1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ramazani vjen me lot në Gaza: humbin jetën e mitura dhe shtatzëna

Më të lexuarat

Një foshnje palestineze humbi jetën pasi ushtria izraelite goditi Rripin e Gazës me sulme ajrore dhe artileri, ndërsa shumë raketa u qëlluan për në Izrael nga enklava bregdetare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 14-vjeçarja Sebba Mahmoud Abu Arar u vra, ndërsa motra dhe nëna e saj shtatzënë u plagosën nga një sulm në shtëpinë e tyre në lagjen al-Zaytoun në lindje të qytetit të Gazës. Nëna shtatzënë, Falastin Saleh Abu Arar, 37 vjeçe, ndërroi jetë më vonë së bashku me fëmijën e saj të palindur, tha ministria.

Khaled Mohammed Abu Qlaq, 25 vjeç, humbi jetën në veri të Rripin Gazës, ndërsa një tjetër palestinez, Imad Muhammad Nasir, 22 vjeç gjithashtu u shua në sulmin e fundit ajror izraelit që goditi qytetin Beit Hanoun në veri të Gazës, tha ministria. Po ashtu, 18 persona u plagosën.

Mediat lokale raportojnë se një grua izraelite 50-vjeçare u plagos rëndë pas një sulmi me raketa në një shkollë të mesme në Kiryat Gat, pranë qytetit bregdetar të Ashkelonit.

Në një deklaratë të përbashkët, fraksionet palestineze në enklavë thanë: “Ne kemi nisur 150 raketa në lagjet dhe vendet ushtarake izraelite pranë Rripit të Gazës në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit kundër Rripit të Gazës”.

Dhuna e fundit ka prishur një armëpushim të brishtë për të cilin Izraeli dhe Hamasi që drejton Gazën ishin duke negociuar. Me këtë armëpushim, lëvizja palestineze shpresonte që të shihte ndonjë lehtësim të kufizimeve të Izraelit ndaj Rripit të Gazës.

“Okupimi izraelit duhet të angazhohet për të respektuar kushtet e marrëveshjen së armëpushimit”, tha Khalil al-Hayya, një anëtar i zyrës politike të Hamasit.

Bombardimet nuk kanë të ndaluar

Megjithatë, mediat lokale raportojnë se që nga mëngjesi i së shtunës Kombet e Bashkuara janë në bisedime me Izraelin, Hamasin dhe Egjiptin në përpjekje për të qetësuar situatën.

Izraeli tha se si përgjigje ndaj përleshjeve ka mbyllur të gjitha kalimet në Gaza dhe zonën detare për peshkim.

Raketat kanë arritur deri në Bet Shemesh, një qytet 30 km larg Jeruzalemit.

“Dhjetra” raketa u kapën nga mbrojtja ajrore, tha ushtria izraelite. Ushtria tha se kishte shënjestruar dy pika në Gaza nga të cilat ishin lëshuar raketat.

Avionët ushtarakë izraelitë gjithashtu goditën dhe shkatërruan një godinë banimi në perëndim të qytetit të Gazës dhe ndërtesën Iqtifan, ku ndodheshin zyrat e agjensisë së lajmeve Anadolu (AA).

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan të shtunën denoncoi ashpër Izraelin për bombardimin e ndërtesës.

“Ne dënojmë me forcë sulmin e Izraelit kundër zyrës së Agjencisë Anadolu në Gaza,” tha Erdogani në Twitter.

“Turqia dhe Anadolu Agency do të vazhdojnë t’i tregojnë botës terrorizmin izraelit dhe mizoritë në Gaza dhe pjesë të tjera të Palestinës, pavarësisht sulmeve të tilla,” shkroi ai.

Agjencia Anadolu raportoi se ndërtesa u shemb si pasojë e bomardimeve.

Zëvendësministri i Arsimit në Gaza, Ziyad Thabet, tha: “Ne kemi urdhëruar shkollat pranë zonave të rrezikshme që të avakuojnë studentët”.

Xhihadi Islamik, një grup militant i lidhur ngushtë me lëvizjen në pushtet Hamas, tha në një deklaratë: “Ne do ta kthejmë në ferr jetën e kolonëve izraelitë në periferi të Gazës”.

Haaretz njoftoi se një raketë ra në komunitetin izraelit të Nirimit, ndërsa një tjetër ra në Autostradën 4 pranë qytetit bregdetar të Ashkelonit.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se po konsultohej me shefat e sigurisë në përgjigje të përshkallëzimit të dhunës.

Përshkallëzimi erdhi pas protestave të së premtes përgjatë kufirit me Gazën.

Katër palestinezë, përfshirë dy luftëtarë të Hamasit, u vranë nga zjarri izraelit në Rripin e Gazës të premten, pasi dy ushtarë izraelitë u plagosën në kufi nga të shtënat gjatë protestave që po zgjasin prej javësh.

Ndër të plagosurit ishte dhe një gazetar palestinez, i cili u qëllua në kokë me një plumb çeliku të veshur me gome.

Safinaz Allouhu po mbulonte fushatën e Madhe të Marshit të Kthimit gjatë kufirit të Gazës dhe Izraelit kur u qëllua.

Në lindje të Khan Younis në Gaza, një adoleshent i identifikuar si Raed Khalil Abu Tair u qëllua në bark dhe më vonë vdiq nga plagët e tij, raportoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Palestinezët kanë marshuar për më shumë se një vit në mbështetje të së drejtës për t’u kthyer në shtëpitë nga ku u përzunë pas krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.

Nisma filloi në mars të vitit 2018, pas një nisme nga shoqëria civile lokale e cila u bëri thirrje palestinezëve të angazhohen në një marshim masiv drejt kufirit të Gazës për të kundërshtuar rrethimin e vazhdueshëm të Gazës nga Izraeli.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza vuri në dukje se që nga fillimi i protestave, forcat izraelite kanë vrarë të paktën 272 palestinezë në Gaza. /tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit