Ligjvënësit nga Senati, Asambleja Kombëtare dhe katër kuvendet provinciale morën pjesë në votimin e fshehtë
Arif Alvi u zgjodh president i 13-të i Pakistanit, treguan rezultatet jozyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Votimi u mbajt në parlament në kryeqytetin Islamabad.
Ligjvënësit nga Senati, Asambleja Kombëtare dhe katër kuvendet provinciale morën pjesë në votimin e fshehtë.
Alvi, i cili u nominua nga partia qeverisëse Tehreek-e-Insaf (PTI) dhe partnerët e saj, fitoi 353 nga gjithsej 706, raportoi televizioni shtetëror i Pakistanit.
Kandidati i partisë opozitare dhe kreu i aleancës së partive fetare Muttahida Majlis-e-Amal, Maulana Fazlur Rehman, siguroi 184 vota. Kandidati i Partisë Popullore të Pakistanit, Aitzaz Ahsan, mori 123 vota.
Komisioni Zgjedhor i Pakistanit do të njoftojë rezultatet zyrtare të mërkurën, njoftuan mediumet lokale.
Në një fjalim me rastin e fitores, Alvi falënderoi të gjithë ligjvënësit që votuan për të, duke u zotuar se do të jetë president i Pakistanit dhe jo i partisë së tij.
“Unë e siguroj kombin se tani jam president i Pakistanit, e jo i një partie të vetme. Unë do të punoj shumë për përmirësimin e kombit”, tha Alvi para gazetarëve.
Presidenti i ri pritet të bëjë betimin më 9 shtator.
Në Pakistan, presidenti është simbol i federatës, kreu i shtetit dhe komandanti i forcave të armatosura, por ushtron autoritetin sipas rekomandimeve të kryeministrit.