4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Rrëfime nga ish-ushtarët e UÇK-së për ditën e 5 marsit në Prekaz

Më të lexuarat

Më 5 mars të vitit 1998 në Prekaz të Drenicës filloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari.

Atë ditë filluan sulmet në familjen Jashari, dhe u rrethua fshati Prekaz.

Ish-ushtarë të UÇK-së, rrëfejnë ekskluzivisht për KosovaPress ngjarjen e 5 marsit. Tregojnë në detaje se çka ndodhi në lagjen Lushtaku dhe Kodra në kohën kur filluan sulmet te Jasharajt, si u rrethua fshati dhe si i kthyen prapa tanket serbe.

………….

Mëngjesi i 5 marsit të vitit 1998 ishte i kthjellët dhe me diell. Njerëzit aty veç kishin filluar të lëvizin.

Burrat e fshatit, që tashmë ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishim bërë roje gjithë natën.

Disa prej tyre, derisa po qëndronin në logun e fshatit, panë Feriz Kodrën që shkonte në drejtim të fshatit Polac. Ferizi çdo herë shkonte për blerje, dita e enjte ishte ditë tregu në Drenas.

Ushtarët derisa po tymosnin cigare, panë përsëri Feriz Kodrën, por tani derisa kthehej me vrap e i mbushur frymë. U tha se fshati ishte rrethuar.

Ata vëzhguan në drejtim të kodrës së Polacit dhe panë policët serbë të pozicionoheshin në kodër dhe shtëpitë e lagjes Velijaj.

Profesori Isuf Kodra, ish-ushtar i UÇK-së, atë mëngjes ishte roje, bashkë me një tjetër bashkëluftëtar.

“Pikërisht atë ditë isha roje, që nga 4 e mëngjesit deri në 6, me një bashkëluftëtar. Atë ditë kishim tre pika lagja Kodra, po ashtu tre pika lagja Lushtaku. Isha në këtë pozitë në roje, dhe në ora e 6:20, janë dëgju tanke të mëdha në Tërrnavc, saqë toka ndër këmbë na dridhej. Kanë ardhë deri në punktin në Klinë të epërm, kanë pushuar 30 sekonda, janë nisë prapa dhe janë stacionuar para stacionit policor në Skenderaj. Pas 5 minutash i kanë lëshuar y automjete, u dukshin sikur ‘fiqa’, por sigurisht kishin qenë Land Rover, të mëdha, po me siguri ua kishin hequr auspuhat për me ba zhurmë të madhe, dëgjohej zhurmë e madhe, për me hy tanket në drejtim të lagjes sonë, e mos me u dëgju zhurma e tyre”, rrëfen ai.

Dikush ishte kujtuar të tërhiqte familjet nga strehimoret e improvizuara, dhe t’i orientonte në drejtim të fshatit Mikushnicë.

“Familjet kanë dalë nëpër plumba atë ditë në drejtim të fshatit Mikushnicë. Kanë dalë i kanë përcjell familjet, u kanë dhënë me hangër….”, thotë ai.

Më herët, ushtarët kishin vendosur që në rast sulmi, i cili edhe pritej, fëmijët, gratë dhe pleqtë të vendoseshin nëpër disa shtëpi të forta, me bodrume si strehimore të improvizuara.

Nën udhëheqjen e Ilaz Kodrës, Fadil Kodrës dhe Zenun Kodrës, që ishin pjesëtarë të radhëve të para të UÇK-së, të grupit të Adem Jasharit, u fillua me pozicionimin e ushtarëve.

U ndanë në tre grupe.

Një grup ishte pozicionuar në kodër të fshatit afër shtëpive të Jetullahëve, një tjetër poshtë te kroi i fshatit dhe Malit të Stukës, dhe grupi i tretë te shkolla e fshatit.

Rreth orës 6 e 20 minuta u dëgjuan të shtënat e para të Jasharajt e më pas edhe nga pozicionet e armikut në lagjen Velijaj në Polac, që ishte 150 metra vijë ajrore nga pozitat që kishin zënë ushtarët e fshatit.

“Prej këtij momenti jemi përballë me forcat serbe, ishim disa ushtarë, 15-16, mirëpo me kalimin e kohës u shtua numri i ushtarëve. Përkundër gjithë atyre sulmeve, atyre vrasjeve, masakrimeve, jo që nuk u zbeh numri i ushtarëve të UÇK-së, përkundrazi sa më shumë që egërsohej armiku, aq më tepër shtiheshin dhe përforcoheshin radhët e UÇK-së”, thotë Kodra.

Ilaz Kodra me një grup të pozicionuar te shkolla e fshatit vendosën të depërtonin në drejtim të Jasharajve. Por, serbët kishin pozicionuar forca të shumta dhe autoblinda duke ndarë me vijë zjarri lagjen Kodra dhe Lushtaku, me atë të Jasharajve.

Tentimi i grupit të IlzaKodrës ishte pa rezultat, shpjegon njëri nga dëshmitarët e gjallë, Zenun Kodra.

“Ilazi më ka marrë mua dhe Hasanin, tha shkojmë e kqyrim se a është rrethuar lagja Jashari, a mundemi me depërtu a mundemi me ndihmu. Kemi ardhë në këtë pozicion tretë, e kemi parë që atje veç ish mbuluar me tanke e ushtarë, kemi provuar me shti tre katër herë në drejtim të tyre vetëm sa për t’u treguar që ka ushtarë të tjerë, mundet me pas ndihmë Adem Jashari, megjithatë ka qenë e kotë ajo për me ça rrethin…. Ka qenë e pamundur me ça rrethin, ka pas forca jashtëzakonisht të mëdha, saqë vetëm me helikopter, sepse nuk ke mundur me depërtu deri të Ademi ”, shpjegon ai.

Derisa të shtënat te Jasharajt sa vinin e shtoheshin, të përcjella edhe me mitralime dhe shpërthime artilerie, forcat e armikut të pozicionuara në Polac filluan të lëviznin në drejtim të varrezave të fshatit të cilat ndodhen në mes të lagjes Kodra dhe Velijaj.

Dy tanke ishin nisur në këtë drejtim dhe tashmë kishin arritur te varrezat.

Njëri tank e kishin hipur mbi varreza dhe ishte nisur në drejtim të grupit të Fadil Kodrës. Tanku tjetër ishte në drejtim të kroit të fshatit.

Dëshmitarët e ngjarjes thonë se qëllimi i tyre ishte të neutralizonin forcat e ushtarëve në ndihmë të Jasharajve, dhe të eliminonin grupin e Adem Jasharit, Ilaz Kodrën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Xhemë Kodrën, Sami Kodrën, Nuredin Lushtakun e Naim Lushtakun e të tjerët.

“5 Marsi është goditja më e rëndë që i ka ndodhur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vet faktin se në atë betejë ka rënë komandanti legjendar Adem Jashari. Në atë kohë ne ende nuk ishim të përgatitur për luftë frontale me Serbinë, mirëpo koha na e imponoi sepse edhe armatimin e kishim të mangët, edhe armatimi ishte i lehtë. Armatimin më të rëndë e kemi pas një murtajë dhe një mitraloz”, thotë ai.

E shtëpia para së cilës rrëfehet Zenun Kodra, është shtëpia ku UÇK-ja kishte një pozicion, rreth dy javë para 5 marsit, ka vendosur një mitraloz të cilin e kanë menduar për kundër ajror.

Ky pozicion u ka shërbyer që të mbulojnë krejt këtë pjesë në shumë raste.

Ditën e 5 marsit, në këtë fshat që njihet për të gjithë si Prekazi i Poshtëm, filloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Luftë kishe në tre lagjet e fshatit, të Jasharajt, në lagjen Lushtaku dhe lagjen Kodra.

Ushtarët e UÇK-së, duke përdorë strategji të ndryshme, vazhduan përballjen me forcat serbe nga lagja Kodra dhe Lushtaku, meqë tashmë dihej qartë që ishte e pamundur të depërtohej te Jasharajt.

Një grup i ushtarëve që u vendosën në Malin e Sukës, filluan sulmin në ushtrinë dhe policinë serbe.

Bashkë me disa nga dëshmitarë, ekipi i KosovaPressit vizitoi edhe këtë mal.

Nga i njëjti pozicion gjeografik, dy dekada më vonë, ushtari i asaj kohe Selman Kodra, rrëfen për rastin.

“Kemi ardh këtu me mitraloz, atje kanë qenë katër tanke duke ardh me hy në lagje, prapa kanë qenë 100 apo 150 policë, kemi përdorë taktikën kemi gjuajt policinë, jo tanket, kështu që nëse plagoset dikush detyrohet tanket me u kthy, si janë gjuajt policia tanket janë kthyer, nuk kanë arrit me hy në lagjen Kodra”, thotë ai.

Tanket që ishin të gatshme të futën në lagjen Kodra u kthyen prapa, në kodër në Polacit.

Ditën e 5 marsit e ka të freskët edhe Muhamet Kodra, i cili ishte në këtë pikë, në kohën kur tanket ia mësynë fshatit.

Këtu u dolën në ndihmë edhe disa ushtarë të UÇK-së nga Vushtrria dhe Polaci.

“Forcat serbe filluan me hy, i kemi gjuajt, filluan me u tërheq, këtu kemi qenë të pozicionuar… nuk kemi qenë numër i madh…”, kujton ai.

Me të arritur tanket në kodër të Polacit, filluan granatimet në drejtim të pozicioneve në Malin e Stukës, dhe lagjes Kodra e Lushtaku.

Forcat serbe nuk arritën të futeshin në lagjen Kodra e Lushtaku as ditën e nesërme.

Ndërkohë, nga Jasharajt, që rezistuan më 5, 6 dhe 7 mars, vinin lajme tronditëse për vrasje të fëmijëve, grave, pleqve, dhe çdo gjëje që lëvizte. /KP

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit