-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rritet numri i viktimave të dhunës në familje

Më të lexuarat

Dhuna në familje është një problem i vazhdueshëm në shoqërinë kosovare. Vetëm gjatë vitit 2014 janë regjistruar 1200 raste të dhunës në familje dhe të gjitha viktimat janë femra.

 

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se shifrat për rastet të dhunës në familje, asnjëherë nuk mund të dihen saktë për faktin se në shumë raste nuk raportohen. Sipas tyre, numri i rasteve mund të jetë edhe më i lartë.

 

Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësitit Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se është rritur raportimi i rasteve të viktimave të dhunës në familje.

 

“Numri i rasteve të raportuara është në rritje, gati çdo vit ka më shumë raste. Në vitin 2014 ka pasur 100 raste më shumë të raportuara, çdo vit ka ngritje të raportimit. Me siguri ka ndikuar vetëdijesimi i viktimave se këto raste duhet të raportohen, pasi që ka ligje dhe ka institucione që ato i mbrojnë”, bën të ditur Haxholli.

 

Ndërsa, sa i përket shkaqeve të dhunës në familje që janë të raportuara në polici, sipas Haxhollit kanë të bëjnë më së shumti me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale.

 

Në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, parimet e të drejtave të njeriut dhe kornizën ekzistuese ligjore në Kosovë, institucionet janë të obliguara për të hetuar, ndjekur dhe dënuar kryerësit e veprave të dhunës në familje, në të njëjtën kohë duke ofruar zgjidhje efektive për viktimat.

 

Haxholli tregon se Policia e Kosovës që nga viti 2003 ka ngritur një strukturë të veçantë për këtë çështje.

 

“Në momentin që e marrim informatën, ne shkojmë në vendin e ngjarjes marrim masat hetimore, si dhe masat mbrojtëse,i dërgojmë viktimat në qendrat emergjente për t’u dhënë ndihmën mjekësore dhe për të marrë raportin për të dokumentuar në gjykatë, dhe më pas i njoftojmë viktimat për të drejtat e saj ligjore për strehimin dhe urdhrat mbrojtës”, tregon Haxholli.

 

Gratë, të cilat përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike, nuk gëzojnë përkujdesje të mjaftueshme, thonë përfaqësuese të shoqatave që merren me mbrojtjen e këtyre viktimave.

 

Drejtoresha e Qendrës për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, Jubile Kabashi, thotë për Radion Evropa e Lirë, thekson se fenomen mjaft shqetësues mbetet ri-integrimi i viktimave.

 

“Si kusht i parë i ri-integrimit është gjetja e një vend-banimi për viktimën, e që është një problem mjaft i theksuar pasi që viktimat, shumica nga to, nuk janë të punësuara. Ne jemi munduar që t’iu ndihmojmë në këtë drejtim, që përmes punë-dorës që ato dinin të bënin, të fitonin të ardhura për të mbajtur veten dhe fëmijët që i kanë pasur me vete”, tregon Kabashi.

 

Sa i përket punësimit të këtyre viktimave, Kabashi thotë se janë ballafaquar me shumë vështirësi, pasi që, siç thekson ajo, një numër mjaft i madh i punëdhënësve nuk pranon t’i punësojë këto viktima.

 

“Në strehimore, viktimat qëndrojnë nga tre muaj deri në gjashtë muaj, por në të shumtën e rasteve në pamundësi të ri-integrimit apo të gjetjes së zgjidhjes adekuate për to, viktimat detyrohen të qëndrojnë me vite të tëra në strehimoret e Kosovës”, thotë ajo.

 

Të menduarit e gabuar në një familje ku me prioritet trajtohet gjinia mashkullore, jeta në bashkësi, si dhe faktori ekonomik, tregon Kabashi, janë disa nga arsyet që gratë janë viktima të dhunës në familje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit