Dyshohen për plagjiaturë, por duket sikur kjo nuk po u bën përshtypje. 16 profesorët e Universitetit të Prishtinës, të cilët po dyshohen se kanë vjedhur nga punimet e të profesorëve të tjerë, dhe se me ato punime janë avancuar në profesion, kanë zgjedhur të heshtin përballë këtyre akuzave. Askush nuk po e përmend dorëheqjen apo shkarkimin e tyre. Ndërkohë në Rektoratin e UP-së janë arsyetuar duke thënë se asnjë lëndë e kësaj natyre nuk është adresuar për trajtim në Këshillin e Etikës, që shqyrton raste të tilla.
Lista fillon me akademikun Sabri Hamiti e përfundon me ish-deputetin Hajredin Kuçi. Këta dy, bashkë me 14 profesorë të tjerë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po dyshohen se kanë vjedhur nga punimet e të tjerëve dhe se me to janë avancuar në profesion.
Në mesin e tyre ka edhe akademik, dekanë dhe ish-deputetë.
Gishtin ndaj këtyre profesorëve për plagjiaturë e kanë drejtuar anëtarë të organizatës ADMOVERE, të cilët kanë publikuar përmbledhjen me emrat e profesorëve të UP-së, që dyshohet të kenë kryer plagjiaturë.
Në raportin “Stafi Akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e studentë-hapësirë”, i cili u promovua të hënën u publikuan rastet e 16 profesorëve të Universitetit të Prishtinës, që ndër vite sipas raportit kanë kryer plagjiaturë.
Botuesi i këtij raporti, Shkëlzen Gashi, tha se gjatë hulumtimeve i kanë përmbledhur plagjiaturat e profesorëve që janë publikuar në media.
Gashi thotë se pavarësisht se këto plagjiatura janë publikuar në media, asnjë prej këtyre profesorëve nuk ka dhënë dorëheqje. Madje, thotë se disa prej tyre edhe janë avancuar në UP.
“Edhe kur plagjiaturat janë zbuluar në media ata nuk kanë dhënë dorëheqje dhe nuk është marrë ndonjë masë ndaj tyre përkundrazi ata janë avancuar në UP”, deklaroi ai.
Sipas Gashit, profesorët që kanë kryer plagjiaturë në magjistratura e plagjiatura janë: Zeqir Veselaj, Muhamet Aliu, Drita Kongjeli, Venet Shala, Sabri Hamiti, Lindita Sejdiu, Ali Dila, Kadri Metaj, Selim Bezeraj, Luan Ahma, Sabri Limari, Hajredin Kuqi, Mejdi Bekteshi, Beqir Sadikaj, Sylejman Rexhepi, Dalip Limani dhe Arsim Morina.
Por, ndonëse po akuzohen se kanë vjedhur nga punimet e të tjerëve dhe se me këto punime janë avancuar në UP, profesorëve duket se kjo nuk po u bën përshtypje.
Ata kanë zgjedhur të heshtin për këtë çështje.
G. ka provuar që prej dje që të kontaktoi me profesorët që po dyshohen për plagjiaturë, por të njëjtët nuk u janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.
E në Rektoratin e UP’së thonë se asnjë lëndë e kësaj natyre nuk është adresuar për trajtim në Këshillin e Etikës që shqyrton raste të tilla.
“Pas verifikimeve, menxhmenti konstatoi se asnjë lëndë e kësaj natyre nuk është adresuar për trajtim në Këshillin e Etikës. I rikujtojmë opinionit publik se është pikërisht Këshilli i Etikës organi i cili i merr në shqyrtim rastet e tilla dhe ai që rekomandon veprime të mëtejshme”, kanë thënë nga Rektorati.
Por, thonë se nëse paraqiten të tilla ankesa, menaxhmenti i UP-së nuk do të kursejë mbështetjen për këto organe, si në kuptimin moral, logjistik, organizativ, në përmirësim të rregulloreve përkatëse, për të përmbushur sa më mirë misionin e UP-së
“Menaxhmenti i UP-së thotë se është i hapur ndaj çdo kërkese për transparencë dhe bashkëpunim nga akterët e jashtëm, të cilat i kontribuojnë përmbushjes së vizionit të UP-së për një universitet hulumtues publik të respektuar, të njohur globalisht për profesionalizëm, integritet, mësimdhënie cilësore dhe hulumtim”, thuhet tutje në komunikatë.
Ndërkohë, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA), kanë deklaruar se do t’I bëjnë presion UP-së që të marrë masa për këtë çështje.
“Tash është koha me u marrë masat. Do t’i bëjmë presion UP-së me marrë masa. Na duhet ndihma e krejt shoqnisë”, ka shkruar Kryetari i ORCA-së, Rron Gjinovci në Facebook.
Ndryshe, para dy viteve 40’të studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ishin larguar nga lista e studentëve të përzgjedhur për të fituar bursë për studime jashtë vendit nga USAID-i, pasi ishin zënë me plagjiaturë.