Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë marrë kritika për moskryerjen e përgjegjësive në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, Anton Çuni, i ka thënë të mërkurën “Kohës Ditore” se policët dhe doganierët kosovarë në dy pikat problematike të vendit rrinë tërë kohën në kontejner pa qenë në gjendje që t’i kryejnë detyrat që i kanë. “Është sekret publik se doganieri i Kosovës dhe polici i Kosovës qëndrojnë mbyllur në kontejner dhe nuk kanë asnjë qasje në kontrollin e transporteve që kalojnë në kufi”, ka thënë Çuni. “Ata fare nuk e marrin dokumentacionin në procedim, ata fare nuk i kontrollojnë maunat, veturat… Të gjitha këto i menaxhon EULEX-i dhe pranë tyre janë njësitë e KFOR-it të cilët ofrojnë sigurinë”.
Sipas anëtarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Sigurisë, tashmë nuk është kurrfarë lajmi ajo se si për transportin e policëve të Kosovës dhe doganierëve përdoret transporti ajror dhe jo ai rrugor.
Mirëpo, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se prania e policëve dhe e doganierëve të Kosovës në veri të vendit është në përputhje me obligimet që Qeveria e Kosovës kishte marrë pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për menaxhimin e integruar të kufirit, për ta respektuar marrëveshjen e 9 shtatorit. Sipas tij, në dy pikat kufitare në veri policët dhe doganierët kosovarë kanë karakter mbikëqyrës dhe se kjo situatë do të zgjasë deri kur të nisë të zbatohet IBM-ja. “Ata (policët dhe doganierët kosovarë v.j) e mbikëqyrin EULEX-in, si doganat ashtu edhe policinë kufitare. Pra ata janë mbikëqyrës. EULEX-i ka rol operativ, pra i kryejnë punët, kurse këta i mbikëqyrin. Shefi i ekipit është polici kufitar dhe doganieri i Kosovës, kurse ata janë punëtorë në një mënyrë, i kryejnë detyrat operative”, ka thënë Rexhepi. “Ashtu është marrëveshja deri sa të fillojë të zbatohet IBM-ja e cila është arritur me Serbinë”.
Më 9 shtator të vitit të kaluar, pas situatës së krijuar në veri, Qeveria e Kosovës pati bërë një marrëveshje me KFOR-in dhe e EULEX-in për vendosjen e doganierëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31. Marrëveshja parashihte që Kosova në të dyja pikëkalimet të ketë vetëm nga tre zyrtarë: nga një përgjegjës për pikëkalimet, nga një zyrtar policor dhe një doganier. Puna e policëve dhe doganierëve kosovarë është me rol vëzhgues, ndërsa transportimi i tyre ende bëhet me helikopterë të KFOR-it dhe të EULEX-it.
Legjenda: Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, Anton Çuni, ka thënë se policët dhe doganierët kosovarë në dy pikat problematike të vendit rrinë tërë kohën në kontejner pa qenë në gjendje që t’i kryejnë detyrat që i kanë. /koha/kohaislame