është duarlidhur e gojëkyçur. Ligji është zoti, ndërsa Kryeministri, vetëm një shërbëtor i bindur i tij.
Por është e qartë se Rama po e bën këtë vetëm e vetëm për të bërë të pamundur një zgjidhje për situatën politike. Ai luan rolin e njeriut të gatshëm për dialog dhe lëshime, por të pakompromis në zbatimin e ligjit. Përtej dëshirës së tij, besnikëria ndaj ligjit mbetet e panegociueshme. Ndaj ai nuk mund t’i shtyjë dot zgjedhjet, jo se ai nuk do, por se nuk e lejon Kushtetuta.
Në fakt, zgjidhja që Rama jep është edhe më larg Kushtetutës sesa shtyrja e zgjedhjeve, por kjo mbetet një çështje interpretimi, ku ai nuk futet kur nuk i intereson. Realisht ai e tradhton “zotin” e tij, qoftë edhe vetëm me këtë përdorim të ligjit në funksion të interesit të tij për mbijetesë.
Që Rama ka problem në respektimin e ligjit, e vërteton edhe thjesht fakti se ai konsideron ligj interpretimet e tij personale ndaj tekstit. Fryma e ligjeve kërkon që ato të zbatohen përmes institucioneve përkatëse, dhe jo në bazë të vullnetit të një njeriu në krye të njërit prej pushteteve, por që ka kapur të gjithë të tjerët.
Kjo tregon se Rama, jo vetëm nuk njeh asnjë shenjtëri të ligjit, por ai sillet me të në mënyrën më profane, duke e parë atë si instrument të vullnetit personal. Ligji përdoret si barrierë për të penguar çdo rrugë drejt zgjidhjes së krizës. Me kapjen pas aspektit formal të ligjit, Rama kërkon të bëjë votime pa zgjedhje, duke shkatërruar arsyen e ekzistencës së vetë zgjedhjeve si themel i demokracisë. Sipas këtij instrumentalizmi të Kushtetutës, kjo e fundit na detyron të pranojmë zgjedhje pa garë, në vend të një gare të rënë dakord për në një datë tjetër.
Krimet ndaj ligjit
Kryeministri Rama e ka treguar qartë se nuk është aspak një politikan që ka ndjeshmëri ndaj rregullave. Ligji për të ka qenë gjithmonë një llastik, që ai e ka tërhequr andej nga i ka ardhur për shtati, madje edhe e ka këputur pa kokëçarje kur ia ka dashur qejfi. Profili i tij politik shquhet për jokonvencionalitet përballë rregullave të shkruara e të pashkruara, duke luajtur në hullitë e antipolitikës.
Që herët, Rama e ka nisur me talljen më spektakolare ndaj parlamentit, duke shkuar me megafon në një komision hetimor të ngritur enkas për shpërdorimet e tij financiare si kryetar bashkie. Ai ka vazhduar me të njëjtat mjete gjatë gjithë karrierës, duke përplasur bashkinë me qeverinë kur ishte në opozitë dhe qeverinë me bashkinë kur ishte në pushtet.
Gjatë periudhës si kryeministër ai ka shpikur çudira antikushtetuese si ligji special për teatrin, apo ligji për investimet strategjike, që i jep të drejtën shtetit të shtetëzojë prona private për t’ua dhënë shpurrës pranë tij të investitorëve gjoja strategjikë.
Rama ka përdhosur ligjet me kontratat PPP apo me koncensionet me oferta të pakërkuar, të cilat hartohen paraprakisht sipas nevojavetë klientëve të tij.
Ai ka shkelur me të dyja këmbët vendimet e gjykatës për të paguar dhe kthyer në punë ata që ka pushuar nga puna në shkelje të ligjit. Ka shkelur vendimet e gjykatave ndërkombëtare për kompensimin e pronave dhe ka refuzuar të respektojë shumë vendime të gjykatave duke urdhëruar përmbarimin të mosveprojë.
Rastet më ulëritëse të mosrespektimit të Kushtetutës dhe kapjes së pushteteve të pavarura janë sigurisht shkatërrimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe zgjedhja në parlament, pa shumicë të cilësuar, e një prokuroreje të ngarkuar me detyrën e prokurorit të përgjithshëm.
Nëse ka gjë që e karakterizon më së shumti Ramën si profil politik është pikërisht shpërfillja e plotë e ligjit, aq sa, në frymën e kësaj politike, një ish zëvendës-ministre e tij deklaroi dikur se me VKM ata mund të ndryshojnë edhe Kushtetutën.
Megjithatë retorika e Ramës paraqitet sikur ai është një kalorës i paepur i ligjit, nëpërmjet të cilit ai po bën shtet. Nëpërmjet fuqisë së jashtëzakonshme propagandistike, të cilën e ka arritur falë nivelit të tmerrshëm të korruptueshmërisë, ai ia ka dalë ta legjitimojë në dukje sofizmin e tij, ndonëse askush nuk e ha vërtet këtë truk.
Këputja e llastikut të ligjit
Beteja e paprecedent me një dekret presidencial ka zhvleftësuar tashmë gjithçka që, nëpërmjet propagandës, Rama ka arritur në këta muaj krize politike. Pasi ka akuzuar opozitën se nuk respekton ligjet dhe institucionet e vendit, tani është ai vetë që shkel me të katër këmbët parimet më themelore të shtetit, institucionet dhe Kushtetutën e tij. Në mënyrën më të pashembullt, ai kërkon të mos njohë një vendim të Presidentit, duke detyruar KQZ-në të veprojë në kokë të vet, ndërsa pohon se do ta rrëzojë dekretin në Gjykatën Administrative.
Është apo nuk është në përputhje me Kushtetutën dekreti i Presidentit, kjo mund të jetë një çështje që ha debat. Kushtetuta kërkon që zgjedhjet të bëhen në qershor, kur i përfundojnë mandatet kryebashkiakëve të tanishëm, por sidoqoftë ky është vetëm një interpretim i përciptë i saj.
Në kushtet kur nuk kemi garë, kur jemi në krizë politike, kur vendi nuk ka gjykata për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis palëve, ndërsa qeveria është e mbuluar nga skandalet, të cilat mbyllen nëpërmjet kapjes së pushteteve të pavarura, ka një hapësirë për një lexim më të gjerë të Kushtetutës, sesa nga ky këndvështrim i ngushtë, që sjell një lexim vetëm në sipërfaqe.
Por sido që të jetë, biem apo nuk biem dakort, Kushtetuta ka përcaktuar Presidentin si interpretuesin dhe garantin e saj të parë, dhe jo Kryeministrin apo institucione të tjera të kapura prej tij.
I vetmi organ që mund të gjykojë Presidentin në këto raste është Gjykata Kushtetuese, të cilën vetë Rama e ka asgjësuar tashmë me ndërhyrjet e tij në reformën në drejtësi. “Djepi bosh i gjykatës” nuk mund të mbushet nga “djalli” i ndërhyrjes së qeverisë në kompetencat e pushteteve të tjera.
Lëvizja e Ramës për të detyruar KQZ-në të mos njohë dekretin është një grusht shteti. Duke i dhënë vetes të drejtën për të mos njohur autoritetin të cilit i bindet, nënkryetari i KQZ-së Denar Biba ka shkatërruar çdo kuptim të ngrehinës konstitucionale që e mban një shtet. Gjithashtu, pretendimi se do ta rrëzojë një dekret “antikushtetues” me gjykatë administrative është një çmenduri, e po kështu edhe ideja se Presidenti mund të shkarkohet vetëm pse Kryeministrit nuk i pëlqen mënyra se si ai e kupton Kushtetutën.
Një tjetër autogol i Ramës, pas rrahjegjokseve fëmijënore se qendron tre lëvizje para kundërshtarëve, është fakti që nxiton të pohojë paraprakisht se do ta rrëzojë dekretin në Gjykatën Administrative, pa e lënë më parë vetë gjykatën të shprehet në mënyrë të pavarur. Duke e trajtuar këtë si një fakt të kryer, ai po tregon se e ka kapur edhe këtë gjykatë (ndërsa ka nxjerrë jashtë funksioni dy të tjerat), gjë që shfaq edhe më qartë çarjet e thella të deritanishme në reformën në drejtësi dhe vë në pikëpytje fatin e saj.
Kaq shumë shpërdorim detyre dhe krime konstitucionale, nuk ka Kryeministër në botë t’i ketë bërë në kaq pak kohë. Pretendimi se gjithçka bëhet në respekt të ligjeve dhe institucioneve të vendit është tashmë një barcaletë, që nuk bën as për të qeshur. Në këto kushte, ka pak rëndësi se si do të përfundojë historia e dekretit. Tashmë alibia e Ramës ka rënë dhe, megjithëse duket se ai do t’i konsumojë deri në fund thonjtë me të cilët mbahet, fundi i tij është i pashmangshëm. Sa më shumë po lëviz në përpjekje për të dalë nga lluca ku ka rënë, aq më thellë po zhytet në të./Exit.al/