Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, Skënder Reçica po qëndron për vizitë pune në shtetin e Katarit, me ftesë të ministrit të Zhvillimit Administrativ, Punës dhe Çështjeve Sociale, Yousuf Mohamed Al Othman Fakhroo.
Sipas një komunikate të MPMS-së, të dy homologët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e punësimit dhe avancimit të mbrojtjes së kategorive të cenueshme, si dhe temave tjera sociale.
Gjatë qëndrimit në Doha të Katarit, ministri Reçica sot u prit edhe nga kryeministri i Katarit, Abdullah bin Nasser bin Khalifa Al Thani, nga i cili mori përkrahjen e pa rezervë për mbështetje në përpjekjet tona për përmirësimin e punësueshmërisë dhe në fushat e ngritjes së shërbimeve për kategoritë e cenueshme në Kosovë.
Kryeministri Abdullah bin Nasser bin Khalifa Al Thani siguroi ministrin Reçica se Katari do të jetë përkrah Kosovës edhe në rrugëtimin e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ministri Reçica shprehi nevojën, që krahas raporteve diplomatike, të punohet edhe për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve tona, për çka edhe u pajtuan me kryeministrin Abdullah bin Nasser bin Khalifa Al Thani.