-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pa strategji, ekonomia e Kosovës po shkon drejt falimentimit

Më të lexuarat

Në mungesë të një strategjie të zhvillimit, ekonomia e Kosovës ka hyrë në një krizë të thellë dhe para falimentimit, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë. Që nga përfundimi i luftës, autoritetet në Kosovë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje që të hartojnë strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar. Vetëm për hartimin e strategjisë të punuar në vitin 2007, ishin shpenzuar 750 mijë euro. Ndërsa, për tri strategjitë tjera, thuhet se është dashur të paguhen me qindra miliona euro. Synimi parësor i këtyre strategjie ishte zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike. Profesori i ekonomisë, Musa Limani në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është duke u bërë në mënyrë parciale pa ndonjë strategji, vizon dhe me mungesë të profesionalizmit. “Trendet ekonomike deri më tani nuk janë të mira përveç GDP-së, që ka trende pozitive të gjithë treguesit tjerë makro ekonomik kanë shenja negative, që tregon se efikasiteti i politikës së zbatuar ekonomike nuk është i mirë. Në Kosovë nuk ka politikë ekonomike, prandaj zhvillimi ekonomik më tepër bëhet në mënyrë stihike”, vlerëson profesor Limani. Edhe dokumenti i Qeverisë së kaluar, i quajtur “Vizioni i zhvillimit ekonomik të Kosovës për periudhën 2011-2014”, sipas ekspertëve të ekonomisë nuk ka qenë një dokument serioz. Rritja ekonomike deri në 10 për qind, ulja e varfërisë dhe shumë synime të tjera që ishin paraparë të arrihen gjatë kësaj periudhe, nuk ishin realizuar, pikërisht, siç thonë ekspertët, për shkak të mungesës së një plani konkret të veprimit. Eksperti i ekonomisë Lekë Musa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pa një strategji adekuate ekonomia e Kosovës nuk mund të zhvillohet. “Qeveria e Kosovë duhet të ketë strategjinë e zhvillimit ekonomik i cili duhet të jetë një burim i premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës elektorale, dhe kjo strategji duhet të zbërthehet në një plan nacional se si duhet të zbatohet strategjia dhe në çfarë afate të caktuara kohore”, thotë Musa. Ai shton se pa pasur një strategji ku fokusi kryesor do të duhej të ishte krijimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nuk mund të dihet se në çfarë drejtimi është duke lëvizur ekonomia e Kosovës. Ndërkohë, profesori i ekonomisë Musa Limani thekson se strategjitë zhvillimore të cilat janë bërë deri më tani, e të cilat kanë dështuar janë bërë në mënyrë jo profesionale dhe nuk kanë përkuar me realitetin, por me dëshira. Sipas tij, është koha që Kosova të ketë një strategji e cila do ta ketë një parashikim real dhe të zbatohet. “Faza e parë e hartimit të një strategjie duhet të jetë që të bëhet një analizë e zhvillimit të deritanishëm të Kosovës në bazë të së cilës ne e shohim se çfarë niveli ka arritur Kosova, çfarë strukture ekonomik ka formuar dhe si kanë qenë trendët për të bazuar më pastaj prognozën për zhvillimin e mëtejme”, thekson ai. Ndryshe, ekonomia e Kosovës gjatë viteve të fundit nuk ka pasur rritje ekonomike më shumë se tre për qind, derisa papunësia, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është mbi 30 për qind./Evropaelire

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit