-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Protestat si ngjarje fotogjenike

Më të lexuarat

Nga Redi SHEHU

Njerëz të ndryshëm të përkatësive të ndryshme në vende të ndryshme, përshkohen të gjithë se bashku nga një ide e njëjtë, ajo e sakrifikimit të jetës së rehatshme të përditshmërisë, të rutinës dhe trafikut të interesave, në drejtim të pasigurisë dhe pështjellimit që protestat sjellin në një shoqëri. Kjo, për shkak të një ideali apo kauze e cila kthehet në motivin superior në raportet me të gjitha motivet e tjera personale që i përshkojnë individët. Ky shkak superior përbëhet prej proçeseve mikro-individuale të cilat transformohen në një poroçes makro-dakortësimi mbi situatën. Pakënaqësitë dhe zemërimi individual, shndërrohet në pakënaqësi dhe zemërim grupor, pastaj komunitar dhe shpërthen pastaj në rrugë si “motor politik” i gatshëm për të sjellë ndryshimet e kërkuara.

Të shumta janë arsyet se pse njerëzit protestojnë, por sipas shumë teoricienëve, një protestues që të ketë të njëjtën sjellje me të tjerët duhet që të përshkohet nga një ndjenjë e përbashkët e zemëratës për padrejtësinë apo mungesën e të drejtave që i takojnë. Vërtet, në thelbin e çdo proteste qëndron zemërata ndaj padrejtësisë e cila mund të shfaqet në qindra përthyerje në shoqëri të ndryshme. Shkalla e këtij zemërimi përcakton edhe mundësinë e protestës. Sa më të bindur të jenë pjesmarrësit që protesta e tyre do të jetë e suksesshme dhe efikase, aq më shumë gjasa ka që masiviteti i saj të jetë i dukshëm.

Mirëpo, zemërata që përshkon grumbullimet, ka nevojë që të shndërrohet në kauzë, në motivin superior që do ta furnizonte me energji protestën. Për ta bërë këtë, ka nevojë për një identitet kolektiv i cili lidh njerëzit në një përkatësi të njëjtë pa të cilën çdo lëvizje do ishte e pamundur. Nëse identiteti kolektiv i një mase njerëzish, apo “identiteti social”, siç John Turner evidentonte, spikat mbi identitetitet personale të tyre, atëhere ky grumbullim njerëzish priret të vetpërkufizohet bazuar mbi dallimet që ka me të tjerët, dhe ky vetpërkufizim i bën individët protestues të ndajnë të njëjta simbole dhe vlera, e në fund të veprojnë si pjestarë të një grupimi, të cilat nga sjellje personale transformohen në sjellje kolektive protestuese duke shkuar kështu drejt një fati të përbashkët.

Sa më shumë individi identifikohet me grupin, pra sa më shumë ai zhvendoset nga “unë” ne “ne”, aq më shumë merr përparësi pesha e grupimit dhe, pjesmarrja, të sjellurit, të folurit në emër të tij, kthehet pothuaj në një detyrë për secilin. Kështu, zemërata e përbashkët së bashku me identitetin kolektiv të grupimit, transfomohen në një aksion kolektiv që përshkohen nga emocioni politik si kurorëzim i saj por edhe si përforcim i identitetit politik të mëparshëm në kërkim të një triumfi ndaj padrejtësisë sociale dhe përmirësimi të situatës.

Po atëhere, përse në mënyrë të çuditshme grupet protestuese vazhdojnë të sillen si të tilla, në qindra prej tyre në të katër anët e globit, edhe kur rezultatet pozitive mungojnë? Identiteti kolektiv edhe pse në shumë protesta botërore që kemi parë ka qenë i përmasave historike, por ama përsëri protestat nuk i kanë ndryshuar gjërat. Ato, në fakt, kanë vërtetuar hendekun e madh që ekziston mes identitetit kolektiv të protestuesve dhe establishmentit politik, çka indirekt flet për një problem të theksuar në filozofinë e përfaqësimit dhe konceptin e demokracisë sot. Insistimi i protestave, ka çuar në suksese të pjesshme ose minimale, por nga ana tjetër ka rritur solidaritetin dhe ka modifikuar mjetet dhe praktikat për ta arritur një gjë të tillë.

Frika që ndjehet është se mos protestat e sotme po shndërrohen nga mjete shumë efikase për ndryshime politike, në mjete po aq efikase të cilat po ndryshojnë identitetet kolektive, pra vetë protestuesit. Sot edhe pse kemi forma organizimi me fuqinë e mediave sociale, përsëri protestat humbin energji. Marrëdhënia e njerëzve me realitetin që i rrethon, bazohet në mënyrën se si ata e përceptojnë këtë realitet. Sot gjen njerëz të cilët bëjnë jetë të përditshme së bashku në lagje, punë, institucione, rrugë, ambiente publike, të cilët duken të ngjashëm në atë që bëjnë, por papritmas, i gjen të ndarë në një situatë të caktuar me qëndrime krejt të kundërta.

Atëherë, përse disa njerëz protestojnë, kur disa të tjerë nuk e bëjnë një gjë të tillë? Qëniet njerëzore reagojnë ndaj botës që i rrethon nga mënyra se si ata e përjetojnë atë. Pra, njerëzit kanë përjetime të ndryshme për të njëjtën situatë, që do të thotë se përceptimi i tyre për një ngjarje të caktuar ndryshon në grupime sociale të ndryshme. Për këtë, ajo pjesë e cila e përcepton ndryshimin e realitetit përmes të protesturit, aktivizon revoltën, të cilën sociologë të ndryshëm e kanë quajtur “ngjarje fotogjenike” që tërheq vëmendjen e medias nga ana vizive, por që në pak raste sjell ndryshime thelbësore sociale dhe politike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit