0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Të dhjerë, por tolerantë përballë vorio- epiriotëve

Më të lexuarat

Nga Andi Bushati

Le të imagjinojmë për një moment sikur ajo që ngjau sot në Bularat të kishte ndodhur në një qytet sado periferik grek.

Le ta shfrenojmë fantazinë për një çast, sikur një grupim shqiptarësh të thërriste aty, se Janina n’a përket ne dhe se Aleksandri i madh është simboli i Republikës së “Maqedonësë së Veriut”.

Le të shkojmë në ekstrem dhe të përfytyrojnë një çetë ekstremistësh veshur kuq e zi që bërtasin rrugëve të Prevezës se gjaku i thërret të djegin grekët.

Asnjëri prej nesh, as në fantazitë e veta më marroke, nuk do të kishte fluturuar kaq larg.

Por fatkeqësisht, ky përshkrim nuk është një fantazi.

Të gjitha kanë ndodhur, por në sens të kundërt.

Përgjatë mesditës së kësaj të enjteje disa televizione informativë transmetuan Live manifestimin e Dropullit, ku po i jepej lamtumira e fundit minoritarit grek Kostandin Kacifas të vrarë pak ditë më parë nga policia shqiptare.

Dhe prej andej, me dhjetra mijëra qytetarë shqiptarë kanë ndjekur në kohë reale thirrjet se Vorio -Epiri është grek, se Maqedonia po ashtu, se shqiptarët duhen djegur, se duhet përdorur zjarr kundër qenëve etj.

E pra kjo gjë, që në shtetin tonë fqinjë as nuk do të imagjinohej, u zhvillua normalisht, ditën për diell, në teritorin shqiptar.

Askush nuk u mundua as t’i paraprijë, as t’a ndalojë, dhe as të reagojë më pas.

Po pse? Cili është shpjegimi?

E di se shumëkush do të nxitojë të ekzaltojë tolerancën proverbiale të shqiptarëve.

Jam i bindur se të tjerë do të shprehin krenarinë se ne kemi mundur ti margjinalizojmë në shoqërinë tonë nacionalistët e çmendur më të njëjtin profil si të Agimit të Artë.

Por, thellë thellë, kam frikë se kjo nuk është as çështje tolerance dhe as problem emancipimi. Përpara se të shihet si e tillë, ajo duhet trajtuar si zbythja e një shteti të reckosur dhe si një mungesë ulërtitëse dinjiteti.

Nëse një ngjarje si ajo e Bularatit do të ndodhte në Greqi, apo në çdo vend perendimor me standarte shumë më të larta demokratike se fqinji ynë, organizatorët dhe protagonistët e tij do të ndëshkoheshin rrepstësisht. Sepse thirrjet raciste, nxitja e dhunës etnike dhe vënia në pikpyetje e sovranitetit, penalizohen ngado njësoj (shiko nenet e Kodit penal Poshte).

Por, në Tiranë e ndoqën me indiferencë këtë shfaqe, jo nga zemërgjerësia, por nga pafuqia.

Dhe me hidhërim duhet thënë se mirë bënë. Pasi fakqeqësisht nuk kishin rrugë tjetër.

Arsyet për këtë janë të thjeshta.

Sepse askush nuk mund të imagjinojë aplikimin perfekt të ligjit për qytetarët e huaj apo për minoritarët, kur ai zbatohet i çalë për vetë shqiptarët.

Sepse askush nuk mund të imagjinojë, një vend si ky yni, kur ashtu siç bën me skandalet shqiptare, kryeministri del e jep i pari konkluzionet (se Kostandin Kocias ishte i çekulibruar dhe nuk kishte rrugë tjetër veç ekzekutimit), pa thënë as një falë, as policia, as prokuroria dhe as gjykatat.

Kjo nuk ndodh në asnjë shtet normal demokratik, madje as aty pak më larg, tek komshinjtë tanë.

Sepse të gjithë menjëherë pyesin: Mos ka një prapavijë politike? Mos fshihet një komplot? Ç’e detyroi të parin e qeverisë të bëjë edhe hetuesin edhe gjykatësin?

Janë detaje të tilla që të shtyjnë të kuptosh se pse shtetarët shqiptarë i kalojnë “me indiferencë”, incidente si ato të Bularatit, pasi ata e dinë me mirë se kushdo, se ato shërbejnë ndërkombtarisht si një lupë për të parë problemet e brendëshme të demokracisë shqiptare.

Kështu ka ndodhur disa herë në të shkuarën. Kjo dramë përcolli edhe mandatin presidencial të Berishës, të cilit ekstremistët fqinjë i shfrytëzuan përdhosjen e demokracisë vendase, për të larë hesapet e tyre nacionaliste.

Po të shihet me vëmendje edhe eurodeputetja kontroverse qipriote, Eleni Theocharous, sapo zbarkoi në tokën greke fjala e parë që tha, nuk kishte të bënte me ngjarjen e Kacifas, por me faktin se kryeministri shqiptar ishte i korruptuar.

Dhe ky është në fakt thelbi i problemit me shtetarët shqiptarë: ata refuzojnë të bëhen mbrojtës të dinjitetit kombëtar, nga frika se mos kjo i kthehet në boomerang.

Ky është dhe shpjegimi i thjeshtë i asaj që ndodhi sot në Bularat. Kjo tregon se pse askush nuk vuri ujin në zjarr, as për shkeljet flagrante të ligjit shqiptar dhe as për cënimin e krenarisë nacionale.

Prandaj le ti japim fund miteve të tolerancës dhe emancipimit tonë. Historia e asaj që ngjau në Dropull është një njollë turpi. Një zbythje dhe pafuqi ulëristëse.

Ajo është njëkohësisht edhe parodia më diskrdituese e një terorie që po qarkullon prej disa vitesh, se më në fund Shqipëria udhëhiqet me liderë që i kanë vënë grekut kufirin tek thana. Pasi kjo nuk bëhet as me statuse në Facebook, se dikur Athina banohej nga bashkëkombasit tanë, as me pastime në Instagram të fotove të vjetra të Akropolit që e shpëtuan shqiptarët.

Ky dinjitet rimëkëmbet me zbatimin e ligjeve të vendit, gjë që nuk ndodhi sot në Bularat.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit