-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

TERROR NË TIRANË, 3 TRITOLE NË KATËR ORË

Më të lexuarat

Aktet terroriste tronditin Tiranën. Dy shpërthime me eksploziv dhe një në tentativë u regjistruan në tri zona të ndryshme të kryeqytetit, brenda një harku kohor prej 4 orësh, duke përhapur panik dhe terror në masë. Në shënjestrën e njërit prej akteve terroriste ishte familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në biznesin privat, farmaci të Bashkim Tahirit, babai i ministrit që ndodhet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, shumë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpërtheu një sasi e madhe lëndë plasëse. Për fat, nuk pati të lënduar në njerëz, vetëm dëme materiale. Një orë më vonë, një minë e telekomanduar shpërtheu në derën e apartamentit të Alfred Nomanit, ish-shefi i Komisariatit nr.3 në Tiranë, vartës i Saimir Tahirit. Banesa e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit ndodhet vetëm një rrugicë larg nga farmacia e Bashkim Tahirit, konkretisht përballë Pediatrisë në QSUT.

Shpërthimi në banesën e Nomanit ndodhi në 3:50 minuta dhe ekspertët thanë se eksplozivi ishte vendosur në sheshpushimin e pallatit. Na banesën e Nomanit nuk ndodhej asnjë prej pjesëtarëve të familjes.

Akti i tretë padiskutim terrorist, mbeti në tentativë.

Policia u njoftua se në rrugën “Muhamed Gjollesha” në stacionin e autobusit ku kalon linja e Unazës së Tiranës, ishte lënë një pako e dyshimtë. Ekspertët xhenierë bënë shpërthim të telekomanduar, duke shmangur pasojat e rënda në njerëz, nëse mina do të kishte shpërthyer. Në fakt, pikërisht shumë pranë stacionit ku do të kryhej akti i tretë, ndodhet banesa e prindërve të Saimir Tahirit, Bashkim e Luiza Tahiri.

Ekspertët thanë se në të tria rastet, sasia e eksplozivit është afërsisht nga 400 gramë dhe dyshohet të jetë e njëjta dorë.

Reagimi i prokurorisë

“Nga të dhënat paraprake rezulton se në orën 02:50 të datës 10.02.2015 ka ndodhur një shpërthim me lëndë eksplozive në një ambient tregtar, në pronësi të shtetasit Bashkim Tahiri, ndodhur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Rreth orës 03:50 ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive në sheshpushimin e katit të pestë të një pallati në rr. “Arben Minga” dhe janë dëmtuar banesat e shtetasit Alfred Nomani, zyrtar i Policisë së Shtetit dhe shtetasit E.F. Po ashtu, rreth orës 06:15, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë është zbuluar një sasi lënde eksplozive, e gatshme për të shpërthyer. Pas konstatimit të lëndës plasëse, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit është kryer shpërthimi i kontrolluar”, thuhet në njoftimin zyrtar të organit të akuzës. Veprimet hetimore për tri aktet terroriste po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë. Pavarësisht hetimeve intensive në orët e para pas ngjarjeve, ende nuk ka ndonjë të dyshuar si autor./Ballkanweb

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit