Mjekët ballafaqohen me problem të shumta dhe nga puna e tyre varet jeta e njeriut, por kur është në pyetje paga, ata tashmë janë barazuar me shoferët e veturave zyrtare të Qeverisë.
Një mjek specialist merr pagë mujore 659 euro, kurse shoferët e kabinetit qeveritar paguhen 580 euro.
Por, shoferët qeveritarë paguhen më shumë se mjekët e përgjithshëm, të cilët kanë pagë 565 euro.
Kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, pagat e punëtorëve shëndetësorë i quan skandaloze, madje ai paralajmëron kolaps në shëndetësinë e Kosovës.
“Për punëtorët shëndetësorë dhe për mjekët në veçanti, është tepër ofenduese, sepse dihet çka punohet në mjekësi. Sot një vozitës, ose një zyrtar i ulët, merr pagë më të lartë se një kirurg apo mjek specialist. Kjo është me të vërtetë ofenduese”, shprehet Syla për RTV Dukagjinin.
Ai ka një paralajmërim për institucionet qeveritare.
“Presim që ata të reflektojnë, nëse nuk reflektojnë atëherë po i paralajmëroj se shëndetësia do të futet në kolaps”, tha kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë se në shtator pritet të finalizohet ligji për pagat.